Vatra kishte përzgjedhur disa nga figurat e saj të njohura për t’i nderuar në këtë përvjetor të 106-të të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe disa prej organizatave të komunitetit, që janë dalluar për qëndrime dinjitoze në prezantimin e çështjes kombëtare në SHBA.
Kush ishin ata?
Grupi i parë i nderuarëve me mirënjohje ishin të përzgjedhur vatranë që kanë më shumë se 50 vite anëtarësi të shkëlqyer në Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe që janë dalluar edhe si qytetarë shembullorë amerikanë.
I pari ishte përzgjedhur një vatarn i kahershëm i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1968. Ai është bir i një familje të ndruar nacionaliste mirditore, familje antikomuniste, anëtar i degës së Vatrës në Michigan, Kujtim Qafa, i cili edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetsore kishte kishte sakrifikuar, duke udhëtuar 13 orë me makinë për të qenë në këtë manifestim të Vatrës.Mesazhi i Kujtimit ishte i qartë: Të jemi të bashkuar, të mbështesim kryetarin e Vatrës dhe ekipin e tij dhe ta mbajmë Vatrën në lartësinë e kohës. Unë tha ai, jam republikan me bindje, kam votuar gjithmonë për republikanët,por kur shkoi në Shtëpinë e Bradhë demokrati Obama, e mbështeta atë si shumica e amerikanëve sepse shumica e amerikanëve votuan për të. Kështu edhe në Vatër,mandatin në Kuvend e ka fituar kryetari Mishto.Le ta mbështesim atë dhe të shkojmë përpara….
Lista e të nderuarëve ishte e gjatë: vatrani i kahershëm Lumo Cungu, u nderua me të njëjtën motiv-50 vjet në Vatër dhe u shpall vatran i përjetshëm. Me të njëjtin motivacion, por pas vdekjes, u nderua Mustafë Elezi. Më pas Ndrecë Gjergji, me zë të dridhur nga emocioni falenderoi Vatrën për nderimin, duke e shpallë vatran të përjetshëm. Po në këtë grup ishte dhe një tjetër vatran, Vasel Ujkaj prej Michigani-edhe ai- vatran i përjetshëm.Mirënjohja iu dorëzua kryetarit Mondi Rakaj.
Tek të nderuarit e mbrëmjes ishin përfshirë edhe tre anëtarë të kryesisë së Vatrës; sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, arkëtari i Vatrës-Marjan Cubi dhe kryetari i degës së Queensit Dr. Skënder Murtezani. Nga Këshilli i Vatrës ishin përzgjedhur për t’u nderuar Uk Gjonbalaj dhe Ahmet Hoti.
Nga komuniteti,Vatra kishte veçuar për të nderuar me mirënjohje,Televizionin Kultura Shqiptare, Adem Belliu, Shoqatën Rugova, Këshillin Shqiptaro-Amerikan me president artistin Haxhi Dauti dhe Shoqatën Albanian American Open Hand Association me president Aleksandër Nilaj.
Ndër individët e nderuar ishin përzgjedhur: Marash Mrnaçaj, i cili në krye të familjes antikomuniste arriti të arratisej nga Shqipëria, bashkë me pleq, fëmijë e bagëti, dhe gjatë të gjithë jetës, së bashku me familjen e madhe Mrnaçaj,u shqua në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare, ndërkohë që i biri i tij, Nika, u përjetësua si martir i Demokracisë. Në emër të Marashit, Mirënjohjen e mori, vëllai i tij, Pjetër Mrnaçaj, i cili me fjalë zemre falenderoi Vatrën dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës ta mbështesin Vatrën dhe të bëhen pjesë e festave të tilla.
Pëllumb Lamaj ishte përzgjedhur prej Vatrës për qëndresën e tij antikomuniste në burgjet e diktaturës komuniste, për veprimtarinë e tij në mbështetje të çështjes Kombëtare, si një zë i fortë kundër ringjalljes së komunizmit dhe denocues i krimeve të diktaturës e promovues i figurave nacionaliste.
Falenderimin e tij Pëllumb Lamaj e bëri përmes një fjale të shkurtër dhe interpretimit të një poezie e shkruar prej tij.
Gjeto Ivezaj ishte një ndër të nderuarit me Mirënjohje prej Vatrës si intelektual dhe veprimtar i dalluar për çështjen kombëtare. I veçantë për mbështetje të Vatrës, për suportin e artistëve shqiptar dhe promovues i kulturës Kombëtare në SHBA, ishte përzgjedhur Demë Balidemaj.
Imzot Noli, Ati i Kishës Autoqefale Orthodokse në SHBA dhe bashkëthemeluesi i Vatrës, thoshte se Vatrën e mbanë gjallë anëtarësia e thjeshtë, ata që japin gjithçka për Vatrën. Katër nga të thjeshtët e zgjedhur për t’u nderuar nga Vatra ishin: Ilir Spata, Naim Gjeleshi, Arif Mata dhe Shpëtim Ndreu.
Ndër zonjat e nderuara nga Vatra gjatë mbrëmjes, e cila u duartrokit gjatë, ishte ,bashkshortja e anëtarit të Këshillit të Vatrës Valentin Lumaj, veprimtar i njohur për fe e Atdhe, – nëna shembullore e pesë fëmijëve, mësuesja e dalluar, zonja Merushe Lumaj.
Janë befasuar përfaqësuesit e familjes Drishti, kur kryetari i Vatrës Dritan Mishto, ka shqiptuar emrin e prindërve të tyre, Bahri e Zylfie Drishti, të cilët rritën fëmijë shembullorë, u lanë trashëgim gjuhën e bukur shqipe dhe kulturën kombëtare. Ishte veçuar për t’u nderuar nëna e tyre e mirë, Zylfie Drishti, e lindur në Tropojë, e shkolluar në Kosovë. Bijtë e Zylfies dhe Bahrisë, oficerët e policisë, Eddi dhe Arbeni, mbetën pa fjalë tek falenderuan Vatrën. Eddi ka folur shqip dhe ka përcjellë mesazhin: Bashkathdetarë, i sillni fëmijët dhe nipërit tuaj në këto festa të shkëlqyera të Vatrës nëse nuk doni që ta humbni identitetin kombëtar.Faleminderit Vatrës!( Mirënjohjet u dhanë gjatë darkës së Flamurit.
- Fotot i gjeni ne Facebook dielli vatra. Më gjërësisht shihni Diellin e printuar Faqe 22-23