![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/479134057_1046171757551346_181615083032621818_n.jpg)
Satirë nga Rafael Floqi/
Në këtë epokë të artë të drejtësisë shqiptare, ku SPAK-u nuk kursen askënd veçse kur duhet, më në fund kemi një moment historik: një kryebashkiak që i bashkohet popullit të thjeshtë, por jo për të ndërtuar parqe, rrugë apo për të mbjellë pemë (me tender, sigurisht), por për të testuar cilësinë e qelive të burgut 302. Dhe si gjithmonë, aty ku ka hall një bir i Rilindjes, nuk mungon dorëza e ngrohtë e kryeministrit, i cili këtë herë vendosi të luajë rolin e avokatit mbrojtës, psikologut dhe nënës së përkushtuar njëherazi. Njëherë e një kohë, Rilindja i këndonte SPAK-ut si revolucionin që do të shkundte themelet e padrejtësisë. Por ja që kur drejtësia trokiti në dyert e saj, tingulli s’ishte dhe aq i këndshëm. Në një kthesë dramatike të fatit, Rama shpalli: “Tani ka ardhur koha për një kritikë konstruktive!” Që në shqip politik do të thotë: “Na i lini ca njerëz të paprekur, se na duhet për fushatë.”
Por drama vazhdon! Në aktin e dytë të këtij teatri absurd, Veliaj nga qelia qan hallin e gruas së tij Ajola, e cila nuk ka mundësi të çojë e të marrë djalin nga shkolla.
Dhe ndërkohë që populli përballet me çmime të larta, papunësi dhe halle të tjera të vogla siç janë faturat e energjisë, Rama i përgjigjet me një shqetësim kombëtar: “Po kush do t’i japë fëmijës të hajë?” Njerëzit mund të kenë menduar se po fliste për mijëra familje që mezi sigurojnë bukën, por jo, bëhej fjalë për një familje specifike, e cila jetonte në luks para se të niste drama.
Dhe në kulmin e absurdit, Veliaj na thotë me një ton tragjik: “Më fusin në burg pa gjyq tre muaj para zgjedhjeve!” Tani, si çdo socialist i ndershëm që e ka pasur në dorë çdo pushtet për një dekadë, ai e di mirë që zgjedhjet nuk janë një çështje votash, por një festival manipulimesh. Dhe si mund të ndodhin këto pa drejtorin kryesor të festës?
Rama e shikon këtë si një grusht shteti: “Tiranën po e lënë pa drejtim! Qyteti ka 1001 punë për të bërë!” Dhe populli mendon: “Si ka mundësi që s’paska ende 3D, 4D apo 5D që ta drejtojë bashkinë nga burgu?”
Lali nuk fjeti dot natën e parë i dilte përpara një ëndërr plot tym inceneratorësh që nuk u ndezën kurrë.
“Avokati (duke i pëshpëritur të pandehurit në veshi ngjau si plaku Soros): Mos u shqetëso, Lali! Unë kam përgatitur një mbrojtje aq të fortë, saqë do të dalësh më i pastër se bilanci i bashkisë para kontrollit të SPAK-ut!
Lali (i shqetësuar, duke fshirë ballin): Po si do t’ia bëjmë me provat, me ato transferimet bankare, apartamentet, makinat…ah inceneratori ,inceneratori?
Avokati (duke qeshur me nënqeshje): E thjeshtë! Ne nuk flasim për provat, ne flasim për emocione! Për fëmijët, për nënat që lotojnë, për drejtësinë që s’ka ndjenja! Ja, unë do të hap fjalën me këtë: “Si mund të arrestoni një njeri që ka mbjellë më shumë pemë sesa ka rrëzuar ligje?”
Gjyqtari (duke trokitur me çekiçin): Avokat, ju lutem, ky është gjyq, jo konkurs për ese emocionale!
Prokurori (duke qeshur me ironi): Po e shoh që më shumë se avokat mbrojtjeje, jeni avokat propagande. Apo po ndiqni metodën “po e besove vetë, ndoshta e beson dhe gjykata”?!
Lali (duke psherëtirë dhe duke parë nga avokati me shpresë): Po nëse s’funksionon?
Avokati (duke rregulluar kollaren): Atëherë kalojmë në Planin B… faji është i administratës! E keni parë sa të paaftë janë, apo jo? Unë them t’i hedhim fajin ndonjë drejtoruci. Në fund të fundit, dikush duhet të bëhet kurban!
(Salla mbushet me murmurima. Diku nga fundi i sallës, një drejtor komunal zverdhet në fytyrë… ndërsa SPAK fërkon duart.)
Mbyllja e ëndrrës: Avokati dhe i pandehuri shkëmbejnë një shikim të gjatë… pastaj avokati i pëshpërit: “Mos harro, Lali: Gjykatat vijnë e shkojnë… por PS-ja mbetet!”.
U zgjua në zhgjandër i llahtarosur vendosi të pendohej…
Një zë nga TV ushtoi zëri i spikerit që bashkohej me zhurmat e protestuesve me pranga. Dhe këngës të një romi të vogël “Të ka lali shpirt të ka Rama Xhan’ Zëri vazhdoi “Në fund, mbrojtja e Veliajt nga Rama s’ka të bëjë as me drejtësinë, as me Tiranën, as me humanizmin e kryeministrit. Ky i fundit thjesht ka frikë nga sindromi “Arben Ahmetaj”, nga sindroma e të penduarit që nëse nuk i garanton mbrojtje, i nxjerr fshehtësitë me një zell të paparë.
Prandaj, i gjati e mban të shkurtin afër, jo nga dashuria, por nga frika. Dhe në këtë lojë të shahut, pyetja mbetet: kush do të jetë i radhës për në tabelën e sakrificës oficeri apo Mbreti?