Sokol Paja/
New York, 13 Nëntor 2022 – Federata Pan shqiptare “VATRA” në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, organizoi promovimin e krijimtarisë letrare në poezi të shkrimtarit Jeton Kelmendi “Një ardhje tjetër” dhe anëtares së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë Bora Balaj me romanin e saj “Heshtja”. Nën prezantimin e kryetarit të shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Mëhill Velaj, Vatra tregoi edhe një herë lidership të padiskutueshëm në organizimin e ngjarjeve kulturore e patriotike në mërgatën e Amerikës. Mëhill Velaj në fjalën e tij u ndal te veprimtaria e Jeton Kelmendit si poet, shkrimtar e analist dhe çmimet kombëtare e ndërkombëtare të fituara prej tij. Z. Velaj u ndal dhe te kontributi i Bora Balaj në letërsi dhe etnokulturë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti aktivitetin në emër të Federatës Vatra dhe theksoi se romani i Bora Balaj tregon krimet serbe në Kosovë, një të vërtetë historike që duhet përkthyer në gjuhën angleze. Presidenti i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Adnan Mehmeti ekspozoi para të pranishmëve punën krijuese të autorëve Balaj e Kelmendi dhe aktivitetet e shoqatës në përmbyllje të vitit kalendarik. Kritiku letrar Pal Ndrecaj në fjalën e tij tha se libri i Bora Balaj është një rrëfim historik, një rrëfim për luftën, një përjetim personal për një ngjarje kolektive. Autori Jeton Kelmendi në fjalën e tij tha se romani “Heshtja” i Bora Balaj në vetvete është përshkrimi i një drame të tmerrshme për shqiptarët në Kosovë. Personazhi i librit nuk është fajtore, është heroinë. Merita e romanit qëndron te “ngritja e vetëdijes se e keqja duhet denoncuar dhe bërë publike” tha z.Kelmendi. Regjizori Astrit Tota vlerësoi Bora Balajn për librin, punën e saj në kostumografi dhe krijimet e Jeton Kelmendit. Jeton Këlmendi rrëfeu prozën, poezinë, lirikën, krijimtarinë letrare shqiptare në trojet shqipfolëse dhe vështirësitë e përkthimit në gjuhë të huaj të letërsisë shqiptare. “Ne duhet të krijojmë, dokumentojnë e përkthejmë në gjuhë të huaj. Roli i shqiptarëve në Ballkan po rritet gjithnjë e më shumë” nënvizoi shkrimtari Kelmendi. Profesor i letërsisë Bill Wolak vlerësoi shpirtin kozmopolit të krijuesit Jeton Këlmendi dhe specifikën e krijimtarisë së tij rreth luftës si pjesëmarrës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shkrimtarja Bora Balaj në fjalën e saj ekspozoi për gjithë të pranishmit vështirësitë dhe emocionet në shkrimin e librit për dramën e femrës shqiptare në Kosovë. Në përfundim të promovimit edhe Profesor Bexhet Asani foli rreth rëndësisë së jashtëzakonshme të krijimtarisë së Jeton Kelmendit dhe Bora Balaj. Në përfundim të aktivitetit, u shtrua një koktejl për të gjithë të pranishmit nga shkrimtarja Bora Balaj.