DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA PËR GREVËN E ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po e ndjek me shqetësimt të madh grevën e të Përndjekurve politikë të Shqipërisë.
Vatrën e shqetëson së tepërmi rrezikimi i jetës së të ngujuarëve, mosreagimi i Qeverisë dy javë pasi të përndjekurit kanë hyrë në Grevën e urisë, heshtja e opinionit qytetar, veçanërisht e shoqërisë civile, madje edhe të organizatave jo qeveritare që kanë prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve (përfshi dhe institucionin e Avokatit të Popullit), mos fokusimi i medias në kërkesat dhe rrezikimin e jetës së kësaj shtrese të përvujtur në diktaturë, të paintegruar dhe të nëpërkëmbur nga politika në më shumë se dy dekada.
Një vend që synon të shkojë në Europë, nuk duhet të heshtë përballë kërkesave të drejta të të përndjekurve politikë.
Në një kohë kur në mitingjet qeveritare shfaqen portretet e diktatorit Enver Hoxha, kërkesa e të ngujuarëve për dënimin e tij si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare, që sundoi vendin për 46 vite dhe heqjen e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste, është jo vetëm kërkesë e drejtë por tepër e vonuar.
Politika shqiptare ka zvarritur dhe ka futur në “kalendrat greke”, dekomunistizimin e shoqërisë dhe nuk ka dënuar krimet e komunizmit, ideatorët dhe ekzekutuesit.
Të përndjekurit e ngujuar po kërkojnë hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
Vatra bashkohet edhe me këtë kërkesë dhe i bënë thirrje Parlamentit të Shqipërisë, forcave politike dhe shoqërisë civile që të hartojnë dhe të miratojnë sa më shpejt ligjin e Lustracionit. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet një herë e mirë nga krimet e komunizmit dhe të dënojë kriminelët dhe fajtorët.
Po ashtu Vatra përsërit kërkesën e saj që në emërimet dhe shkarkimet në administratë, të hiqet dorë një herë e mirë nga militantizmi dhe si në të gjithë botën e qytetëruar të aplikohen kriteret profesionale dhe konkurimi. Moskthimi në punë i të pushuarëve që kanë fituar me vendim gjykate, çon në injorimin dhe mosfunksionimin e shtetit ligjor.
Përsa i përket kërkesës së të përndjekurve të ngujuar për përfundimin e dëmshpërblimit financiar brenda afateve të caktuara në ligj dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale, është detyrim i qeverisë dhe i shoqërisë shqiptare.
Heshtja që po shoqëron këtë grevë urie përbën rrezikun e ridënimit të kësaj shterese, më e përvujtuara e shoqërisë shqiptare.
Dialogimi i shtetit shqiptar me grevistët përbën detyrim ligjor, heshtja e ridënon përsëdyti këtë shtresë. A nuk mjafton fakti që të ngujuarit kanë mbi supe 275 vite burg personal apo familjar! Çdo përgojim nuk e zgjidh problemin.
Shoqëria shqiptare nuk mund t’i dënojë me heshtje ish të përndjekurit politikë. Në mënyrë të veçantë Instituti i të Përndjekurëve politikë nuk mund të injorojë kërkesat e bashkvuajtësve.
Një qeveri që aspiron të shkojë në Europë, nuk mund të dënojë me indiferentizëm qytetarët e saj! Një klasë politike që nuk dialogon nuk mund t’i prijë demokratizmit të shoqërisë.
Vatra i bën thirrje shoqërisë shqiptare që të japë kontributin e saj për zgjidhjen e kërkesave të të ngujuarve dhe të marrë në mbrojtje jetën e tyre.
INDIFERENCA, PO, ËSHTË KRIM NË VETVETE!
New York, 11 Qershor 2014