Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Muzeu Etnologjik i Kosovës në Prishtinë/
Prishtinë, hapet shkolla verore për nxënësit shqiptarë nga diaspora/
– Organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe institutin Ed Guard/
-Ka nsiur dje dhe vazhdon sot manifestimi tradicional Dita e Diasporës/
PRISHTINË, 2 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prishtinë sot hapet shkolla verore për nxënësit shqiptarë nga diaspora, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe institutin Ed Guard. Hapjen zyrtare të shkollës verore e bëjnë ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati, dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i qeverisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, bën të ditur njoftimi dërguar nga Ministria kosovare.
Në Kosovë, organizuar nga Ministria e Diasporës, ka nsiur dje dhe vazhdon sot manifestimi tradicional Dita e Diasporës.
Axhenda nisi pasditën e 1 gushtit me “Një lule për Jasharët”, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku në mbrëmjen e ditës së pare ishte edhe koncerti nga orkestra “Spartiti per Scutari” arbëresh nga Italia, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova.
Në mbrëmjen e 2 gushtit, sonte, në Prishtinë, bëhet ndarja e çmimeve “Mërgimtari i Vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve ishte paraparë të mbahej në Muzeun Etnologjik të Kosovës “Emin Gjiku”, por sapo njoftohet nga Ministria e Diasporës se për shkak të motit ndërrohet lokacioni dhe ceremonia do mbahet në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë (prapa Ministrisë së Arsimit).
Të pranishëm do të jenë personalitete të jetës politike, kulturore dhe sportive nga Kosova, Shqipëria dhe Diaspora, ndërsa do të performojnë bendi i Radio Televizionit të Kosovës – RTK, Bardh Jakova & Spartiti per Scutari dhe grupi nga Kroacia, “Zoria”.