Nga dr. Sadik Elshani/
Në mjediset e saj shoqata “Bijtë e shqipes” dhe familja organizuan një veprimtari përkujtimore për të kujtuar e nderuar jetën dhe veprën e Maliq Arifajt, i cili u nda nga kjo botë më 24 shtator 2024. Për raste të tilla amerikanët e kanë një shprehje të bukur, të përshtatshme: “Celebrating the life” (“kremtojmë jetën”). Edhe ne ishim tubuar për ta kremtuar jetën e Maliqit, për t’i shprehur nderimet tona për veprimtarinë e tij shumëvjeçare në shërbim të komunitetit, në sherbim të çështjes kombëtare, sidomos asaj kosovare.Maliqi, si njeri i përzemërt e plot mirëkuptim, tërë jetën është angazhuar për bashkimin e komunitetit tonë, për të qenë gjithmonë pranë njëri – tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira. Prandaj, edhe salla ku u zhvillua kjo veprimtari ishte mbushur plot me bashkatdhetarë, familjarë e farefis, si dhe bashkëveprimtarë të Maliqit ndër vite. Merrtte pjesë vajza e tij, Syzana me bashkëshortin, djali, Justin, me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij, si dhe partnerja e tij shumëvjeçare, zonja Valerie Daëson, së bashku me vajzën dhe dhëndrin. Merrnin pjesë edhe shumë miq të tij amerikanë. Ishte kjo fryma, porosia e jetës së Maliqit që na bëri bashkë në këtë veprimtari. Fëmijët e tij kishin sjellur disa albume të organizuar bukur e me fotografi të shumta nga të gjitha fazat e jetës së Maliqit, disi sikur e ndienim praninë e tij në mesin tonë.
Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili i përshëndeti të pranishmit duke ifalenderuar për pjesëmarrjen e tyre për të kremtuar jetën e Maliq Arifajt. Ai pastaj tha disa fjalë dashëmirësie për Maliqin si anëtar i nderuar i shoqatës sonë dhe si veprimtar shumëvjecar i komunitetit shqiptaro – amerikan, angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fjalën e rastit e mbajti z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve. Ai i bëri një pasqyrë të shkurtër jetës dhe veprimtarisë atdhetare të zotit Arifaj, takimet e bisedat me të, kryesisht për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova për t’u bërë një shtet modern e demokratik. Ai pastaj u përqëndrua te veprimtaria atdhetare e Maliqit dhe organizatës.Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. (RShKBL), ku ai ishte sekretar ekzekutiv, organizimin e demonstrative në mbështetje të shqiptarëve në ish Jugosllavi, shkrimin dhe shpërndarjen e pamfleteve dërguar personaliteteve e institucioneve me influencë në politikën amerikane si dhe atë ndërkombëtare. Duke folur për personalitetin dhe karakterin e Maliq Arifajt, z. Elshani u shpreh: “Maliqi ishte një person i përzemërt, kishte një shpirt fisnik e të pastër, një ndershmëri të tejskajshme, natyrë të qetë e një komunikim shumë të ngrohtë e njerëzor. Ishte një atdhetar i flaktë, veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, sidomos asaj kosovare.E donte Shqipërinë e donte Kosovën, Amerikën – atdheun e tij të dytë, i donte shqiptarët, i donte njerëzit e mirë, përparimtarë e democratë. Maliqi mishëronte, pasqyronte virtytet më të mira të popullit tonë: besnikërinë, mikpritjen, qëndresën, dashurinë e pakufijshme për kombin e atdheun, ndjenjën e sakrificës, respektin për njëri – tjetrin. Rrezatonte mirësinë njerëzore dhe frymën pozitive për bashkim. Dallgët e jetës, përvoja jetësore në kohëra të jashtëzakonshme e kishin kalitur karakterin e tij burrëror, njerëzor e atdhetar. E respektonte mendimin e tjetrit, por ishte konsekuent e i palëkundshëm në bindjet dhe qëndrimet e tij për çështje të ndryshme. Gjithmonë zemërgjërë e bujar”.
Pastaj z. Lumni Shurdhiqi tregoi për miqësinë e tij me Maliqin apo siç e quante ai, baci Maliq. Lumniu si refugjatë i dëbuar nga Kosova nga forcat serbe, ishte takuar me Maliqin në bazën ushtarake Fort Dix, ku Maliqi shërbente si përkthyes. Miqësia e Lumniut dhe shokëve të tij kishte vazhduar deri në castet e fundit të jetës së Maliqit. Ata e respektonin Maliqin jo vetëm si shok, por edhe si vëlla të madh, si prind.
Me shumë emocione për babain e tyre folën edhe fëmijët e Maliqit, Syzana dhe Justini. Ata treguan se ai punonte shumë për ta mbajtur familjen, ndërsa të dielave e kalonte tërë kohën duke folur me familjen dhe të afërmit në Kosovë. Duhet theksuar se për shkak të angazhimeve të tij politike ai nuk ka mundur ta vizitojë familjen për 33 vite. Fëmijët treguan se pritja e Vitit të Ri gjithmonë ishte për të diçka shumë e gëzueshme me shpresë se Viti i Ri do të sjellë edhe diçka të re, shpresë të re.
Në fund të kësaj veprimtari u shfaqen tri video që kishin dicka të përbashkët me rrugëtimin e jetës së Maliqit: një video me pamje të fshatit të tij të lindjes, Peqan (komuna e Suharekës/Therandës), prej nga ishin rrënjët e tij; videoja tjetër ishte një fragment nga poema e Naim Frashërit, “Bagëti e bujqësi”, recituar me plot artistëri nga aktori, Prokop Mima. Edhe Maliqi, sikurse poeti, gati tërë jëtën e tij në mërgim – larg atdheut, i përmallshëm për natyrën dhe çdo gjë shqiptare. Maliqi e ka adhuruar këngëtaren tonë të madhe, Nexhmie Pagarusha, të cilëm e kishte patrë në një koncert në Nju Jork. Një herë gjatë një bisede më tha se kur të shkonte në Kosovë donte që gjithësesi dikush ta çonte te varri i Nexhmies për t’i shprehur nderimet e tij. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, vdekja e rrëmbeu edhe Maliqin. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që kjo veprimtari të përmbyllej me një këngë të Nexhmie Pagarushës, dhe pikërisht këngën e saj më të njohur, “Baresha”.
Për të gjithë të pranishmi fëmijët e Maliqit shtruan një darke-koktel me ushqime e pije të llojllojshme – një kafshatë bukë për Maliqin. Edhe gjatë koktelit të pranishmit ndanin me njëri – tjetrin kujtime nga takimet e bisedat me Maliqin, shfletoni fotografitë nga albumet familjare, të përgatitur e të ruajtur bukur.
Është një gjest fisnik e njerëzor kur nderohen e kujtohen veprimtarët e devotshëm të komunitetit tonë, sidomos ata që me vite janë angazhuar për çështjet kombëtare. Në listën e gjatë të atyre që vepruan për lirinë e pavarësinë e Kosovës një vend të merituar zë edhe Maliq Arifaj dhe organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. Dy vite më parë me rastin e festimeve të pavarësisë së Kosovës, shoqata e ka nderuar atë me Certifikatë Mirënjohjeje. Gjithmonë qoftë i kujtuar – u prehtë në paqe!
Philadelphia, më 12 nëntor 2024.