Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra mori pjesë në përkujtimin dhe festimet në nder të 110 vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe. Me 6 Prill 1911 malësorët e Malësisë së Mbishkodrës me në krye plakun trim dhe atdhetar Dedë Gjon Lulin, vendosën Flamurin Shqiptar kuq e zi në Bratilë në afërsi të majës së Deçiqit. Kjo ngjarje frymëzoi jo vetëm malësorët por të gjithë shqiptarët, pasi ngritja e flamurit inspiroi popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës shekullore të kërkuar me ngulm, atë të lirisë. Prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset e tjera jashtë Malësisë së Madhe me ngritjen e flamurit treguan se kishin qëllime të qarta për një Shqipëri të lirë dhe autonome. Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1911 u mbështet gjërësisht nga Malësorët e Malësisë së Mbishkodrës por nuk munguan përforcimet edhe nga shqiptarë nga Vilajete të tjera. Kryengritja e Malësisë së Madhe kulmin e saj e arriti më 23 qershor me Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në organizimin e shkëlqyer nga shoqata Malësia e Madhe në New York me kryetar Nikoll Junçaj, morën pjesë patriotë shqiptarë nga Malësia e vise të tjera shqiptare dhe nga diaspora e Amerikës e më gjërë si dhe Këshilltari i Bashkisë së New Yorkut Mark Gjonaj, Famullitari i Zojës së Shkodrës Dom Pjetër Popaj, Ambasadori i Kosovës në Uashington Valdet Sadiku e shumë personalitete të tjera shqiptare që e bënë këtë mbrëmje të paharruar. Dr. Pashko Camaj si i deleguari i Vatrës përshëndeti të pranishmit dhe organizatorët duke sjellur edhe një herë në kujtesë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka në historinë e Shqipërisë kryengritja e Malësisë së Madhe. Kryengritja e vitit 1911 shënoi një hap shumë të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare. Dr. Pashko Camaj si nënkryetar i Vatrës apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave shqiptare në Amerikë dhe bashkim forcash e energjisë për të punuar e qenë bashkë kurdoherë në dobi të çështjes kombëtare. Mesazhi i trimave të kryegritjes së Malësisë është i fortë dhe aktual edhe sot. Bashkimi bën fuqinë, atdheu dhe liria mbi gjithçka janë edhe sot frymëzuese për të gjithë ne tha Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj. Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë të cilën plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali e shpalli me 28 nëntor 1912.