Prof. As. Dr. Mjaftime Dushallari/
Eshtë e njohur tanimë praktika e gabuar e lënies në harresë, e mosvlerësimit, apo e mohimit të shumë figurave të spikatura apo personaliteteve historike të së kaluarës nga sistemi diktatorial dhe si pasojë, edhe nga historiografia shqiptare. Në këto kushte, kurioziteti të shtyn të mësosh për të panjohurën më shumë se për ato që kemi lexuar e dëgjuar në vite. Me kohë më kishte tërhequr vëmendjen pamja e burrit me callmë, që në cdo foto të ngjarjeve të Pavarësisë qëndron në krah të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin kuq e zi dhe krijoi qeverinë e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Është fjala për Vehbi Dibrën, kryetar i delegacionit të Dibrës në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë, i cili ishte i treti në radhë që firmosi dokumentin e Pavarësisë.
Fatmirësisht, pas ndryshimit të sistemit ne Shqiperi, janë bërë përpjekje për të hedhur dritë në njohjen dhe studimin e kësaj figure shumëdimensionale. Ismail Qemali, që kishte besim të madh tek personi i tij, e thërriste Vehbi Efendiu. E quanin edhe Myfti Vehbiu, edhe Haxhi Vehbi Dibra. Njihej si Vehbi Dibra sipas traditës se ishte bir i Dibrës, të cilën e nderoi dhe ia lartësoi emrin. Emrat e tjerë i gëzonte si shërbimtar i fesë. Emri i tij i vërtetë ishte Vehbi Agolli. Më befasoi emri, se, këtu në New York ne njohim një shqiptar me emrin Vehbi Agolli, i cili gjithashtu e ka origjinën nga Dibra. Miqësinë me familjen e Vehbiut e kemi falë nipërve e mbesave tona që u njohën në parqe e kënde lojnash, në ditëlindjet e tyre dhe festime të tjera. Ndaj dhe miqësia jonë është e pastër, e sinqertë si vetë natyra ëngjëllore e fëmijëve. Vehbiu, miku ynë i moshuar, por plot energji, reflekton gjithmonë optimizëm dhe pozitivitet. Pasi kisha lexuar e dija dicka për Vehbi Dibrën, luftëtarin e paepur për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, intelektualin me kulturë të gjerë dhe dibranin me reputacion, mendova ta pyes mikun tonë në se kishte lidhje më të apo njohje për të.
“Vehbi Dibra është gjyshi im, babai i babait tim Ahmet Agolli”, pohoi Vehbiu me kënaqësi, por me modestinë e zakonshme. Pra, unë dhe bashkëshorti im po bisedonim me nipin dhë trashëgimtarin e parë të emrit të birit të Dibrës, Vehbi Dibrës (Agollit).
Vehbiu nuk e kishte njohur gjyshin e tij, por dinte për të nga prindrit dhe të tjerë bashkëkohës të tij. Biseda jonë fillimisht u zhvillua rreth jetës së tij familjare, fëmijëve dhe shtëpisë së tij dykatëshe pranë pazarit të ri ne Tirane. Mësuam rastësisht edhe një kuriozitet. Vehbi Dibra Agolli e kishte emëruar djalin e tij të parë pas emrit të babait të tij Ahmet Agolli. Të njëjtën gjë bëri dhe i biri kur u gëzua me djalë. Ai e emëroi djalin me emrin e të atit, Vehbi Agolli (i dytë), bashkëbiseduesi ynë. Ajo që theksoi dhe përsëriti Vehbiu midis të tjerash, ishte fakti që gjyshi i tij, edhe pse predikues i përkushtuar i fesë, ishte shumë tolerant. Ai asnjëherë nuk i nxiti ose detyroi familjarët e tij të frekuentonin institucionet fetare apo të kryenin rite fetare jashtë dëshirës së tyre. Pas këtij pohimi, më lindi kurioziteti ta pyes dhe të dija mendimin e tij për arsyen pse ishte lene në hije figura e shquar e Vehbi Dibrës, njeriut të mencur që në Kuvendin e Vlorës u zgjodh kryetar i Pleqësisë apo Senatit të parë shqiptar dhe me fjalën e tij në 28 Nëntor 1912, i dha bekimin shpalljes së Pavarësisë duke bërë thirrje për bashkimin e popullit pa dallim feje. Përse është parë e trajtuar më shumë si teolog, kur ai në cdo moment të historisë e përdori fenë në shërbim të bashkimit e cështjës kombëtare?
Biseda jonë rrodhi lirshëm për jetën dhe aktivitetin e tij politik e fetar. Vehbi Dibra u rrit në familje me tradita të pasura kulturore e patriotike. Ai kishte mbaruar studimet e larta në Stamboll ku studjoi për teologji, shkenca juridike dhe gjuhë të huaja. Njihte shumë mirë gjuhën turke, persisht dhe arabisht. Kur shkoi në Vlorë, ai nuk doli nga hici. Vehbi Dibra u frymëzua dhe u bë një pjesëmarrës aktiv që në periudhën e Lidhjës së Prizrenit, gjë që i krijoi mundësinë që të njihte dhe bashkëpunonte me patriotë që u përfshinë në përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë. Me që po i shkruaj këto rreshta në prag të Ditës së Alfabetit, ia vlen të theksohët se, në Kongresin e Manastirit ai mbështeti idenë për një alfabet të ri të gjuhës shqipe dhe për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e vendit tonë. Më vonë zgjidhet kryetar i Kongresit të Dibrës ku shfaqet si një intelektual i formuar dhe luftëtar i paepur i cështjes shqiptare. Si fetar, Vehbi Dibra Agolli, i urtë e fisnik, vlerësonte të vërtetën, ndershmërinë. Si shumë nga bashkëkohësit e tij Rilindas, ai vinte shqiptarizmën mbi cdo lloj besimi e feje. Ai u përpoq gjithmonë të bashkonte komunitetin mysliman me interesat e kombit. Respektonte dhe fetë e tjera duke menduar se myslimane e të krishterë janë vëllezër shqiptarë. Myslimani Vehbi Dibra, me mendje të hapur, mbështeti menjëherë shpalljen e Autoqefalisë së kishës orthodokse shqiptare.
Pas shpalljes së Pavarësisë ishte krah Ismail Qemalit në punën për forcimin e shtetit të ri shqiptar. Ai punoi me shpirt për organizimin dhe demokratizimin e tij sepse ishte për një shtet me ligje e rregulla. Ndaj dhe cmoi më vonë Revolucionin e Qershorit dhe qeverine e Fan Nolit. Gjithashtu duhet përmendur se më vonë Vehbi Dibra, si kryemyfti i përgjithshëm i Shqipërisë luftoi për bashkimin e trevave shqiptare pas copëtimit nga shtatë fuqitë e mëdha në Londër. A nuk është i mjaftueshëm qoftë dhe ky informacion i shkurtër për ta njohur dhe radhitur Vehbi Dibrën në plejadën e luftëtarëve të orëve të para për cështjen e lirisë dhe të Pavarësisë së Shqipërisë? Apo ka dhe arsye të tjera si fakti që ai, pas copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha europiane, shprehu hapur orientimin e tij perëndimor, mendimin se shpresa për bashkimin e trojeve shqiptare ishte vetëm Amerika. Me këtë qëllim, më 1919 organizoi një miting të gjerë ku bëri thirrje për bashkimin me Kosovën dhe Camërinë duke i kthyer sytë nga Amerika.
Pas vitit 1925 Vehbi Dibra u tërhoq nga veprimtaria politike dhe iu përkushtua punës si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë kohë ai shpalosi dukshëm aftësitë e tij si udhëheqës shpirtëror i popullit shqiptar krahas aftësive drejtuese politike. Në këtë drejtim u njoh dhe u vlerësua jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por edhe nga drejtues të komuniteteve të njohura myslimane në botë. E si mund të vlerësohej një figurë e tillë nga një sistem që i shpalli luftë të hapur fesë dhe shkatërroi në mënyrë brutale institucionet fetare në vend. Shtojmë se Vehbi Dibra nuk ishte një teolog i zakonshëm. Pikërisht në këtë kohë, kur ushtronte me devotshmëri detyrën si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ai u bë një emër i njohur në shtypin e kohës, sidomos me shkrimet e tij në revistën “Zani i Naltë”. Ai ishte studiues, analist dhe përkthyes me kulturë të gjerë. Zgjuarsia natyrale dhe prirja për të vlerësuar dijen dhe shkencën, e shtynë të urtin Vehbi Dibra, të studionte në themel Kuranin, të seleksiononte dhe të interpretonte vlerat më të qenësishme të tij, që janë vlera universale të cdo feje dhe gjithë shoqërisë njerëzore në tërësi. Ligjëratat e tij në interpretimin e Kuranit për tolerancën, humanizmin, optimizmin, edukimin në përgjithësi, familjen etj, tipare që ai i zotëronte si person, i dëshironte dhe i predikonte për gjithë shqiptarët. Edhe në këtë rast, si gjatë gjithë jetës së tij, ai bënte thirrje që krahas Kuranit, shqiptarët duhet të mësonin gjuhën shqipe.
I tillë mbeti Vehbi Dibra në zemrat e gjithë shqiptarëve që e njohën deri në fund të jetës së tij. Me nderimet më të larta u përcoll për në botën e paqtë nga gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kështu duhet dhe meriton të kujtohet përjetësisht.