Sokol Paja
New York më 19 Shtator 2021- Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u promovua libri “Lideri nuk lind…bëhet” i studiueses Iris Halili. Gazetarë, studiues, mësues, intelektualë, patriotë, vatranë e shumë miq u bënë pjesë e festës së librit. Nën prezantimin brilant të gazetares Marjana Bulku, libri “Lideri nuk lind…bëhet” i përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al” ngjalli shumë interes dhe kureshtje për pjesëmarrësit. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi uroi mirëseardhjen dhe përshëndeti takimin, në diskutimin e tij u ndal te rëndësia e liderit në diplomaci, shoqëri, shtetndërtim dhe familje.
Frank Shkreli gazetar dhe drejtues i Zerit të Amerikës, në kumtesën e mbajtur me këtë rast të lexuar nga Marjana Bulku ka deklaruar se: “U garantoj se në qoftë se dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza, opinione e thënje nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili, “toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha. Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar, siç është Nënë Tereza. (Autorja shpjegon gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe “udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj ). Por është një libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë liderët”. Libri ka një mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare – mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811 se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, (“Every nation has the government it deserves.”) Secili komb ka qeverinë që meriton” thuhet në kumtesën e z.Shkreli. Dr. Albert Gjoka, themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al nëpërmjet mesazhit të dërguar në promovim ka shkruar se libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar. Liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tone” citohet në kumtëzën e z.Gjoka. Autorja Iris Halili në prezantimin e saj u shpreh se Karizma si tipar dallues në lidership veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/ lider historike i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive. Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të. Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm, sipas Iris Halilit. Ky libër ngjalli shumë diskutime nga të pranishmit si Agim Alickaj, Muhamet Omari, Dr. Pashko Camaj etj. Libri i Iris Halilit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës. Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar. Në fund të promovimit u shtrua një koktejl i përgatitur për Vatrën me shumë përzemrësi nga patrioti Tush (Toni) Musaj. Në promovim pjesëmarrësit morën librin me autografe dhe u mblodhën 405 USD të cilat autorja Iris Halili ia dhuroi Federatës Vatra. Pas përfundimit autorja për miqtë e saj të ftuar dhe një përfaqësi nga autoritetet drejtuese të Vatrës shtroi një drekë falenderimi dhe mirënjohjeje.