
Nga Lindita Komani
Nëntor 2021/
Rindërtimi i kontributit të Midhat Frashërit në letra, kulturë, politikë dhe diplomaci po ndodh që prej disa vitesh përmes punës së palodhur të Dr.Uran Butkës dhe bashkëpunëtorëve të Institutit “Lumo Skëndo” në Tiranë.
Mbërritur në vëllimin VI që sjell një pjesë të leterkëmbimit të Midhatit prej vitit 1896 deri në korrik të vitit 1921, njihemi dhe përjetojmë zërin më intim, më të thellë, më elokuent dhe njëkohësisht më të rreptë të tij si një personalitet i epërm i botës shqiptare. Ia ndiejmë më të fortë dhe më të afërt shqetësimin për zhvillimet kombëtare, për shpalljen e pavarësisë, qeveritë e krijuara pas shpalljes të pavarësisë, për luftën dhe paqen, për ngjarjet e ditës, për hulumtimet në zhvillim e sipër, për informacionin e munguar nga Shqipëria, për përpjekjet e përditshme për të çuar përpara çështjen shqiptare në marrëdhënie me miq e personalitete të huaja dhe shqiptare. Ia ndiejmë butësinë dhe finesën e spikatur në marrëdhënie me njerëzit më të afërt, të familjes, të dashurat në disa vende të Europës, miqtë në ideale.
Në vëmendje të këtij punimi qëndron rindërtimi i veprimtarisë diplomatike së Midhat Frashërit në marrëdhënie me Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve në vitet 1919 – 1921. Për këtë qëllim shqyrtuam letërkëmbimin që nis më 20 nëntor 1918 me letrat dërguar Zotit Pichon, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës dhe Zotit Harry Lamb nga Foreign Office në Londër, në vijim Zonjës Edith Durham dhe kolonelit Audrey Herbert dhe mbyllet në vitin 1922 me disa letra që në fakt do të publikohen sipas kronologjisë në vëllimin e shtatë të veprës së Midhatit, por që na u vunë në dispozicion nga Dr.Butka për qëllim të këtij punimi.
Punimi është i përbërë nga tri pjesë. Në pjesën e parë bëjmë një sistemim dhe grupim të letërkëmbimit. Në pjesën e dytë paraqesim disa karakteristika të Midhat Frashërit dhe çështje që dalin në pah gjatë leximit e hulumtimit të letërkëmbimit. Në pjesën e tretë rindërtojmë veprimtarinë diplomatike të Midhat Frashërit në periudhën e viteve 1919-1921.
- Sistemimi dhe grupimi i letërkëmbimit
Janë mbi 250 letra të ruajtura nga periudha 1919-1921, të cilat vijnë në sytë tanë përmes këtij vëllimi. Sistemuar në mënyrë kronologjike, të fusin në ritmin e kohës dhe të ngjarjeve, të lidhjeve dhe përpjekjeve që Midhati zhvillonte paralelisht dhe në vijimësi në shumë drejtime e me shumë personalitete të kohës: politikanë, diplomatë, studiues intelektualë, veprimtarë të huaj dhe shqiptarë. Është një vendim me vend nga ana e redaktorit që ka zgjedhur kronologjinë kohore si kriter për sistemimin, sepse aty ku përjeton Midhat si diplomat, politikan, studiues dhe intelektual, e përjeton edhe si njeri me pasione dhe kujdes për njerëzit e afërt dhe miqtë e idealit kombëtar.
Nga këndvështrimi i sotëm ndoshta 250 letra nuk të japin përshtypjen e një veprimtarie aq të madhe, për shkak se teknologjitë moderne i kanë dhënë politikës, diplomacisë dhe komunikimit publik një ritëm shumë më të shpejtë, si në veprim, ashtu edhe në reagim dhe pasqyrim e komentim mediatik të zhvillimeve. Por në kohën për të cilën flasim, sidomos duke pasur parasysh që Midhati vepronte si individ, pa një ekip nga pas, dhe pa pasur informacione të përditësuara çdo ditë, ritmi që përftojmë përmes leximit tregon për një angazhim personal të jashtëzakonshëm nga ana e tij, si në periudhën kur iu pengua përfshirja në Delegacionin Shqiptar në Konferencën e Paqes ashtu edhe në vijim kur përfaqësoi pranë tij Vatrën, ashtu edhe kur u zgjodh kryetar këtij delegacioni nga qeveria e Shqipërisë nën drejtimin e Iliaz Vrionit.
Sistemimi që kemi bërë me rastin e këtij punimi na lejon që ta lexojmë këtë letërkëmbim duke i grupuar letrat në:
- Letërkëmbimi me diplomatë dhe politikanë kyçë të kohës, në funksion të Konferencës së Paqes dhe Lidhjes së Kombeve.
- Letërkëmbimi me qeverinë e Shqipërisë.
- Letërkëmbimi me bashkëpunëtorët e afërt në punën e tij diplomatike ku bën pjesë: letërkëmbimi me Mehmed Konicën, Dhimitër Beratin, i cili pas përpjekjeve të përsëritura të Midhatit u bë sekretar i delegacionit në Paris dhe ndihmës i afërt i tij, Asdrenin, Fan Nolin.
- Letërkëmbimi me miqtë e idealit ku bën pjesë: letërkëmbimi me Rexhep Mitrovicën, Eshref Frashërin, Bedri Pejanin, me të cilët i lidhte jo vetëm cështja shqiptare por edhe qëndrimet e afërta politike dhe miqësi edhe përtej politikës me përkujdesje gati vëllazërore. Janë këta miq që në kohën kur Midhati u zgjodh deputet i Gjirokastrës (1921) i bënin vërejtje dhe thirrje të përsëritura për t’u kthyer nga Parisi në Shqipëri dhe për t’u angazhuar politikisht në vend, gjë për të cilën Midhatit iu desh të jepte edhe sqarimet e veta se pse nuk mund të ndodhte.
- Letërkëmbimi me miqtë e mëdhenj britanikë: me Audrey Herbert, Edith Durham dhe I.S.Barnes, pa ndihmën dhe përkushtimin e madh të të cilëve qeveria britanike mbase do të kishte mbajtur tjetër qëndrim për Shqipërinë, sidomos për kufijtë e saj, duke pasur parasysh punën e fortë propoganduese të fqinjëve tanë.
- Letërkëmbimi me personalitete studiues, intelektualë dhe veprimtarë të huaj me funksion lobimin për çështjen shqiptare ku bën pjesë: letërkëmbimi me Eugene Pittard (antropolog zviceran), Louis Doufour (hartues i një metode për mësimin e gjuhës shqipe nga francezët), Margaret Hasluck (etnologe, gjuhëtare, antropologe skoceze), Leon Lamouche (ushtarak dhe erudit francez), irlandezin La Rive Bourchier, britanikun Burton, Administratorin e Shkollës së Gjuhëve Orientale në Paris, misionarin protestant amerikan Charles Telford Erickson, drejtorin e shoqërisë “Paqe me anë të së drejtës” Th. Rinpse, Lidhjen e të Drejtave të Njeriut, Dr.Marie Rusecko nga Zyra Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve, Evan MacRury nga Komiteti Anglo-Shqiptar në Londër.
- Letërkëmbimi me shtypin e kohës sidomos atë francez, ku bëjnë pjesë letra drejtuar drejtorëve, kryeredaktorëve botuar në këto organe shtypi: L’Europe Nouvelle, La Petite Republique, L’Humanité, L’Ere Nouvelle, Le Temps, Information, Paqe nëpër drejtësinë.
- Njoftimet e Bureau de Presse Albanaise, për të cilat duhet thënë se bazoheshin në informacione të siguruara me vështirësi përmes letrave të miqve ndoshta më shumë sesa letrave zyrtare të qeverisë, si dhe përmes leximit të gazetave të huaja, një mangësi që shërben si shenjë e fortë treguese që shteti shqiptar ende ishte në fillesat e veta.
- Letërkëmbimi me veprimtarë shqiptarë në Amerikë ku spikasin: letërkëmbimi me drejtuesit e Vatrës Kolë Tromara dhe Anastas Pandele si dhe shumë letra të dërguara nga veprimtarë në qytete të ndryshme të Amerikës pas vajtjes në SHBA të Midhat Frashërit në mision për llogari të qeverisë së Shqipërisë, për të “plasuar një pjesë të huasë kombëtare të brendshme midis shqiptarëve të atjeshëm, pa të cilën do të mos mundim të mbushim si duhet detyrën, që na ka vënë për barrë populli” (cit. letër e Mehmed Konicës, 27 gusht 1920).
- Letërkëmbimi me veprimtarë të tjerë shqiptarë në Europë ku spikasin: letërkëmbimi me Dr.Ibrahim Temon (14 prill 1919), i cili e quajti gabim largimin e Midhat Frashërit për në Lozanë pas ndalimit nga Turhan Pasha dhe qeveria italiane që ai të shkonte në Paris bashkë me shokët e përfshirë në delegacionin shqiptar; Adhamidh Frashërin (1 gusht 1920), i cili i bën një raportim të detajuar të përpjekjeve e përparimeve të tij në raport me italianët; intelektualin, studiuesin dhe mësuesin kosovar Mehmet Vokshi, Ramiz Dacin, atdhetar dibran, senator i Këshillit Kombëtar në vitin 1920, i cili i kujton Midhatit çështjen e muhaxhirëve dibranë të cilët janë zhvendosur prej tokave të tyre për shkak se ato u pushtuan nga serbët.
- Karakteristika të Midhatit si diplomat e politikan, çështje me interes kërkimor që dalin në lexim
Është me vend që para se të kalojmë në rindërtimin e veprimtarisë diplomatike të Midhat Frashërit bazuar në letërkëmbimin e tij të ndalemi tek disa karakteristika të tij që i zbulojmë gjatë leximit dhe të cilat vlerësojmë se kanë drejtpërdrejt të bëjnë me punën dhe suksesin e tij si diplomat si dhe tek disa çështje që meritojnë hulumtim të mëtejshëm me studime të mëvetshme.
Shumë talente të mbledhura në një gjeni. Duhet të kemi parasysh që veprimtaria diplomatike shqiptare para 100 vitesh nuk e kishte luksin të mbështetej në financa që sot shqiptarët mund t’i kenë më të shumta në dispozicion. Pak fonde viheshin në dispozicion nga bujaria e emigrantëve shqiptarë në Amerikë e më pak në Europë. Shteti shqiptar sapo kishte nisur të funksiononte dhe kishte një barrë të madhe për të ngritur institucionet në vend. Ndaj, me një buxhet të kufizuar, Midhat Frashëri kryente punën e një ekipi të tërë: si gjurmues e hulumtues i lajmit, si përpunues i të dhënave dhe hartues raportesh, shkrimesh, reagimesh, notash proteste, si lobues pranë institucioneve, organizatave e intelektualëve, si studiues dhe redaktor librash studimorë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si përkthyes, si zëdhënës shtypi, si organizator i diasporës dhe anëtarëve të përçarë të delegacioneve shqiptare, dhe patjetër si diplomat.
Vetësakrifikues dhe jo oportunist. Karrierën e tij politike që mund ta kishte ngjitur shpejt në pozicionin e kryeministrit nisur nga të dhënat dhe prejardhja që kishte si bir i Abdyl Frashërit dhe nip i Naim dhe Sami Frashërit, ai e sakrifikoi në të mirë të çështjes kombëtare. Ndonëse u zgjodh deputet i Gjirokastrës, gjë që do t’i kishte dhënë mundësinë për një karriere në politikën e brendshme të Shqipërisë, që për shkak të aftësive të spikatura dhe prejardhjes tejet të vlerësuar, do t’i lejonte ngjitjen deri në nivelet më të larta shtetërore, ai qëndroi në Paris për të kryer atë punë për të cilën kishte më shumë nevojë: përfaqësimin dhe suksesin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Pas kritikave të marra sidomos nga shokët e afërt të idealit, ai shprehej:
Letër Rexhep Mitrovicës (16 mars 1921):
“Mua më duket sikur po më qortoni tue më thane se nuk due me u nda nga Parisi. Po më duket se kam fillue nji punë dhe se dua me të vërtetë me hedh themelet e nji vepre pjellore, si politikisht dhe diplomatikisht. Kena me pasë kurdoherë nevojë për ndihmën morale dhe materiale të çdo Fuqie të Madhe e aq më tepër të Francës. Edhe nji punë sado e vogël që të jetë, nuk bëhet pa durim dhe perseverencë.”
Midhat Frashëri donte të gjithë shqiptarët, shqiptarët e donin dhe e pranonin të gjithë si figurë përbashkuese. Si diaspora e Amerikës, ashtu edhe ajo e Europës, si kosovarët, ashtu edhe çamët, e gjithë elita intelektuale e priste dhe e pranonte ndërhyrjen përbashkuese të Midhat Frashërit. Kjo karakteristikë e Midhatit shprehet më së miri në dy letra të Mihal Gramenos ku ai shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e përçarë të delegacionit:
Mihal Grameno në një letër të 23 prillit 1919 i shkruante:
“Qenia jote këtu do të kish për të vënë një rregull veprimi të përgjithshëm…”
Në një letër të 14 majit, Mihal Grameno thekson përsëri:
“Nuk të kam shkruar, se ta tregova gjendjen, edhe cilido që shkruan ndryshe, të gënjen. E vërteta është që është një Babiloni midis shqiptarëve edhe kështu ka për të vazhduar, posa që udhëheqësit e sotmë s’kanë dhimkë për atdhe.
Ndalimi yt zgjedh nga të gjithë, se nuk duan honxho-bonxhot të jesh këtu, duke ditur simpatinë që ushqen për gjithë shqiptarët.”
Në një letër të 22 shkurtit 1921, veprimtari Kosovar Mehmet Vokshi i shkruante:
“Të falem nderit shumë për ndjenjat që i ruani gjithnjë për të shkretën Kosovë.
Kam më shumë siguri, që, sidomos na djelmëria e Kosovës, kemi me ua kthye me të mirë e me mos me i harrue ato mundimet, që z.jote i hjek e digjet ne zemër larg atdhet të dashun.”
Zgjidhës dhe jo krijues problemesh. Turhan Pasha e përzuri nga delegacioni në bashkëpunim me qeverinë italiane dhe ndonëse mund të kishte bërë skandal e ndoshta krijuar probleme të tjera, ai pavarësisht se u kritikua nga bashkëpunëtorët (sidomos Dr.Ibrahim Temo), u vendos në Zvicër dhe zgjidhi nga distanca dy probleme të mëdha: (1) shkroi brenda pak muajsh disa libra për Shqipërinë që u botuan me shpejtësi dhe u shpërndanë tek të gjithë delegatët në Konferencën e Paqes dhe kudo ku mund të bëhej lobim për Shqipërinë dhe shqiptarët; (2) bashkoi delegacionet shqiptare që ishin të përçarë dhe në bashkëpunim me disa veprimtarë (Rasih Dino, Sotir Kolea, Pandeli Cale dhe Hilmi Këlcyra) hartoi një apel drejtuar anëtarëve të delegacioneve shqiptare (9 maj 1919) nga i cili shkëpusim sa vijon:
“Dëshirat dhe synimet e populli tonë sot, përmblidhen në këto fjalë:
“Bashkim nën flamurin e lavdishëm të Skënderbeut për gjithë vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, në të gjitha tokat e banuara nga stërgjyshërit tanë – prej Tivari deri në Prevezë, nga Mitrovica në malin Pindus – në një shtet absolutisht dhe tërësisht i lirë, pa ndërhyrje në qeverinë tone, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë””.
…
“Ju, të nderuar Zotërinj, jeni ngarkuar me përpjekjen për integritetin dhe pavarësinë e vendit, që e kemi trashëguar prej kohërave që s’mbahen mend. Populli pret që përpjekjet Tuaja galopante do të sjellin çlirim për vëllezërit tanë trima të Kosovës dhe të Çamërisë, që po rënkojnë nën zgjedhën e të huajve.”
…
I bëjmë këto lutje nga thellësia e zemrave dhe duart tuaja janë shenjtëruar nga ne dhe nga ata që ju kanë besuar mandatet dhe me gjithë zemër ju urojmë: bashkim zemre, bashkim frymëzimit dhe bashkim për qëllimin e përparimit të Shqipërisë.”
Bindës dhe fitues në argument për shkak të zgjuarsisë, intelektit, elokuencës, oratorisë dhe frëngjishtes së përkryer. Kjo karakteristikë spikati jo vetëm në letërkëmbimin që ka pasur në këto vite me intelektualë, politikanë e diplomatë të huaj e shqiptarë por veçanërisht në Konferencën e Ambasadorëve që u mbajt në korrik dhe nëntor 1921 ku ai përfaqësoi Shqipërinë në përballje të drejtpërdrejtë me ambasadorët e Fuqive të Mëdha.
Ja se si shkruan Roger Lévy për Midhatin në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Lartë të Konferencës së Ambasadorëve, mbledhur me kërkesën e Britanisë së Madhe për shkak se Serbia nuk pranonte vijën kufitare të caktuar nga Konferenca:
“Më pastaj ngrihet z.Midhat Frashëri, delegat shqiptar: zërin e ka elokuent, gjuhën frëngjishte të përkryer. Shpreh me fjalë që i dalin nga shpirti dhe mjaft prekëse, mjerimin e madh të Shqipërisë, ndryshimet që i janë bërë vijës kufitare që prej 1913-ës, “vijë etiketuar automobilistike, vijë elastike…vijë hipotetike!”.”
Vizioni i tij për marrëdhëniet me jashtë. Midhati kërkonte vëmendje për nga SHBA dhe Britania e Madhe, shkëputje nga Italia dhe shkëputje të plotë dhe mbrojtje nga provokimet turke siç ishte rasti me deklaratat e Mustafa Kemalit, “sipas së cilave oficerë me origjinë shqiptare që shërbenin në ushtrinë turke na qenkan lejuar të kthehen në Shqipëri, me qëllim që të shkaktojnë konflikt midis këtij vendi dhe Greqisë” (cit. Njoftim i Zyrës Shqiptare të Shtypit, 24 qershor 1921).
Kohën e “burgosjes në Romë” (shkurt-prill 1919) Midhati e shfrytëzoi për t’u takuar me konsullin amerikan në Torino, z.Emerson Haven, i cili ishte edhe shkoi në mision në Shqipëri për të raportuar në vijim në Washington dhe në delegacionin amerikan në Paris. Në këto biseda, sikurse ai shkruan në letër, ka theksuar “se Amerikës i duhet bërë apel për ndihmë, mbështetje ushtarake në kufijtë e vendit, që të pengohet tradhtia greko-sllave; ky kontingjent i vogël amerikan, duhet të përforcohet nga shqiptarët, që kanë marrë pjesë në luftë në Francë, në radhët e amerikanëve” (cit. Letër për Kolë Tromarën, 8 mars 1919). Ky vizion i Midhatit lidhur me Amerikën gati tetëdhjetë para luftës së Kosovës apo edhe njëqind vjet nga viti 2021 kur politika shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e më gjerë në krejt rajonin thërret për vëmendje e mbështetje nga Amerika, e dëshmon qartë sesa shumë vizionar ka qenë Midhati.
Vizioni i tij përparimtar politik, por njëkohësisht kuptimi i tij i drejtë i shqiptarëve dhe mentalitetit të tyre. Me vizionin e tij ai ishte ekzaktësisht në qendër të spektrit politik, pak i anuar djathtas. Ky vizion shprehet thjesht e bukur në një letër që Midhati i dërgonte Morton Frederik Edenit, anëtar i komitetit anglo-shqiptar, konsull i Shqipërisë në Gjenevë, i cili kishte shprehur shqetësimin se në Shqipëri kishte një lëvizje bolshevike:
“Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet se ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Është kjo mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist. Ndoshta, duhen shtuar, gjithashtu, edhe ndjenjat e të krishterëve kundër bejlerëve dhe agallarëve myslimanë, gjë shumë e natyrshme pas shembjes së regjimit turk e mysliman.”