EDITORIAL I DIELLIT/
Federata Panshqiptare e Amërikës VATRA, me 28 prill të vitit 2014 do të mbushë 102 vjetë jetë në tokën e bekuar të Amerikës, ndërsa zëri i saj, regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve, DIELLI, me 15 shkurt 2014 festoi ditëlindjen e 105-të. Duket se Vatra dhe Dielli, përbëjnë binomin historik të shqiptarëve të Amerikës dhe janë të mosvdekshëm, thënë ndryshe –të përjetshëm.Në këtë jetëgjatësi për më shumë se një shekull, Vatra dhe Dielli kanë ngrohur shpirtrat e shqiptarëve dhe kanë mbajtur gjallë idenë Kombëtare. Nuk kishte ngjarje Kombëtare ku nuk dëgjohej zëri i Vatrës, këshilla që vinte prej saj, ishte orientim Kombëtar. Kur mblidhej Kuvendi i Pavarësisë në Vlorë, kreu i Vatrës, Faik Konica këshillonte: Hidhini sytë nga Perëndimi, jo nga Lindja! Kur do të përzgjidhej princi –Mbret për të qeverisur Shqipërinë, Vatra udhëzonte, një princ të dërguar dhe përkrahur nga Evropa! Kur Shqipëria humbi shtetin, kishte Vatrën që luante rolin e shtetit të munguar.
Vatra dërgoi ambasadorë në Evropë; Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtullin dhe Mithat Frashërin në Zvicër, pagoi jo vetëm ata por edhe diplomatë amerikanë dhe europianë për të lobuar për çështjen shqiptare. Dita 3 qershor 1917 ka hyrë në historinë Kombëtare si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë nga Shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës. I pari që e dha sinjalin e një fushate të madhe ishte delegati i Vatrës në Zvicër dr. Turtulli, i cili krahas një letre mallëngjyese kishte dërguar Një mijë dollarë për të çelë fushatën, që do të çonte në shpëtimin e Shqipërisë, që kërcënohej nga zhbërja. Kaq u desh. Vatranët e kuptuan detyrën e tyre. Vatra do të mbetej e turpërua për jetë nëse nuk i përgjigje ftesës dhe dhuratës të dr. Turtullit. U vendos që e Diela e 3 Qershorit të shpallej Dita e Shpëtimit të Shqipërisë. Dr. Turtulli këshillonte që së paku të mblidheshin 40 mijë dollarë nga kjo fushatë. U vendos që kjo të mos ishte vetëm fushatë e Vatrës, por të ftoheshin edhe shoqëritë e tjera, përfshi dhe ato fetare. Qëllimi ishte që të siguroheshin të ardhura të mjaftueshme që të ngrihej një komitet për Shpëtimin e Shqipërisë. U caktuan delegatët Mehmet e Konitza dhe dr. Turtulli që në bashkëpunin me shqiptarët e Amerikës të ngrinin Komitetin. Puna e Komitetit syntonte që të sigurohej një Shqipëri me kufijtë e saj ethnografik në Konferencën e Paqes dhe pas paqes të organziohet një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët.
Komisioni organizator i fushatës përbëhej nag Kryetari- Kol Tromara, Sekretari- Loni Kristo, Kontrollorët- Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi dhe Fan S. Noli. Në Thirrjen që nënshkroi kryetari Tromara e sekretari Loni Kristo, bëhej thirrje që të niste fushata me qëllimin final të grumbulloheshin 40 miëj dollarë që për kohën ishte shumë e madhe. Të nxitur edhe nga poezia e Nolit” Jepni për Nënën”, shqiptarë mblodhen gati katërfishin e asaj shume që synonin.Në thirrje shkruhej”Perëndia na zgjodhi ne shqiptarët e Amerikës si shpëtimtarë të Shqipërisë”!
Editori i Diellit, Bahri Omari, në komentin e tij e përqaste misionin e shqipatrëve të Amerikës me atë të francezëve më 1871, kur Bismarku kishte kërkuar në Versajë 5 miliardë franga dëmshpërblim për të liruar vendet e pushtuara. Bismarku kishte pandehë se këtë shumë nuk kishin ku e gjenin francezët, por ai nuk kishte llogaritur shpirtin patriotik të popullit francez, që e pagoi shumën në një kohë të shkurtër. Kështu dhe ne shqiptarët e Amerikës, shkruante Bahri Omari, nuk do ta lëmë Atdheun tonë peng!Dhe Shqiptarët e Amerikës nuk u turpëruan-mblodhën rreth $160 mijë.
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës shkoi në kryeqytet por arka e shtetit ishte bosh. Mithat Frashëri vjen tek shqiptarët e Amerikës dhe vatranët e presin me bujari.Organizojnë Huanë kombëtare dhe mbledhin gati 198 mijë dollarë. Shumë tepër e madhe për kohën.Edhe sot ndodhen fletët origjinale të Huasë Kombëtare, që tepëruan, të cilat mbajnë emrin e Minsitrit të Financave N. Coba dhe të arkëtarit të Vatrës G. Katundi. Por detyrat e Vatrës nuk mbaruan me kaq. Shtypshkronja e Diellit, që u ble në nëntor 1913 dërgoi qindra mijëra libra për shkollat shqipe në Shqipëri për dy dekada, më 1920 dërgoi bandën muzikore të Vatrës në mbrojtje të kufijëve jugorë të Shqipërisë nga grekërit dhe në Luftën e Vlorës kundër italianëve.
Kontributet e Vatrës kanë vazhduar për vite e vite. Gazeta e saj Dielli ka kryer detyrën e vet në ndriçimin e mendjeve të shqiptarëve dhe është kthyer në shkollë kombëtare. Natyrisht që në më shumë se një shekull jetë Vatra ka pasë edhe ulje-ngritjet e saj. Ka pasë sulme, kurthe, intriga nga brenda dhe jashtë, për ta shpërbërë atë, por jetgjatësia e saj tregon se rrënjët janë ngulur thellë në tokën e lirisë-Vatra është lisi rrënjëthellë në tokën e lirisë. Armiqtë dhe kundërshtarët e luftonin, skepticistët fërkonin duart dhe shpresonin se “Vatra” dhe “Dielli” do të shuheshin shpejt, se misioni i tyre kishte mbaruar, se Vatra me kalimin e viteve ishte plakur dhe e kishte lënë koha pas. Veçanërisht e vështirë ishte mbijetesa e Vatrës gjatë luftës së ftohtë. Lufta kundër saj ishte e shumfishtë, nga kundërshtarët helenikë, nga shteti komunist me emisarët e vet, sigurimi i shtetit shqiptar, nga UDB-jugosllave dhe shërbëtorët e Tiranës dhe Beogradit.Megjithë përpjekjet e mëdha të Tiranës komuniste për të përcarë diasporën shqiptare në Amerikë, duke vënë përballë nacionalistët- Legaliteti, Balli,Blloku Indipendent, të prirur nga Vatra me Diellin –nga njëra anë, dhe përkrahësit e sistemit nga ana tjetër-me Organizatën Shqipëria e Lirë + Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara,- me gazetën”Liria”, nacionalizmi qëndroi, Vatra nuk ra, kështjella falso e Shqipërisë së Lirë- u rrëzua. Por Vatra ia arriti që të mbahej gjallë nga atdhetarët nacionalistë. Kombi, për Vatrën, mbetet detyrë mbi gjithçka.
Pas shembjes të sistemit komunist Vatra, shpresoi se demokracia do të ishte reale në Shqipëri, por nuk rreshti së kërkuari dënimin e krimeve të komunizmit, dekomunistizimin e shoqërisë, integrimin e ish të përndjekurëve politikë, kthimin e pronave tek pronarët e vërtetë, luftën pa kompromis kundër korrupsionit etj.
Viti i 100 vjetorit të themelimit ia shtoi fuqitë Vatrës. Degët e reja që u ngritën në Washington D.C dhe Michigan, ishin shenja premtuse të kthesës drejt rritjes numerike të saj dhe rritjes cilësore.Festimi madhështor me më shumë se 1000 pjesmarrës, nxori në pah fuqinë në rritje të Vatrës. Më pas lindën degët e reja si në Jacksonville në Florida, Hudson Valley, South Florida, Queens, dhe në prag të Kuvendit, habia ishte dega e S Westchester që u përfaqësua me një grupim të vogël në “promovimin e ditëlindjes” së saj me shampanjë dhe një kek, ku ishte shkruar emri”dega e South Westchester”. Para Kuvendit u paraqit një listë me shumë emra, por as sot nuk janë depozituar fletët e regjstrimit dhe pagesat për shumicën e anëtarëve të pretenduar. Çuditërisht dega nuk u ndje mirë me emrin e pagëzimit , një ditë prej ditësh ndërroi edhe emër dhe vendosi që të krijonte struktura më vete.Madje dhe të registrohej si e atillë.
Një nga thashethemet që po shpërndajnë disa nga ideatorët e saj është se” Federata Vatra na qenka e paligjshme! “ Shih kur të na mohojnë ndonjë ditë se nuk kanë egzistuar as themeluesit e Vatrës, të na mohojnë edhe Nolin e Konicën! Çfarë nuk pritet!
Historia e Vatrës është publike dhe e njohur në Shtetin Amerikan së paku këtu e 102 vite të shkuara. Për ata që nuk e dinë, po e shfletojmë: Vatra me atë emër simbolik aq kuptimplotë për shqiptarët, që ka për Kumbarë Faik Konicën, Fan Nolin, Kristo Floqin dhe Paskal Aleksin së bashku me delegatët e shoqërive- Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska,- që u bënë themeli i Federatës, arriti që të realizoi bashkimin e shqiptarëve të Amerikës. Fara e bashkimit ishte hedhë qysh me Albanian e Konicës, vazhdoi (më 9 tetor 1909 erdhi Konica si editor ) me Diellin dhe u konkretizua në pragun e Pvarësisë së Shqipërisë me themelimin e Federatës. Mëma e Vatrës ishte shoqëria më e fuqishme e asaj kohe, që kishte dhe gazetën më të zëshme” Diellin”- shoqëria Besa-Besën. Editori i atëhershëm i Diellit Kristo Floqi u bë inisiator dhe Chairman i takimit të parë të 24 Dhjetorit 1911. Vendtakimi ishte në 724 Washington Street, ku u bisedua me hollësi për bashkimin e shoqatave.Kjo mbledhje, me propozimin e Marko Adams, konfirmoi komisionin katërsh, Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi. Komisioni u mblodh me 13 shkurt 1912 dhe zgjodhi si sekretar të vet Atë Fan S Noli. Në Thirrjen që hartoi komisioni binte në sy qartësia çfarë synohej për të krijuar një bashkësi që t’i përgjigjej kohës së shqetësuar që kalonte Kombi. Mbledhja e dytë u caktua me 3 mars 1912, takimi tjetër me 17 Mars, ku Komisioni i Bashkimit u takua me Delegatët e dërguar nga Shoqatat, të cilët do të trasonin rrugën e vështirë për të arritur bashkimin. Delegatët ishin: Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska. Takimi i 24 Marsit ishte më i frytshëm, aty u arrit dakordësia edhe për gazetën Dielli, e cila do të ishte gazeta e Shoqatës që lindëte prej bashkimit. Po aty u caktuan Faik Konitza dhe Kristo Floqi, që të gjenin një avokat amerikan dhe ata të ishin përgjegjës për Kanunoren e përkohshme.
Takimi tjetër, ku do të miratohej edhe Kanunorja e përkohshme u la që të organizohej me 31 Mars. Komisioni dhe delegatët u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit në adresën: 227 Tremont Street, Boston Mass. Në atë takim u bë pagëzimi i Shoqatës së bashkur me emrin e shumëpëlqyer”Vatra”. U përdor termi”Federatë” me qëllim që të mos kishte qejfmbetje nga kryetarët e shoqatave bashkuese.
Miratimi i Kanunores u la për takimin e 9 prillit. Komisioni i bashkimit dhe delegatët u mblodhën në Kishën Shën Gjergji nën drejtimin e Fan S Noli.Ky takim u mor me Kanunoren; fillimisht u lexua Kanunorja në anglisht , më pas edhe në shqip. Leximi u përsërit nyje për nyje, madje disa herë. Pas shumë bisedimeve u votua një pjesë e kanunores, e cila përmblidhte fillimin, qëndrimin e qëllimin e Federatës VATRA, si dhe detyrat e Komisionit Qendror, i cili do të formohej nga një sekretar i përgjithshëm, një arkëtar i përgjithshëm dhe kontrollorët, gjithsej 5 vetë. Nuk u përfunduan diskutimet gjatë atij takimi që zgjati deri në 10 të natës, kështu që u la të vazhdohej me14 prill. Është interesant fakti i mungesës të dy personave në këtë takim; editori i Diellit, Kristo Floqi,nuk kishte arritur të mbërrinte në kohë nga që vazhdonte të kërkonte të holla për Diellin nëpër koloni, ndërsa dr. Kost Kotta, qëlloi që atë ditë i duhej të ishte në çeljen e shkollës shqipe në Southbridge (jemi në vitin 1912!).
Mbledhja arriti që ta votonte të gjithë Kanunoren dhe u dhanë porosi për takimin tjetër që do të mbahej me 28 prill 1912 në Kishën e Shën Gjergjit.
Vjen kështu dita historike e 28 prillit 1912, ku Komisioni i bashkimit dhe delegatët deklaruan:” E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”,” Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”. U zgjodh komisioni i përkohshëm për drejtimin e Federatës: Sekretar At Fan Noli, arkëtar- Lambi Çikozi, Manager i Diellit- Kristo Kirka. Organizator të degëve Faik Konitza, Kristo Floqi. Mbikqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil. U la për detyrë që më 12 Maj të niste organizimi i degëve.
Në Klaendarin e Vatrës përshkruhen ditëlindjet e degëve, me 12 Maj lindi dega e parë e Vatrës. Detyrën për organizimin e kësaj dege e kishte At Fan Noli. Ishin të pranishëm dhe folën edhe Faik Konica e Kristo Floqi. Kryetar i degës së parë u zgjodh Kristo Kirka.Pleqësia e degës përbëhej nga Kristo Aristidi-arkëtar,Ilia Zografi-sekretar, anëtarë-pleq; Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar. Të dielën pasuse, me 19 maj u organizua dega nr. 8 në South Framingham-Milford, Mass, me kryetar Kristo Kosta –Gjyrezi, po atë ditë u organizua edhe dega në Brockton Mass, si dhe dega nr 5 në Worcester, me 26 maj u themelua dega nr. 2 në Lynn, Mass, dega nr. 9 në Hudson-Marlboro, Mass, me 2 qershor lindi dega nr. 4, Manchester, N. H, dega në Tauton, Mass, me 9 qershor u themelua dega Nr. 13 në Lonsdale, R.I, dega nr. 12 në Natick, me 16 qershor lindi dega nr. 7 Biddeford-Saco. Po atë ditë u krijua dega në Cochituate, Mass, , po atë ditë u themelua edhe dega nr. 10 në Southbridge, Mass. Vazhdoi krijimi i degëve me ritme të shpejta. Shqiptarët e prisnin si një sihariq të gëzuar krijimin e çdo dege dhe mezi i prisnin organizatorët. Gati në çdo javë krijoheshin dy ose më shuëm degë.Në kalendarin e Vatrës janë shënuar ditëlindjet e 65 degëve edhe pse numri i tyre më pas iu afrua 80-tës.
VATRA u njoh zyrtarisht prej Shtetit të Massachusetts dhe mori diplomën e saj(Charter), të shënuar prej zotit Albert P. Langtry, sekretarit të Shtetit. Emrat e atyre që bënë aplikatën për njohje dhe që janë shkruar në diplomë, janë Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Çere, Kosta Kotta.
Vatra dhe Dielli kanë kaluar çaste të vështira nga që dhe jetgjatësia e tyre ka shkaktuar zili e lakmi. Kur nuk e kanë bërë për vete Vatrën, janë përpjekur që ta përçajnë.Siç shkruante ish editori i Diellit dhe sekretari i Vatërs për vitet 1958-59, i ndjeri Peter R. Prifti, misteri i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit, ka disa arsye. Arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronin as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.Vatra, do të jetë jetëgjatë sepse “Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.”
Pune te mbare edhe per shume e shume vite!