



Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Michigan dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan bashkuan shqiptarët në Detroit për të festuar ditën e Flamurit Kombëtar dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Një organizim i shkëlqyer patriotik që bashkoi personalitete shqiptare në Michigan, aktivistë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare për të nderuar ditën më historike të shtetit modern shqiptar, Pavarësinë.
Darka e Flamurit që u mbajt dje më 30 nëntor 2024 në Sallën e Madhe të Teqes Bektashiane Shqiptare në Michigan u hap me bekimin e Babait të Teqesë, kleriku Eliton Pashaj i cili theksoi se detyra e të gjithë prindërve është që të përcjellin më së miri tek fëmijët e tyre dashurinë për Shqipërinë dhe flamurin kombëtar. Në lutjen e rastit Baba Pashaj kërkoi ndihmën e Zotit: O Zot, shtona e mos na pakëso! Jepna nder e mos na poshtëro! Jepna e mos na privo! Jepna përparësi e mos i jep përparësi tjetërkujt mbi ne! Jepna gëzim dhe gëzohu nga ne! Zoti i madh bekoje Shqipërinë dhe shqiptarët. Ruaje mërgatën tonë kudo që janë. Kërkoj mbrojtjen e dritës tende bujare, që ndriçoi qiejt dhe tokën, që largoi errësirat dhe rregullon çdo gjë. Ndriçoje dhe përmirësoje gjendjen e kombit tonë të dashur. Bëje atdheun tonë Shqipërinë shpresë për ata që janë aty dhe krenari për ne në mërgim. O Zot bashkoji zemrat tona rreth vatrës së madhe shqiptare, që të gjithë si bijë e bija të një gjaku të festojmë kudo që jemi. O Zot të falënderojmë për të gjitha mirësitë që na bërë si shqiptar të të lavdërojmë ty shqipe. Zot bekoje, token, ujin dhe bukën e Amerikës që është atdhe i dytë për të gjithë ne” përfundoi lutjen e tij Baba Pashaj.
Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra z. Alfons Grishaj, personalitet i shquar atdhetar e kontributor i madh i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës mbajti fjalën kryesore teksa foli për rëndësinë e kësaj dite historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe u ndal te detyra kombëtare që Federata Vatra mbartë mbi supe në shërbim të atdheut dhe shqiptarizmës në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftuar special i darkës ishte Myftiu i Korçës. z. Ledion Cikalleshi i cili u mahnit nga ky organizim patriotik që bën krenar të gjithë diasporën shqiptare në Amerikë. Miq dhe të ftuar nga komunitete fetare, shoqeria civile dhe pushteti lokal në Michigan shënuan një sukses komunitar në nder të Flamurit Kombëtar, Pavarësisë së Shqipërisë, nderimit dhe vlerësimit të përpjekjeve të pandërprera të shqiptarëve për liri, pavarësi, zhvillim e përparim kombëtar.