

Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” mbështet dhe fton të gjithë shqiptarët e Amerikës që të marrin pjesë në Koncertin Gala të tenorit shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj dhe sopranos së shquar të kombit tonë Dëshira Ahmeti Krliu. Koncerti Gala zhvillohet në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të New York-ut, më 12 Prill në orën 7.30 pm në teatrin e Shën Gjergjit në Staten Island, New York. Për të folur rreth koncertit madhështor në New York, artistja e dashur dhe e çmuar e shqiptarëve të Amerikës soprano Dëshira Ahmeti Krliu e shoqëruar nga z.Qemal e Kozeta Zylo themeluesit e televizionit dhe shkollës shqipe “Alba Life” -Ambasador i Kombit, zhvilloi një vizitë të përzemërt në Selinë Qendrore të Vatrës ku u prit nga Sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, z.Ilir Cubi anëtar i kryesisë, vatrani Bashkim Shehu dhe Editori i Diellit. “Jeni frymëzim dhe inspirim për komunitetin tonë. Vatra do jetë një mbështetje e madhe për këtë aktivitet të jashtëzakonshëm kulturor e artistik” tha ndër të tjera Dr.Camaj. “Është hera e dytë që vij në Vatër. Faleminderit nga zemra Vatrës për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen. Herën e parë kam qenë me Inva Mulën. Në këtë koncert ne do ti dhurojmë komunitetit tonë një mbrëmje artistike fantastike. Rikthimi në skenë me Ramë Lahaj do të kthehet në një traditë artistike në të ardhmen. Në Koncertin Gala do të interpretohen veprat shqiptare më të shquara në repertor por dhe kryevepra të muzikës së huaj. Si artistë dhe si komunitet duhet me patjetër që të edukojmë brezin e ri me patriotizëm dhe atdhedashuri” tha ndër të tjera soprano e mirënjohur Dëshira Ahmeti Krliu. Në fjalën e saj në Vatër, soprano Ahmeti Krliu ekspozoi koncertet dhe kontributin kombëtar në karrierën e saj të gjatë artistike, bashkëpunimin me Inva Mulën, periudhën studentore si nxënëse e Nina Mulës, kontributin kulturor në mërgatën shqiptare në Amerikë duke marrë pjesë në të gjitha ngjarjet komunitare e kombëtare të komunitetit shqiptar. z.Qemal Zylo në fjalën e tij renditi cilësitë artistike të sopranos Dëshira Ahmeti Krliu dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer të artistes me shkollën shqipe “Alba Life”. “Vatra është udhërrëfyesi i Kombit dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” tha z.Zylo. Edhe z.Ilir Cubi e z.Bashkim Shehu vlerësuan artisten dhe kontributin e saj të çmuar në emancipimin dhe zhvillimin kulturor e artistik të mërgatës sonë.
Për të gjithë të interesuarit, linku për biletat gjendet më poshtë: