Nga Marcel Hila/
Në një shkrim të tijin, Pjetër Arbnori, duke dashur që të interpretonte misterin që barte jeta e tij, thoshte se realiteti ia kalon çdo fantazie. E kishte fjalën për sesi i shkuan punët dhe peripecitë e ngjarjeve të tija. Thoshte se kur kishte qenë i ri kishte lexuar shumë libra, kryesisht letërsi artistike, romane e novela, e shprehet se në shumë raste nuk ishte dakord me zgjidhjen që autorët e ndryshëm kishin dhënë për fatet e personazheve të tyre. “Nuk i besoja, sepse e tepronin, jepnin zhvillime të pabesueshme, e nuk i aprovoja. Por kur vonë iu ktheva jetës sime, pashë se ajo ia kalonte çdo fantazie të një autori të mundshëm. Unë që isha dënuar me pushkatim, që u gjenda në qeli në pritje të ekzekutimit të vendimit, më vonë u gjeta se u zgjodha dy herë kryetar i Kuvendit Popullor. Asnjë shkrimtar nuk do të guxonte të fantazonte kështu!”.
Pse e solla këtë shembull? Sepse po kështu është edhe jeta e zotit Eugjen. A do t’i kishte shkuar atij në mendje se ai, i arrestuari që po hetohej se kishte folur fjalë të mira për gjyshin e tij Mustafa Kruja, ai që mori dënimin me shumë vite burg për akuzën e agjitacion e propagandës, ai që u çua në Spaç për ta bërë të dënimin, ai djali i ri që ecte në tunelet e minierës, ndërsa shkonte çdo ditë të nxirrte bakër e pirit duke shtyrë vagonët, ai, pra, a do ta besonte se një ditë do të hiqte ai vetë, me dorën e vet, copën që mbulon bustin e Mustafa Krujës, gjyshit të tij në qytetin e lindjes së tij, në Krujë, me bekimin e institucioneve shtetërore? Kurrë nuk do ta kishte besuar, nëse dikush do t’ia thoshte këto fjalë në atë fillim të viteve ’80, ndërsa i dënuar kishte lënë prindërit në internim. Por ja se edhe në këtë rast, realiteti ia kalon çdo fantazie. Mendja krijuese dhe fantazia e asnjë shkrimtari nuk do të mund ta imagjinonte një gjë të tillë.
Por kjo na çon edhe pak më larg, kjo do të thotë se drejtësia bëhet, vihet në vend, edhe pse kalojnë shumë vite e personi i mohuar e i nëpërkëmbur deri dje, pra plot tetëdhjetë vite i përfolur e i anatemuar, ky person, gjyshi i tij, zë vendin që i takon në mes të qytetit të tij, Krujës. Kjo do të thotë se Zoti ekziston dhe se ka shpresë për të gjithë të nëpërkëmburit, të shtypurit e viktimat e padrejtësive. Çast i madh triumfi i të së vërtetës.
Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit. Unë jam shkrimtar dhe shkrimtari i përngjet ndërtuesit. Ndërtuesi i banesave, përpara se të fillojë, mbledh lëndën e parë: tullat, llaçin, hekurin e pastaj i vihet punës. Kështu edhe shkrimtari, nëse është një i tillë që shkruan për një roman historik. Ka nevojë për këtë material. Edhe unë, në përpjekjen që të shkruaja romanin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, që flet për odisenë e një familjeje hebreje në tokën shqiptare, gjeta se Mustafa Kruja nuk ka pranuar që të implikohet në arrestimin dhe depërtimin e hebrenjve e dorëzimin e tyre gjermanëve nazistë.
Gjeta, mes fakteve historike, se Jakomoni, që ishte mëkëmbësi i perandorit italian në Shqipëri, e thërret një ditë zotin Kruja e i kërkon informacion për hebrenjtë që janë këtu, sepse, sipas një kërkese që ka ardhur nga Italia, mbështetur në aprovimin e ligjeve racore antihebraike, të firmosura pak kohë më parë nga vetë Vittorio Emanueli III, kërkohet njoftim për ta se sa janë, nga janë, ku gjenden? Mustafai ngrihet në këmbë e ia refuzon qartë e prerë e i thotë se “unë nuk jam këtu për të arrestuar të pafajshëm e për t’i çuar që të eliminohen padrejtësisht. Nëse ky refuzimi i im përbën problem, unë jap në vend dorëheqjen!”. Mora vesh, në atë material që gjeta, se vetë mëkëmbësi kishte mbetur i mrekulluar nga ky qëndrim burrëror.
Por është edhe rasti tjetër, kur vetë zoti Kruja, propozon në këshillin e ministrave që refugjatët hebrenj që kanë ardhur tashmë në tokën shqiptare, të çohen në kampe, të financuara nga qeveria e tij, larg, në Berat e në Gjirokastër, që gjithsesi të mos jenë afër kufijve veriorë, ku mund të ketë prani gjermane. Dhe e realizon një gjë të tillë, ngritjen e këtyre kampeve.
Po kështu kalon një tjetër peripeci të sikletshme me konsullin e përgjithshëm gjerman, Martin Schliep. Ngjarja kishte qëlluar kështu. Në vitin 1941, në Kosovë, tamam-tamam në Mitrovicë, një grup hebrenjsh, të thuash më mirë i gjithë komuniteti hebre i këtij qyteti, merr vesh se gjermanët duan të bëjnë një mësymje mbi ta, t’i fusin në dorë, t’i arrestojnë e t’i çojnë në Auschwitz. Si parantezë duhet thënë se kur Gjermanët vendosën të zhbënin Jugosllavinë, pasi e pushtuan në prill të vitit 1941, duke pasur informacion të zgjedhur e duke pasur parasysh se në Mitrovicë jetonte edhe një komunitet serb, që italianët, të cilëve iu dorëzua gati e gjithë Kosova (duke formuar atë që u quajt tokat e lirueme) përveç kësaj zone veriore, vendosën ta mbanin ata, sepse vetëm ata mund t’i bënin ballë serbëve, nëse ata do të përpiqeshin të ngrinin krye. E dinin se italianët nuk do të ishin të aftë ta kryenin një gjë të tillë. Një ditë, pra, hebrenjtë, në mënyrë tepër sekrete, njoftohen se gjermanët kanë vendosur që të nesërmen në mëngjes të një dite të caktuar të muajit dhjetor 1941, të kapin hebrenjtë e këtij qyteti e t’i çojnë në Poloni, në kampin e tmerrshëm. Pasi e marrin vesh, në mesnatë, të veshur me zhele e të nxirë në fytyra me qymyr, marrin rrugën në këmbë e kalojnë në territorin që kontrollohet nga italianët e mbërrijnë në mëngjes në Prishtinë. Atje i del dikush para e i drejton për tek spitali civil i qytetit, drejtor i të cilit është Spiro Lito, gjirokastrit, doktor. I porositur nga vetë Kryeministri Kruja, që është kryeministër edhe për territoret e aneksuara të Kosovës, i kërkohet tij që të njoftojë të shtruarit në spital që të largohen për dy ditë, sa të bëjnë dezinfektimin e spitalit e pastaj të paraqiten prapë. Të sëmurët lanë spitalin. Me një shpejtësi skëterrë, të gjithë hebrenjtë e ardhur në qytet, drejtohen, të sugjeruar, tek spitali i zbrazur tashmë e fshihen aty. Nuk vonon e shihen motoçikletat gjermane që kanë shkelur protokollin e kanë hyrë pa autorizim në Prishtinë, në territorin që kontrollohet prej italianëve. Janë në kërkim të hebrenjve, që janë zhdukur pa nam e pa nishan nga Mitrovica, por që një informacion i ka thënë atyre se kanë mbërritur në Prishtinë. Prandaj, ia kanë mësyrë këtij qytetit. Sillen, kontrollojnë, rrinë në pritje, gjurmojnë rrugë, rrugica e qoshe, por nuk gjejnë asgjë. Por nuk mbaron me kaq, sepse është e nevojshme që hebrenjtë të shpërngulen prej andej, që të mos bien viktimë e reprezaljeve të tjera të papritura të gjermanëve e pra lind nevoja që të nisen për në Shqipëri. Kalojnë kufirin e me autorizim të kryeministrit Kruja, mbyllen sytë e futen këtu. Pastaj, struken dikush në një vend e dikush në një vend tjetër e fshihen, treten, si kripa në ujë, pa e marrë vesh askush se ku gjenden.
Ndërkohë, nga informatorë të ndryshëm, njoftohet konsulli i përgjithshëm Martin Schliep se hebrenjtë që kanë ikur nga Mitrovica janë në Shqipëri, të strehuar, që kanë kaluar kufirin nga Kukësi me bekimin e zotit Mustafa. Atëherë, zoti Schliep i kërkon, në zyrën e kryeministrit, informacion për personat që kanë kaluar kufirin dhe a ka ai dijeni për një kalim të tillë. Zoti Kruja mohon se hebrenj kanë kaluar kufirin me dijeninë e tij. “Ka mundësi që të kenë mbërritur, por jo në rrugë zyrtare, nuk janë paraqitur në pikat e kalimit kufitar, por kanë kaluar tinëzisht, ilegalisht!”. Ia doli për herë të dytë të largonte gjurmët nga hebrenjtë. Schliepi u përpoq që ta kërcënonte, duke i thënë se nëse do ta verifikojmë se ke dorë në këtë mesele ose se fsheh informacionin, ju që po prishnin marrëdhëniet mes anëtarëve të aleancës , do të jepni llogari. Por zoti Kruja nuk u lëkund.
Desha të kujtoj edhe se ata që kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, kudo në Evropë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, i kanë emrat e tyre në mure, në një bulevard, në Jerusalem, që quhet Jad Vashem, rruga e të drejtëve të kombeve. Atje janë shumë e shumë prej atyre që rrezikuan seriozisht jetën për të panjohurit që i ranë në derë. Shqiptarët kanë 69 emra të tillë. Por mungojnë edhe emrat e Mustafa Krujës, Ibrahim Biçakut, Kol Bib Mirakës, Xhafer Devës e Mehdi Frashërit e shumë e shumë të tjerëve, njerëz të thjeshtë, që nuk janë përfshirë deri tashti.
Kur isha në Izrael, në vitin 2018, më qëlloi të njihja një hebre, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Gjermania për atje. Iu prezantova si shkrimtar. Më pyeti se çfarë po shkruaja tani. I tregova se “kam në dorë një histori të shpëtimit të një familjeje hebrenjve, familjes Rabinovitz nga Vjena, e cila vjen të kërkojë strehim e shpëtim në Shqipëri!”. Kur ai mori vesh për fabulën e romanit e u njoh me faktin se burra shteti kanë rrezikuar jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve, më pyeti: “a i është mirënjohëse Shqipëria këtyre burrave të mëdhenj që kanë rrezikuar jetët e tyre, duke shpëtuar të panjohurit? Janë treguar në lartësinë e një humanizmi shembullor?”. I thashë se Shqipëria i çoi në plumb të gjithë, si armiq të popullit të vet. “Kanë shpëtuar njerëz të popullit të huaj e kanë tradhtuar popullin e vet? E pamundur!”. U shpreh me keqardhje hebreu në moshë. “Po”, – i thashë, – “ky paradoks na ra për hise!”. “Tragjik populli i juaj deri në absurd!” – më tha.
Sot, pra, Kruja për gëzon jo vetëm se po nderon birin e saj, Mustafa Krujën, por edhe për gjë tjetër shumë më të madhe, shpresëdhënëse për çdo njeri: po përsërit këtu, sy të gjithëve, mësimin që Zoti na e jep pa pushim, edhe pse njerëzit janë të leshtë e të ngadaltë të kuptojnë e të padurueshëm në kohën e veprimit të tij: drejtësia vonon, por nuk harron kurrë të vijë.
Lavdi veprës së zotit Mustafa Kruja dhe gëzim për mësimin e madh moral që po marrim përsëri.