![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/286451664_1170501837073182_5483629265769532928_n.jpg)
Ambasador Ferit Hoxha/
I nderuar zoti President i Republikës,
I nderuar zoti Kryetar i Vatrës,
Të nderuar vatranë,
Është kënaqësi për mua të jemi së bashku me ju në kremtimin e kësaj dite të shënuar.
Jam i bindur, shumë të tjerë, të cilët ndonëse nuk janë fizikisht këtu, janë të pranishëm me shpirt e me mendje.
Plot 110 vjet me parë, në ndërtesën me numër 227, në rrugën Tremont të Bostonit, atdhetarë përfaqësues të shoqatave të ndryshme emigrantësh shqiptarë u bënë bashkë, në një kishë, në një vend të shenjtë, me një ide e me një synim, po ashtu të shenjtë: për të bashkuar zerin e forcat në mbrojtje të vlerave dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Kështu lindi jo thjesht një shoqatë tjetër, jo thjesht një shoqatë me shumë, por një Federatë, Vatra, Organizata më të madhe përfaqësuese të shqiptarëve të Amerikës.
Fan Noli, Faik Konica e shumë patriotë të tjerë, shumë brezni atdhetarësh meritojnë respektin e përhershëm të të gjithë shqiptarëve në SHBA, në atdhe, e kudo tjetër në botë, për përpjekjet e parreshtuara dhe kontributin e vyer për të ndërtuar dhe forcuar komunitetin, për të formëzuar komunikimin e gjurmëlënien, për ta çuar përpara atë që i bashkonte të gjithë, shqiptarizmën. Kjo është ajo që kremtojmë sot.
Të dashur Vatranë,
Shumëcka ka ndodhur prej asaj kohe. Janë dy luftëra botërore dhe 77 vjet të mbushur me ngjarje të ndryshme, nga ato më traumatiket deri tek me shpresedhënëset.
Perandori kanë perënduar, shtete shumëkombëshe janë zhbërë, vende të reja janë krijuar, shoqëri të tëra janë cliruar. Amerika ka ndryshuar por ia ka dalë të bëhet e të mbetet fuqia e parë botërore, margaritari dhe garant i lirisë individuale;
Shqipëria është trasformuar rrënjësisht dhe komunizmi, nga i cili vuajti për rreth pesë dekada, është tashmë një endërr e keqe e tkurrur në simbolet e qëllimta historike e përkujtimore. Vetëm bunkerët e mbetur na kujtojnë se në atë vend marrëzia ishte dikur e mbrujtur me beton.
Kosova është tashmë shtet i pavarur në kërkim të së ardhmes së barabartë që meriton dhe, sot ne kremtojmë edhe ditën e clirimit nga mizoria serbe e Miloshevicit, përmes qendresës historike të UCK-së dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s.
Shqiptarët në Maqëdoninë e Veriut kanë ditur të gjejnë dhe zënë vendin, të marrin e imponojnë respektin atje duke qenë kontribues të njëmendtë në zhvillimin e vendit të tyre.
Në Malin e Zi, vështirë të ketë symbol më domethenës sesa fakti që një anëtar i komunitetit, pavarësisht nga madhësia, është sot në krye të qeverisë.
E nëse më lejoni të përmend dhe një moment që është pjesë e përditësisë time, aspektin me unik në historinë tonë, Republika e Shqipërisë është sot presidente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Nuk mund të ketë kontrast më domethënës: 110 vjet më parë ishin subjekt i hartave ku vizatoheshin kufinj pa praninë tonë, sot kemi në dore cekanin që sanksionon vendimet më të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në botë.
E gjitha për të thënë se nga të dominuar historikisht, ta ndarë, të shtypur, të vuajtur, të prapambetur, të harruar, të lënë pas dorë, të nëpërkëmbur gjatë komunizmit dhe të coroditur gjatë tranzicionit, shqiptarët janë sot, pa asnjë dyshim, kombi që ka përparuar më shumë së askush tjetër në Ballkan në tridhjetë vitet e fundit. Nuk ka qenë e lehtë, nuk ka ardhur pa sakrifica, por perspektiva dhe synimet tona jonë të qarta, rrugëtimi i përcaktuar dhe, përfundimisht, fatet tona janë në duart tona, frut i gjykimeve dhe i vendimeve që marrim vetë.
Të dashur miq,
Në këto ndryshime madhore, një vend të vecantë ka pasur edhe komuniteti ynë jashtë vendit, e vecanërisht, këtu në Amerikë.
Dikur, atdhetarët tanë nuk lanë mundësi pa shfrytëzuar, me zerin dhe forcën e tyre, në favor të së ardhmes së shqiptarëve atëherë kur vihej në rrezik vetë ekzistenca e kombit tonë.
Para 23 vitesh djemtë e shqipes shkuan të luftojnë për clirimin e Kosovës.
Sot është e rëndësishme që të ndërtojmë sa më mirë mbi trashëgiminë dhe kontributin duke iu përshtatur kohës, ndryshimeve dhe evoliumit të nevojave.
Komuniteti ynë duhet të gjejë mënyrën dhe format për tu mirë organizuar, në një kapilaritet që i mundëson gjithkujt që dëshiron do të jetë kontribues, së pari për të drejtat e tyre në këtë vend, për të formëzuar një zë të fuqishëm, përfaqësues sepse vetëm ashtu mund të shumëfishojë mundësinë e ndikimit.
Sot ka rëndësi që zëri i komunitetit të dëgjohet në këshillin bashkiak të Nju Jorkut; të jetë pjesë e ligjbërjes në Albany dhe shpresoj, sa më shpejt edhe në kongresin amerikan.
Vetëm kështu kontributi bëhët konkret e të njemendtë. Vetëm kështu u bë e mundur që rrugë të qytetit të mbajnë emrat që na nderojnë, Noli e Skënderbeu. Vetëm kështu mund të kontribuohet më mirë edhe në mbajtjen e forcimin e marredhënieve të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara.
Të dashur miq,
Në programin e paraqitur në kuvendin e fundit të Vartës është theksuar, me të drejtë, angazhimi për të freskuar e rinuar anëtarësinë e Federatës, duke u hapur ndaj brezit të ri por edhe ndaj ideve të reja, alternativave krijuese që nxisin, mbrojnë dhe përfaqësojnë vlerat tona më të mira kombëtare dhe që e forcojnë e cojnë më tej trashëgiminë 110 vjecare të Federatës.
Po ashtu, kam mirëpritur gatishmërinë e Kryesisë së re të Vatrës për të bashkëpunuar ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe me të gjithë përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga vota e lirë, për të mirën e të gjithë bashkëkombasve, në funksion të bashkërëndimit dhe bashkëpunimit për të mbështetur përpariminin ekonomik, arsimor e kulturor të kombit shqiptar.
Kombi ynë ka përqafuar lirinë, lirinë e mendimit, të veprimit, të zgjedhjes e të organizmit. Eshtë kësisoj shumë e rëndësishme që organizimi i komunitetit në SHBA, në cdo formë e mënyrë, t’i qendrojnë besnik parimit të ndërtimit të shtëpisë së përbashkët për shqiptarët e çdo besimi, të cdo mendimi, të çdo bindjeje politike.
Vetëm kështu do të mund të shkojmë, më shpejt e në mënyrë më të sigurt, atje ku e synonin e dëshironin te parët, ku e cuan pasardhesit, vetëm kështu Federata bwhet e mbetet Vatër e bashkimit të shqiptarëve për të mirën e përbashkët, përtej e mbi idetë, qendrimet, përkatësitë dhe debatin politik, në interes e në të mirën e shqiptarëve pa dallim.
Gezuar 110 vjetorin e Vatrës, e siç themi ne në Shqipëri, edhe 100 të tjera.