Nga Gëzim ZILJA/
Reshat Agaj ishte nga ata të paktët shqiptarë i viteve tridhjetë që pasi mbaroi studimet jashtë shtetit, u kthye në atdhe për të punuar e jetuar. Ishte një nga intelektualët e spikatur të asaj kohe jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me shkollën e kryer jashtë shtetit e diplomën e ekonomistit, ai ndoshta do të bënte një jetë si gjithë njerëzit e kësaj bote të lidhur fort me familjen dhe tokën që e lindi. Por nuk qe e thënë. Në fund të jetës së tij ai shkroi kujtimet e veta si një amanet për njerëzit e afërt dhe të fisit të tij. Për librin është shkruar edhe më parë dhe në këto shënime të mia nuk dua të përsërisë ato që janë thënë por dua të diskutoj për disa aspekte të tjera të veprës. Po të qe për gjithë sa shkruan Reshat Agaj, nuk do të mjaftonin dy-tri fletë A4, por sigurisht një libër tjetër, ndoshta me më shumë faqe se ai i Reshatit. Në shtator të vitit të kaluar, doli në qarkullim ribotimi i librit “Vëllai i pengut”, i shkruar nga Reshat Agaj, i plotësuar dhe me komente nga shkrimtarë e personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë libër me kujtime që autori e quan “radhor” tregohet jeta e tij e kaluar në vuajtje e tortura të pabesueshme, thjesht se u ndodh apo ishte në anën tjetër të barrikadës jo në atë të komunistëve. Ashtu si shkruan ish-Kryeministri i qeverisë së parë demokratike pas diktaturës Aleksandër Meksi: “Fajet e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe drejtësi shoqërore.” Ndërsa vetë Reshat Agaj për librin e vet shprehet: “I shkruaj kujtimet e jetës sime, jo se janë të rëndësishme për historinë se unë jam njeri i thjeshtë pa ndonjë pozitë politike të lartë, por sepse ato janë të rëndësishme për njerëzit e fisit tim që do të vijnë pas meje. Këtë radhor dhe të tjerë radhor ua lë kujtim fëmijëve të mi”. Tridhjetë e dy vjet pasi ka mbaruar së shkruari kujtimet e veta, vërejmë se ato kanë vlerë jo vetëm për pasardhësit e fisit të tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare, për të shkuarën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Ne duhet të njohim historinë tonë, ne duhet të dimë nga vijmë dhe ku shkojnë, ne duhet të kuptojmë se ajo luftë vëllavrasëse dhe regjimi komunist dyzetvjeçar, e përçau dhe u përpoq të ngrinte si kult urrejtjen ndaj njeriut, duhet të kuptojmë se urrejtja të çon drejt greminave, shkatërrimit e vdekjes dhe se vetëm me dashuri mund të ndërtohet e të ngrihet një shoqëri ku njerëzit të ndihen të barabartë para ligjit. Ky është një nga mesazhet më të fuqishme që jep Reshat Agaj në kujtimet e tij.
Jo pak është shkruar këto njëzetë vjet për atë periudhë sidomos nga një grup i madh njerëzish që provuan burgjet dhe tmerret e tjera të diktaturës. Ne i lexojmë dhe kuptojmë (dhe ky është një mesazh tjetër i autorit) se për të jetuar në një botë më të mirë njerëzit duhet të punojnë me këmbëngulje, ndershmëri, vetëmohim e duke sakrifikuar. Ndryshe e keqja e zezë mund ta pllakosë sërish shoqërinë shqiptare ose progresi drejt një bote më të mirë do të shënohet me hapa breshke.
Ndoshta pak nga idealistët dhe atdhetarët e asaj kohe e kuptuan që në fillim se komunizmi sllav në Shqipëri, do të shkaktonte aq gjakderdhje, vuajtje dhe varfëri. Kur ajka e shoqërisë shqiptare do ta quaja, ai grup intelektualësh dhe luftëtarësh e kuptoi se çfarë përfaqësonte në të vërtetë komunizmi, e panë veten në burgje, në internime apo para togës së pushkatimit. Ndoshta Reshat Agës kurrë nuk ia merrte mendja se shokët e tij me të cilët ishte rritur si Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu e Hysni Kapo do të shndërroheshin në kriminelë të atij kalibri sa të vrisnin pa iu dridhur qerpiku vëllezërit dhe të afërmit e tyre të pafajshëm në emër të idealit absurd komunist. Takimet e tij gjatë burgut me këta dy “shokë fëmijërie” janë të dhimbshme dhe tronditëse. Ja si thotë njeriu i mirë dhe patrioti Reshat Agaj në një takim me Mehmet Shehun shokun e dikurshëm të shkollës, që madje i kishte dedikuar edhe vargje ku shprehte dashurinë vëllazërore për Reshatin. Kjo ndodhte në vitin 1937. Dymbëdhjetë vjet më vonë Mehmet Shehu, tashmë njeri i rëndësishëm i diktaturës, takon autorin e librit në burg. Ka një dialog aty të riprodhuar me aq vërtetësi, ku del hapur humanizmi, trimëria dhe zgjuarsia e Reshat Agës dhe cinizmi, mashtrimi dhe padrejtësia kriminale e Mehmet Shehut. Zoti Agaj shkruan; Kur erdhi pranë meje (Mehmet Shehu. shën. im) që isha midis Xhelal Shaskës dhe Rrok Gerës u ndal, më njohu menjëherë dhe tha këto fjalë: “ E more Reshat, është mirë këtu ku je nashtinë? Ti deshe të sillje këtu, mua dhe miqtë e mi, por ne qemë më të zotët dhe të suallmë tyj këtu, bashkë me shokët e tu”. Unë i tretur dhe i rraskapitur u çudita kur dëgjova këto fjalë nga numri një i regjimit… E mora veten dhe i thashë: “Unë shoku Memet s’kam dashur të sjell asnjë njeri në burg e jo më tyj, që kemi qenë njëherë shokë të dashur.” Ky dialog me Mehmet Shehun dhe të tjerë me Kadri Hazbiun, tingëllojnë aq aktualë sot kur njerëz gjithfarësh ish-komunistë ish-sigurimsa dhe lloj-lloj qelbësirash, shkruajnë në shtyp e dalin në TV, duke dashur të rehabilitojnë këto figura gjakësorësh që vranë, izoluan e varfëruan popullin shqiptar për dyzet e pesë vjet me radhë. Reshati nuk pati fatin (vdiq më 1981) të shoh me sytë e vet si përfunduan udhëheqësit komunistë Shehu e Hazbiu. Ndoshta në ëndrrat e tij profetike Reshati ynë i dashur e ka parë fundin e tyre, edhe pse nuk na e thotë në kujtimet e veta.
Pas një endjeje të gjatë në perëndim dhe një eksperience të jashtëzakonshme Reshat Agaj, tashmë një burrë i pjekur, shkruan për komunizmin duke i bërë një analizë të shkëlqyer: “Që komunizmi është një sistem jete dhe një filozofi ekonomike që mbahet në këmbë vetëm me fuqinë e diktaturës dhe të shtypjes në çdo llojshmëri të shtetit komunist u provua katërcipërisht në këtë pasluftë. Ai s’ka asgjë të përbashkët me lirinë e individit dhe liritë që ai premton janë liri nën kërbaçin e partisë jo liri personale në kuptimin e gjerë të fjalës liri. Njeriu në këtë sistem është një vegël e pakuptimtë në makinën e madhe të partisë …” Por ai rrëfen e rrëfen dhe ne mësojmë jo vetëm për jetën e tij tragjike personale, por edhe për një brez të tërë njerëzish të shkëlqyer që diktatura internoi, burgosi, vrau madje i la dhe pa një varr. Me pak fjalë, por me një ngarkesë të madhe emocionale, z. Agaj na përshkruan fatin e intelektualëve që ndihmuan në tharjen e kënetës së Maliqit. Ai përmend disa nga ata që u dënuan në gjyqin e famshëm të Maliqit, veçanërisht figurën e inxhinier Kujtim Beqirit, diplomuar me Medalje të Artë në Vjenë, shokut dhe mikut të tij të ngushtë, qëndrimin e tij burrëror para bishave komuniste që e dënuan me varje në litar. Ja si përshkruan ai një ditë terrori në kënetën e Maliqit: “Aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite saqë, kur e pashë veten në pasqyrë të dielën që erdhi, vura re se që nga mesi i ballit e deri prapa kokës një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e kokës time. Këta flokë më ishin zbardhur në çast”
Kur lexon vuajtjet e të burgosurve që punonin në Kënetën e Maliqit, mendja të shkon te ferri. Pa shumë ngarkesa letrare, por me një gjuhë të rrjedhshme e të kuptueshme, me durim, deri në hollësi e me një vërtetësi që të çarmatos përshkruhet sesi rropateshin të burgosurit e pafajshëm në mes mushkonjave, shushunjave e morrave, nën kërbaçin e pushkët e policëve që në çdo çast nuk e kishin problem tua merrnin jetën me një plumb pas koke skllevërve të kënetës. Nëse ka një ferr, nëse ka pasur një Aushvic, Buhenvald e Treblinka ku njerëzit piqeshin në furra e mbyteshin në dhoma gazi, në Shqipëri ka pasur një kënetë Maliqi ( dhe jo vetëm kjo) ku njerëzit janë masakruar, janë varrosur të gjallë e të vdekur, në baltën e ujërat e ndenjura të asaj kënete. Faleminderit Reshat që nuk na lë të harrojmë se ç’është e çka bërë komunizmi shqiptar me ato që shkrove në atë radhorin tënd të çmuar.
Në kujtimet e Reshat Agës ne njihemi me një njeri të mirë patriot, të besës e të fjalës por edhe me një njeri të ndjeshëm të dashur që do e respekton familjen, fisin, vëllanë, gruan e fëmijën. Si një njeri i traditës shqiptare ai habitet dhe nuk është dakord me martesën e Leka Zogut me një grua të divorcuar e me fëmijë. Dhe i vjen keq. Por nga ana tjetër ngrihet deri në madhështi figura e gruas shqiptare. Ka disa gra të fisit të tij që ai përmend në librin e tij që të mahnitin me vlerat e sjelljet e tyre. Vetë gruaja e tij është një shembull i pabesueshëm I ndershmërisë dhe qëndresës. Vetëm njëzet e dy vjeçe, tremuajshe shtatzënë, pas arratisjes së burrit të vet ajo vuri shaminë e zezë në kokë, i vuri shpatullat familjes, rriti plot sakrifica dhe dinjitet vajzën e saj të vetme dhe nuk u martua kurrë. Pas 44-vjetësh, ajo “takoi” burrin e vet atje në SHBA, ku i vendosi një tufë lulesh mbi varr. Asnjëherë njeriu nuk e di sa i fortë është, do të thosha, derisa fati nuk e ka përballur me fatkeqësinë. Megjithatë, Reshat Agaj është optimist. Ja si shkruan ai që unë mendoj se është amaneti i tij i fundit: ”Unë besoj ngulmërisht, besoj në një ditë lirie për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe këtë besim të thellë ma kanë frymëzuar ëndrrat e mia të cilat unë i besoj thellësisht me tërë fuqinë e shpirtit të shumëvuajtur. Vetëm Zoti i jetës e di nëse unë do t’ia arrij kësaj dite ose jo”. Kjo të kujton një nga thëniet e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri: “Që do të bëhet Shqipëria unë e di, po a do të arrij unë i varfëri të shoh gjë”. Po Shqipëria do të shtoja unë, i zgjat pambarimisht punët e mira, e i bën aq ngadalë sa që një jetë njeriu nuk mjafton.
Së fundmi, dua të përmend punën e kujdesshme e të palodhur të bashkëshortëve Finlanda Agaj-Gjonzeneli, Teki Gjonzeneli dhe fëmijëve të tyre për të na i dhënë këto kujtime në formën e një guri të çmuar. Gjaku nuk humbet, soji është soj, më thoshte im atë dikur. Në këtë rast kjo thënie e tij vërtetohet plotësisht.(kortezi REPUBLIKA)