Sulmi mbi një godinë policore e vrasja e shumë personave u bënë shkak që organizata Vëllezërit Myslimanë të radhitet në listën e grupeve terroriste. Kjo thellon konfliktin me qeverinë dhe kërcënon me shtimin e dhunës.
Ish presidenti i Egjiptit Mohamed Mursi gjendet në burg. Ndërsa kryeministri i qeverisë së tij Haschim Kandil është arrestuar tani. Praktikisht e gjithë udhëheqësia e Vëllezërve Myslimane është në burg. Ata akuzohen për vrasje të demonstruesve, tradhti dhe terrorizëm. Disa procese gjyqësore kanë nisur e të tjerët po presin proceset. Organizata Vëllezërit Myslimanë është ndaluar de facto me vendim të gjykatës në shtator të këtij viti.
Qeveria kalimtare e mbështetur nga ushtria tani ka shkuar një hap më larg, madje më larg se në kohën e Hosni Mubarakut dhe i ka shpalluar Vëllezërit Myslimanë organizatë terroriste.
Organizata e themeluar në vitin 1928 ka qenë deri para pak kohësh një prej forcave politike më të organizuara në vend. Me zgjedhjen e Mursit për president dukej se do të stabilizoheshin në pushtet pas një periudhe të gjatë të sundimit të Mubarakut.
Ndalimi si reagim ndaj terrorit
Sipas qeverisë vendimi për ndalimin e kësaj force politike është pasojë e sulmeve me bomba të martën (24.12.2013) ndaj një godine policore në qytetin Mansura, ku u vranë 16 dhe u plagosën mbi 100 vetë. Edhe pse për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë organizata me emrin “Ansar Bait al-Makdis”, zëvendëskryeministri Hossam Eissa i ka shpallur fajtor Vëllezërit Myslimanë. “Qeveria nuk do t’i nënshtrohet kurrë terrorit të Vëllezërve Myslimanë, të cilët i kanë kapërcyer të gjitha normat morale, fetare dhe njerëzore”, tha ai të mërkurën. Ai paralajmëroi se do të dënohet secili, që merr pjesë në aksionet e kësaj organizate, qoftë edhe anëtarët e rëndomtë.
Edhe “Liberal Constitution Party” e ish zëvendëspresidentit Mohamed El-Baradei i ka fajësuar Vëllezërit Myslimanë për këtë sulm. Ndërsa Lëvizja Tamarod e ka përshëndetur vendimin e qeverisë. Ajo mendon madje se vendimi është i vonuar.
Terror jo vetëm në Sinai
Sulmi në Mansura ishte goditja më e rëndë që prej puçit ushtarak dhe rrëzimit të Mohamed Mursiit nga pushteti me 3. 06. 2013. Deri tani terrori ishte i përqendruar kryesisht në Sinai. Ndërsa me këtë sulm, siç thotë eksperti Günter Meyer, ka filluar një periudhë e re e sulmeve edhe në vendet e tjera. Të enjten ka pasur një sulm tjetër në Nasr City, ku janë plagosur pesë persona. Grupi i afërt me Al-Kaidën, “Ansar Bait al-Makdis”, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Mansura dhe ka kumtuar se “të vrarët janë viktimë e regjimit.
Qeveria deri tani nuk ka paraqitur dëshmi për afërsinë e grupit terrorist “Ansar Bait al-Makdis” me Vëllëzërit Myslimanë. Gazetari egjiptian Samy Magdy thotë se deri tani janë paraqitur vetëm supozime për afërsinë mes tyre. Ndërsa Günter Meyer thotë se pohimet e deritanishme janë vetëm edhe një justifikim për masat, që do të ndërmirren kundër Vëllezërve Myslimanë, gjë që shumë prej tyre i ka detyruar të kalojnë në veprim ilegal.Bëhet e ditur se në rajonin e shkretëtirës në afërsi të kufirit me Libinë janë krijuar pesë kampe për stërvitjen e Vëllezërve militantë Myslimanë dhe sallafistëve, për sulme terroriste. “Vlerësohet se atje janë rreth 1000 Vëllezër Myslimanë”, thotë Günter Meyer. Ndërkohë që kjo organizatë edhe më tej ka një mbështetje të madhe në shoqërinë egjiptiane. Por Vëllezërit Myslimanë i kanë hedhur poshtë pohimet për përzierje në terrorizëm dhe për lidhjet e tyre me grupet terroriste.
Shtimi i dhunës?
Futja prej qeverisë e Vëllezërve Myslimanë në radhën e organizatave terroriste ka hapur mundësinë e rritjes së dhunës në këtë vend. Paratë e organizatave të ndryshme joqeveritare, të cilat dyshohen për bashkëpunim me Vëllezërit Myslimanë, janë ngrirë. Qeveria synon që në këtë mënyrë të ndërpresë burimet financiare të organizatës. “Frontet janë ashpërsuar kaq shumë, saqë për momentin nuk ka shpresë për afrimin mes qeverisë dhe Vëllezërve Myslimanë”, thotë gazetari Samy Magdy.
Me 14 dhe 15 janar 2014 në Egjipt do të votohet për ndryshimet kushtetuese. Qeveria dhe ushtria janë të interesuara që votimi të kalojë pa incidente, por këtë nuk mund ta garantojë askush.(Kortezi DW)