Nga Gjon BUCAJ*/
I nderuem z. President,
Kemi ardhë nji grup i ngushtë vatranësh për të qenë të pranishëm këtu, në këtë ditë historike kur ju, në emën të kombit, nderoni disa viktima të pafajshme të komunizmit.
Këta patriotë, të cilët ju po i dekoroni sot pas vdekjes, vepruen me përkushtim e dashuni për dobinë e atdheut sa ishin në Shtetet e Bashkueme,u këthyen në vendlindje dhe vazhduen t’i shërbejnë atdheut, gjithnji me përkushtim e dashuni derisa,me dhunë të përgjakshme, erdhi në pushtet regjimi i diktaturës fsllavokomuniste dhe ua këputi mizorisht fijen e jetës,“në emën të popullit” dhe të “drejtësisë” së diktaturës së proletariatit.
Janë zhdukë pa faj edhe mija të tjerë, por meqenë se për nji periudhë të jetës këta ishin pjestarë të Federatës “VATRA”,e ndjemë për detyrë t’ju propozonim dekorimin e tyne për merita patriotike dhe për padrejtësinë që ata pësuen, si dhe për kalvarin të cilin e vuejtën të afërmit e tyne gjatë nji gjysmë shekulli. U zhdukën mizorisht jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe ushtarakë të karrierës, shtetarë e profesionista të fushave të ndryshme dhe përsonalitete të traditës, me qellim për të konsolidue fitoren e luftës civile për pushtet dhe për të përmbushë e tejkalue porositë e anmiqvet tanë shekullorë, synimi i të cilëvet ishte, si gjithmonë, zhdukja e vlerave të identitetit tonë dhe dobësimi i strukturave të kombit shqiptar.
Mbas ramjes dejure të diktaturës, familjarët e martirëve, tue ruejtë fisnikinë e trashigueme, nuk lypen hakmarrje, por lypen drejtësi dhe drejtësinë e presin ende: kurrëkush nuk u ka kërkue falje, krimet dhe kriminelët e komunizmit nuk janë dënue, as ligjisht as moralisht.
Nderimi që u bahet sot këtyne martirëve, asht nji akt drejtësije kundër padrejtësisë dhe nji hap me randësi drejt larjes së boxhit të cilin dhuna e ideologjisë se huej ia ngarkoi ndërgjegjes së kombit tonë të lashtë.
Jemi mirënjohës për vlersimin pozitiv të propozimit tonë, për të dekorue ato viktima të pafajshme dhe për të lehtësue, sado pak, ankthin e familjarëve të tyne. Por me këtë veprim, ju, President Nishani, nderoni edhe vetën tuej, nderoni Institucionin e lartë që përfaqësoni. Përgëzime pra, qofshit gjithmonë i nderuem!
Ju keni dekorue “Vatrën” si organizatë për shërbimet historike që i ka ba kombit, keni dekorue dhe disa nga ne udhëheqësit e sotëm të saj, gja që ia rritë vlerësimin dhe jemi miënjohës, por, çdo meritë që na mund të kemi si individa, u dedikohet paraardhësave, në mënyëtë veçantë të gjithë atyne që dhanë edhe jetën për shqiptarizëm, për
idealet e lirisë, të drejtësisë dhe të demokracisë. Ata na frymëzojnë sot dhe do vazhdojnë të frymëzojnë edhe breznitë e ardhëshme.
*Përshëndetja e Kryetarit të VATRËS, dr. Gjon Bucaj, në ceremoninë e dekorimit të martirëve të VATRËS.
Tiranë, 24 nandor 2014.