
Shkruan: Valentin Lumaj*/
“Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr”. (Faik Domenik Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391)./
Sigurisht, Konica shprehej kështu për zjarrin në vatrën e shtëpisë së shqiptarit si mjet të shenjtë jetese. Por si në çdo vatër edhe në Vatrën tonë Pan-Shqiptare, egziston një zjarr, pa të cilin fjala Vatër nuk do të kishte kuptim. Por cili zjarr po djeg më shumë në Vatrën tonë të përbashkët, zjarri i ndokujt si mjet jetese, zjarri çakmakëve që po nuk u shua të djeg gjithë shtëpinë, apo zjarri i atdhedashurisë që na ngroh zemrat dhe na mbledh të gjithëve përreth si një familje e madhe.
Secili në Vatër t’a bëjë diferencën dhe të pyes veten se cilit zjarr po i fryn.
Patriotizmi dhe nacionalizmi ishin “ashket” që ushqyen këtë zjarr qysh nga shkëndija e parë. Këto ndjenja tëzjarrta të atdhedashurisë bashkuan shqiptarët rreth Vatrës. Prandaj, si dikur, ashtu edhe sot, ajo çfarë i bashkoi, duhet dhe t’i mbajë bashkë shqiptarët e Amerikës.
Vatra është krijuar dhe egziston si nevojë kombëtare, jo si luftë për pushtet. I vetmi pushtet dhe forcë e Vatrës është uniteti. Të gjithë duhet t’a kuptojmë se Vatra nuk funksionon ndryshe. Etërit e Vatrës, Noli dhe Konica, kishin kundërshti jo te vogla në mes tyre, por në drejtimin e Vatrës treguan klas.
Vatra është një asset i çmuar kombëtar, aq i çmuar sa ç’është Flamuri apo Pavarësia. Vatra nuk është dhe nuk duhet te konsiderohet nga askush shtojcë e ndonjë qeverie, partie, kompani biznesi, për të bërëkarrierë apo si trampoline. Sigurisht që mund të ketë ndonjë që mendon se në Vatër mund të marrë pak vlerëapo të bëjë pak emër. E kundërta duhet te ndodhi; kushdo që aderon ne Vatër, sidomos ata që kanë ambicje për të qenë në krye të saj, në qendër apo degë, duhet që me personin e vet, t’ja shtojnë vlerën Vatrës. Kështu ka qenë, kshtu duhet të jetë.
Vatra nuk është personifikim i një individi. Mendoni Vatrën me një njeri… një vetmi e madhe. Vatra nënkupton bashkim, bashkëpunim, mirkuptim dhe paqe. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u arritur, nëqoftë se tek njeri-tjetri ne shohim anët positive dhe jo negative. Duhet që të na bashkojë e mira ndër ne dhe jo të kërkojmë të keqen ku të jetë e ku mos të jetë që të na ndajë. Në këtë tregim metaforik më poshtë, një nënëkishte dy djem, njërin bojaxhi dhe tjetri shiste çadra. Nëna e shkretë kurre nuk kishte gëzim; kur binte shi ankohej, “e mjera unë se me mbeti bojaxhiu pa punë”, kur kishte diell: “e mjera unë se çadraxhiu nuk shet çadra”. Normalisht po ta shikonte nëna nga një këndvështrim ndryshe, do të gëzohej si për shi edhe për diell. Prandaj, edhe ne e zgjedhim vetë të jemi pozitivë apo negativë, të vlerësojmë apo të paragjykojmë, të shohim te mirën apo të keqen tek njëri-tjetri.
Po marr si shembull Vatrën e viteve te fundit. Dr. Gjon Buçaj, një njeri i ndershëm, patriot dhe figurë respektuar në Diasporë, e drejtoi për 8 vite Vatrën, e cila pati rritje dhe aktivitete të shumta në shërbim të kombit. Po ashtu, z. Dritan Mishto, një djalë i shkëlqyer, intelektual dhe aktivist me eksperienca pozitive të gjithanshme, drejtoi Vatrën në dy vitet e fundit, e cila po ashtu njohu vetëm suksese. Do të ishte e ndershme për ne që t’ua vlerësojmë dhe t’i falenderojmë shumë për punën e vyer vullnetare që kanë bërë. Po a patën të dy ndonjë gabim, patjetër që patën, që sidoqoftë është njerëzore. Aty ku punohet edhe gabohet. Asnjë nga ne nuk është perfekt apo hyjnor. Rëndësi ka që Vatra ka ecur përpara.
Rigjallërimi dhe ringritja e Vatrës në vitet e fundit erdhi me përhapje të gjerë të degëve Amerikë dhe Kanada. Shtimi i degëve dhe i anëtarësisë solli për rrjellojë edhe shtimin e mendësive, ambicjeve the lakmive tëndryshme, gjë që në prizmin demokratik është normale. Konkurenca dhe debati i brendshëm është i nevojshëm dhe i shëndetshëm. Anormalja fillon nëse dikush vjen me axhenda te tjera, jashte moralit original të Vatrës, jashtë etikës apo kur konfliktet dhe inatet personale infektojnë grupin dhe kthehen në probleme kolektive.
Harxhohen shumë energji në drejtime të gabuara dhe çështje të vogla. Duam të gjejmë gjipërën në kashtë, bërtasim ujku, ujku, ndërsa në Shqipëri çakejtë bëjnë kërdinë. Detyra jonë si Vatranë është, që vetem në kohë zgjedhjesh të shpallim idetë, kritikat dhe ambicjet tona, të garojmë ndershmërisht, me kulturë dhe paqësisht të presim rezultatin. Pas zgjedhjeve të gjithë duhet që t’i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit, t’i bashkojmë rradhët rreth kryetarit dhe kryesisë së re, që për dy vitet në vazhdim, t’ua bëjmë rrugën të lehtë e të mbarë në shërbim të kombit.
Diaspora dhe atdheu kanë shumë çështje ku ne duhet që t’i përqëndrojmë energjitë tona:
-Degradimi i ekonomisë dhe i të drejtave të njeriut në Shqipëri, kriminalizimi i tejskajshëm i mënyrës sëjetesës, korrupsioni që ka kapur çdo segment të administratës shtetërore, emigrimi dhe dëshira në masë e shqiptarëve për t’a braktisur atdheun përgjithmonë apo siç thirret ndryshe vrasja e shpresës.
-Mbështetja ndaj shtetarëve të Kosovës për të mos lejuar ndarjen e saj, mbështetja në fazat e saj integruese nëBE apo bashkimi kombëtar me Shqipërinë.
-Përfshirja në program e një plani, platforme apo rregulli të veçantë per hapjen e shkollave shqipe në të gjitha degët saj. Forcimi ekonomik i shqiptarëve në Diasporë, po të gërshetohet me një vullnet te mirë të Kryesive të degëve, do t’a mundësonte plotësisht hapjen e klasave të gjuhës shqipe.
-Rritja e anëtarësisë me anë të thithjes së rinisë studentore, dhe elementit të ri. Rinia gjithmonë sjell frymë të re, që nganjëherë është vështirë të adoptohet. Sidoqoftë gërshetimi i elementit të ri me përkrahjen e veteranëve, mirënjohja dhë respekti ndaj “të vjetërve” do t’a çonte Vatrën në një standart të ri zhvillimi dhe emancipimi.
-Hartimi i një strategjie, që Vatra te jetë përfaqësuësja dinjitoze, legjitime dhe e vetme, jashtë çdo dallimi krahinor, fetar apo politik, (përpos ideologjive nazi-fashiste apo komuniste) për të gjithë shqiptarët e Amerikës së Veriut. Egzistojnë dhjetra grupime dhe shoqata atdhetare, krahinore, fetare, kulturore, intelektuale etj., tëcilat veprojnë veçmas ne Amerikë. Ky numër kaq i madh reflekton dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u organizuar, për të vepruar, për të bërë diçka të mirë. Duhet të përshëndeten shqiptarët për këto organizime dhe normalisht edhe një vepër e vogël në shërbim të komunitetit apo atdheut është një vepër e mirë. Por një vepër e madhe është edhe më e mirë. Veprat e mëdhaja kërkojnë njerëz mendjendritur dhe vizionarë, kërkojnëbashkim. A është komuniteti shqiptar në Amerikë i bashkuar. Unë mendoj se jo. Shumica e festave apo traditave të nivelit kombëtar organizohen veçmas.
Për shembull, festa e Flamurit muajin që shkoi u festua bujshëm në New York, Michigan e gjetkë, por të ndarë në grupime e “principata”. A nuk është ky Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili bashkoi principatat 575 vite më parë?! Një festë e Flamurit e përbashkët, padyshim do të ishte një vepër më e mirë, do të tregonte forcë dhe unitet.
E mora këtë shembull për të shpjeguar sa i nevojshëm është bashkimi i shqiptarëve në Diasporë. Nevoja për një njësim të Diasporës është më ë madhe se kurrë. Situatat e reja gjeostrategjike që po kalojnë shqiptarët në tokën amë në ballkan kërkojnë këtë bashkim. Vatra mund dhe duhet që t’a kryej këtë rol, më e vjetra, më e mira dhe me një histori të lavdishme.
Vatra ka hijen e rándë tē Nanës së Madhe. Shqiptarët e Amerikës duhet të unifikohen me Vatrën.
Valentin Lumaj
Michigan më 13 Dhjetor 2019.(Autori eshte anetar i Keshillit te Vatres)