nga MSc. ALBERT HABAZAJ/
Pikërisht, ditën e Bajramit të Vogël, në qytetin e Vlorës Shoqata Kulturore – Atdhetare “Labëria” zhvilloi një veprimtari shumë mbresëlënëse për zonjën fisnike, Vilhelme Haxhiraj Vranari, shkrimtare e njohur jo vetëm në Vlorë, Tiranë e Shqipëri, por edhe në Rajon, në Europë e deri në SHBA. Shoqata “Labëria”, nga më të njohurat në mbarë Shqiptarinë, i dorëzoi titullin më të lartë, “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË” që jep për figurat më të nderuara, me kontribute të veçanta kulturore kombëtare. Zonja Vranari ka shumë vlerësime e dekorata, por kjo dekoratë asaj i shkaktoi shumë emocione pozitive, se së pari ajo është bijë Labërie nga Kanina, me origjinë nga gjaku princor i Vrana Kontit, si dhe nuse po në Labëri, në Armen, tek z. Fitim Haxhiraj, me origjinë nga Krahësi i Tepelenës. Bashkëshorti i saj, Fitimi, me shpirt artisti, është menaxher i opusit letrar të Vilhelmes, shkrimtares, është cilësuar princeshë e letrave shqipe, Musine Kokolari e letrave shqipe. Fitimi qe dhe moderatori i kësaj veprimtarie, të cilën e çeli kryetari i shoqatës “Labëria”, për Vlorën, Z. Ahmet Demaj dhe që shpalosi tek të pranishmit vlerat letrare kulturore dhe atdhetare të Vilhelmes. Sekretari i kësaj shoqate, Albert Habazaj, u kërkoi të pranishmve 1′ heshje në nderim të poetit popullor Lefter Haxhiraj, i cili ka pak ditë, që është ndarë nga jeta. Folkori na zbukuron botën e brendshme, na bën më të mirë, më të bukur shpirtërisht. Kënga labe, si pjesë e së tërës folklorike shqiptare është gurrë popullore, është thesar i paçmuar, shufër floriri e kulturës sonë jomateriale. “Çinxërfilja” është një këngë labe e mirënjohur në rang kombëtar, një këngë polifonike, e bukur si një stinë me vajza – tha në nderimin e tij folësi. atë këngë e këndon grupi polifonik i Armenit, me marrës të magjishmin këngëar lab, Rramën Nuredini. Këtë këngë Artistja e famshme, Aurela Gaçe e ngriti në një majë tjetër artistike, nga e cila e shijojnë të gjithë artdashësit nëpërmjet televizionit, koncerteve të shumta brenda dhe jashtë vendit etj. “Cinxërfilja”, si çdo krijesë artistike, kishte patjetër një baba. “Cinxërfiles” i vdiq babai. Ju kërkoj, Miq Të Krijimit, të Vilhelmes dhe të fitimit, të mbajmë 1′ heshtje në kujtim të babait të “Cinxërfiles”, atij që bëri këtë lirikë popullore brilante,nëkujtim të të paharruarit Lefter Haxhiraj, i cili është dhe vëllai i Fitimit”. Më tej veprimtaria rrodhi në shtratin e saj të bukur, me fjalën e kulluar e të meçur të Prof. Dr. Eshref Imeri, ardhur enkas nga Amerika dhe me përshëndetjen e shkrimtarit të persekutuar Bedri Çoku. Shkrimtari dhe publicisti Albert Habazaj lexoi dy letrat që e nderuara Nimfa Hakani, i dërgon nga Amerika Shoqatës “Labëria” dhe mikeshës së saj, Vilhemes, të cilat u duartrokitën nxehtësisht nga pjesëmarrësit në aktivitet. të dy letrat po i dërgojmë për botim në gazetën tonë të dashur “Dielli”. Në vijim, Poeti i talentuar fierak Gentian Banaj, me origjinë nga Kanina, me zërin e tij, si artist i lindur, me shpirtin e tij të bukur si pranverë, interpretoi vargje nga krijimtaria e autores që nderojmë. Profesor Maku Pone, shkrimtar dhe poet, i njohur në rang kombëtar, erdhi nga Fieri me kënaqësi, pa e përfillur moshën e bardhë dhe bëri vlerësime serioze për krijimtarinë letrare, publicistike, shoqërore, politike dhe atdhetare të zonjës Vilheme Vranari Haxhiraj. Veprimaria u bë më emocionale, kur nënkryetari i Përgjithshëm i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Msc. Sejmen Gjokoli i dorëzoi Çertifikatën e nderit “Personalitet i Shquar i Labërisë”, shkrimtares së palodhur e prodhimtare Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila, me fisnikërinë e saj, pasi falënderoi, përcolli mesazhe mirëkuptimi,harmonie, ekuilibrash e dashurie për njeri -tjetrin, Atdheun dhe kulturën e këtij populli vital. Veprimtaria u pasqyrua nga “Tv 6 + 1 Vlora” dhe Tv “APOLON”, Fier, si emision special.
Letër Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria,
Të nderuar bashëatdhetarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim vlerash të shpirtit lab që kombin e ka vënë gjithmonë mbi veten,
Të nderuar miq Vlonjatë që zini një vend të posaçëm në zemrën time,
Quhem Nimfa Hakani. Ju përshëndes nga ShBA, ku kam vite që jetoj e punoj bashkë me fëmijët e mi. Unë i kam kaluar 12 vitet e para të fëmijërisë sime në Vlorë. Po marr shkas nga kjo ngjarje të përkujtoj Vlorën që unë njoh dhe që ja ndjej mungesën. Kam një mall të patregur për detin, dhe kujtimet më të mira për vlonjatët bujarë e mikpritës, për shoqet e fëmijërisë dhe për mësuesit e përkushtuar vlonjatë, që më kanë dhënë dijet e para në bangat e shkollës, si mësuesja e rreptë por edhe e dhëmbshur Fotinia(shkolla e muzikës), dhe veçanërisht mësuesit e përkushtuar të shkollës “Halim Xhelo”. Nuk e harroj të mrekullueshmen Mësuese Lejla Shehun, që na magjepste ne si fëmijë, dhe na bënte të mësonim çdo ditë me devocion dhe na frymëzonte që detyrat t’i bënim pa asnjë gabim. Gjithmonë do ta kem në kujtesë, Mësuesin Kristaq Suli, që megjithëse asnjëherë nuk pata rastin ta kem mësuesin tim, më ndalonte korridoreve, mua dhe nxënësit e tjerë, e na hiqte veshin kur ne si fëmijë shkelnim rregullat e shkollës me çapkënllëqet tona, dhe që, i shtinte “tmerrin” nxënësve, të cilët asnjëherë nuk guxonin të shkonin të papërgatitur në lëndën e tij. Apo Daut Shtinon, mësuesin e fizikës që i merrte nxënësit e tij në tarracën e “Halim Xhelos” që të shikonin konstelacionet e yjeve,i cili më bënte mua të ndihesha keq që isha e vogël dhe nuk mund të shkoja dot me tim vëlla të shihja yjet.
Të nderuar Miq,
Po ju shkruaj për të përshëndetur Znj. Vilhelme Vranari-Haxhiraj për vlerësimin që do t’i jepet nga ana juaj këtë fundjave. Kisha planifikuar të vija në Shqipëri gjatë periudhës shtator-Tetor, dhe do të dëshiroja të isha midis jush për të uruar dhe përgëzuar miken time të mirë, për nderimin që do të marrë nga ana juaj në këto çaste, por gjërat rrodhën në mënyrë të tillë që nuk munda të vij. Duke mos mundur të jem atje, do t’ju kërkoja që të më bënit një nder të veçantë, të lexonit rreshtat e mëposhtëm të një shkrimi dedikuar grave shqipëtare me rastin e 8 Marsit 2014 dhe për të cilin jam frymëzuar nga zonja Haxhiraj që ju po e vlerësoni kaq lart.
Do të dëshiroja që sot ky shkrim t’i dedikohej si një urim Vilit, gruas që kaq shumë i ka dhënë qytetit të Vlorës.
Ju faleminderit për këtë mundësi.
Shpresoj se do të ma plotësoni këtë dëshirë!
Me respekt,
Nimfa Hakani
Letër për Vilhelme Haxhirajn
Gruas, që mbijetoi epokat dhe përsëri jeton mes dritë- hijeve të kohës!
”Mjeshtres së Madhe”Vivra dhe atyre grave që mposhtën vështirësitë dhe sot janë vetvetja.
Jeta shpesh është e padrejtë, e dashur mike… kudo që je. Veçse ndonjë herë është mizore e katile me disa njerëz, kur sistemi totalitar i pesëdhjetë vjetëve, u mundua ta thyejë shpirtin e shumë njerëzve pa arsye, por nuk mundi të ndrydhë shpirtin dhe forcën e karakterit tënd. Nuk mundi të shkatërrojë atë që ti ishe dhe u formove. Nuk mundi të transformojë atë që ti zotëroje si njeri. Ai sistem nuk ta ndrydhi apo tjetërsoi dot forcën tënde, sadoqë u mundua me çdo lloj mohimi dhe mënyre. Qoftë ty që të shtypi, qoftë ty që të “emancipoi”… dhe ti prapë ia dole mbanë.
Shumë njerëz që u trajtuan keq në atë sistem, humbën. Sot nuk ndihen e nuk i njeh njeri, Ata janë të thyer, të humbur, apo mbase nuk janë më. Ndërsa ti arrite të mbijetosh, ti arrite të kapërcesh pamundësitë, arrite të shkëlqesh si njeri,si grua, si krijuese në fushën e letërsisë,të shtypit e politikës,fal individualitetit tënd, fal forcës tënde shpirtërore, fal vetmohimit dhe inteligjencës tënde. Ti sot je një personalitet në qytetin tënd, në lagjen tënde, në komunitetin tënd e më gjerë. Madje respektohesh e nderohesh nga të dyja anët e ngastrave. Ti mbase, shpesh qëndron thjesht brënda mureve të shtëpisë tënde duke përhapur fjalën e shpirtit tënd në eter për të gjithë ata që ta dëgjojnë.
Sot je në një nivel që mund të ndihmosh të tjerët, pa patur pushtet, pa fituar asnjë post administrativ, por vetëm me forcën e karakterit tënd dhe të fjalës tënde.Ti jep një ndihmë të thjeshtë, një këshillë, thua një fjalë të ngrohtë nga shpirti yt dhe ato mbajnë, jo forcën e pushtetit, por forcën e shpirtit tënd femëror. Dhe në këtë përkrahje, ti arrin të kapërcesh mohimin dhe t’i”harrosh” ato ura e barriera që ndajnë edhe sot e kësaj dite në ngastra blu dhe të kuqe shumë shpirtra në Shqipëri; ura dhe barriera që po vazhdojnë ta dëmtojnë kombin po në atë mënyrë si e dëmtuan, e kufizuan për 50 vjet që të ecte me hapin e Europës dhe ende po e mbajnë atë peng, në një ngujim që po kthehet në një mur ndarës të shëmtuar pothuaj treçerek shekullor edhe tashti. Ti si grua ngrihesh mbi këtë mentalitet. Ti i thyen barrierat. Ti i kapërcen dhimbjet e tua njerëzore. Ti ngrihesh mbi nivelin e kohës dhe shikon të ardhmen në sy.
A e kupton lartësinë që ke arritur si njeri, mikja ime? Vështro rreth e qark dhe vur re ku ke arritur vetëm me aftësitë e tua.
Kurrë mos e harro këtë sado keq që mund të ndjehesh sot për çfarëdo arësye apo halli, që gjendja e sotme ekonomike dhe politike i bën shumë shqiptarë të ndihen keq dhe të përjetojnë pasiguri . Mos i lër ato hije të të mposhtin! Mbaje kokën lart, mikja ime! Zoti do të shohë një ditë ty dhe Shqipërinë dhe do të bëhet më mirë!
Por, ti e ke bërë Shqipërinë tashmë një vënd më të mirë, duke dhënë nga shpirti yt dhe zemra jote gjithëçka të mirë e të bukur që ti zotëron. Le të shpresojmë për më mirë, le të shpresojmë që ekonomia botërore nuk do të bjerë më, që ekonomia shqiptare do ta marrë veten, që politikat shqiptare nuk do të jenë më ndarëse, që ngujimit ku e kemi futur veten do t’i jepet fund së shpejti.Atëherë asgjë nuk do ta ndrydhë shpirtin tënd dhe që ne të gjithë do ta shohim njëri- tjetrin drejt në sy pa mbrapshtësinë me të cilën e shohim sot. Shqipëria ka nevojë për ty, për shpirtin tënd të gjërë, për fjalën tënde të ngrohtë, për mëndjen tënde të mprehtë.
Mikja ime…Vili!
Ti je gruaja! Ti je dhembja! Ti je shpirti ! Ti je guximi! Ti je e pamundura! Ti je lindja dhe rilindja! Ti je e ardhmja e Shqipërisë! Ti je jeta!
Me dashuri e respekt!
Nimfa Hakani Nju Jork, 7 Mars, 2014
Shefqet says
Mirenjohje per kete bije te Laberise qe i ben nder gjithe Shqiperise.
Shefqeti
Durres
Fritz Radovani says
Nje zonje e nderueme qe i ka shoqet e rralla! Edhe Europa do t’ ishte krejt ndryshej po te kishte disa si kjo Zonje nder vendet e tyne. Asnjehere nuk i shperblehet vlera e madhe e shkrimeve te Saja! I uroj jete te gjate e shendet!
Me shume respekt Fritz Radovani.