INTERVISTË EKSKLUZIVE PER GAZETEN DIELLI NE SHBA ME STUDIUESEN E RE NGA SHKODRA, MR. LEONORA LAÇI/
INTERVISTOI: Mikel GOJANI/
Të bisedosh me studiuesen e re dhe mjaft të frytshme nga Shkodra, mr. Leonora Laçi, do të thotë të kesh shumë motivacione. Leonora Laçi, tashmë emër i njohur i fushës së historiografisë dhe publicistikës sonë. Kohë më parë ka botuar librin e saj me titull: “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1955-1955”, libër që është mirëpritur nga lexues të shumtë në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Temat bosht të bisedës me studiuesen Laçi, kanë të bëjnë për motivacionin që ka nxitur për t’u marrë me fushën e historisë dhe publicistikës; si i është pritur nga lexuesit e shumtë dhe kritika letrare libri i parë tepër i rëndësishëm dhe me interes dimensional; çfarë tematike bosht ngërthehet në këtë libër; cili është roli i përfaqësuesve më të denjë të emigracionit politik në përpjekje për të ndryshuar regjimin komuniste në Shqipëri, përpos kontributit dhe rolit të disa figurave të shquara të nacionalizmës sonë; si të Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Ndue Gjon Markut, Gjon Marka Gjonit, Alush Leshanakut, Ernest Koliqit, Hamit Matjanit dhe shumë të tjerëve, po figura Mbretit Zog, çfarë vendi zë, gjegjësisht farë roli përfaqëson në këtë periudhë kohore etj., etj.
Puna ime sapo ka nisur dhe e di që kam rrugë të gjatë përpara
- Studiuesja Laçi, emri i juaj si studiuese e frytshme dhe kualitative ka depërtuar edhe jashtë kufijve kombëtar, për të qenë edhe më afër lexuesve tuaj të shumtë, konsiderojmë që do të kishte qenë mirë që të na jepni një jetëshkrim tuajin. Pra, kush është Leonora Laçi?
Leonora Laçi: Ju falënderoj së pari për interviste, më vjen mirë që emri im po lakohet dhe në diasporën shqiptare, pasi unë jam në hapat e para dhe mbështetja është e rëndësishme. Unë jam një studiuese nga Shkodra, ku me përkushtim i kam hyrë fushës së studimeve, jam diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Filologji-Histori dhe kam mbrojtur Masterin Shkencor për Histori. Ndërkohë jam angazhuar dhe me shkrime të karakterit historik si dhe kam bërë studime të herë pas hershme duke marrë pjesë me tema të ndryshme në Konferenca shkencore. Puna ime sapo ka nisur dhe e di që kam rrugë të gjatë përpara, por me besim në vetvete mendojë se mund t’ja arrijë.
- Cili ka qenë motive i juaj për t’ju qasur fushës së historisë?
Leonora Laçi: Dihet që shkollimi, edukimi në fushën e Historisë është parësorë që unë ju futa kësaj rruge. Por, dëshira lindi pasi vëreja që mungonte fryma e historisë ndryshe, nxitja kryesore për këtë u bë veprimtaria e Kolonel. Xhemal Laçit, që ishte pjesë e mërgatës politike, e kështu duke hulumtuar për Kol.Xhemalin mësova se historia që ne kishim mësuar ishte e paplotë dhe ishte pasqyruar vetëm njëra anë e medaljes, kështu dalëngadalë u inkuadrova në fushën e historisë e konkretisht me veprimtarinë e mërgatës. Në formimin tim kanë pasur ndikim shumë miq studiues e intelektualë nga të cilët mësova shumë.
Studimi im ka në qendër veprimtarinë e këtij komiteti që mblodhi rreth saj personalitetet më në zë
- Jo shumë kohë më parë keni botuar librin e parë të titulluar “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955”, çfarë ngërtheni në brendinë e këtij libri, përkatësisht, çfarë mund të shtoni rreth temës bosht që keni marrë si subjekt në këtë libër?
Leonora Laçi: Ky studim, ngërthen një periudhë delikate për Shqipërinë që kishte dal nga një luftë botërore që e kishte dërrmuar, por dhe më e dërrmuar do jetë pas saj, pasi pushteti që u vendosë do e mbajë vendin me “gjak dhe hekur”. Fakti që Shqipëria po kthehej në një shtet diktatorial, e tregon më së mirë dhe qëllimi i mërgatës për ta parandaluar këtë gjë. Fokusi im rreth viteve 1944-1955, pra një hark kohorë 10-vjeçar lidhet pikërisht me kohën që kemi intensifikimin e përpjekjeve për ta destabilizuar regjimin në pushtet. E veçanta e këtyre përpjekjeve ishte dhe mbështetja anglo-amerikane deri në krijimin e asaj qeverie në mërgim që u quajt “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë”. Studimi im ka në qendër veprimtarinë e këtij komiteti që mblodhi rreth saj personalitetet më në zë, por pa lënë anash dhe individëve të caktuar që kishin peshë të veçantë dhe nuk mund të anashkaloheshin. Studimi bazohet në dokumente arkivore, kujtime, ditarë e rrëfime si dhe një literaturë e pasur, duke e bërë më të plotë. Ky studim është i pari i këtij lloji për këtë periudhë historike kushtuar mërgatës politike.
- Çfarë ju ka nxitur që të merreni pikërisht me këtë temë shumë të rëndësishme dhe me interes dimensional, që ka të bëjë për emigracionin politik duke u fokusuar brenda një periudhe të caktuar?
Leonora Laçi: Siç u shpreha më lartë ishte figura e një eksponenti të mërgatës (Kol.Xhemal Laçit) që më bëri të studioja më thellë për kontributin dhe rolin e mërgatës shqiptare për ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Për mërgatën ishte shkruar njëanshmërisht, dokumentet arkivore hedhin baltë mbi aktivitetin e tyre duke i cilësuar si “diversanta” “kriminelë lufte”,”banditë” etj. E kështu, i hyra kësaj rruge për të sjellë qasje tjetër nga ajo që kishim mësuar nga historiografia komuniste si dhe metodologjia e shkuarjes së historisë, pra studimi im për emigracionin ka ballafaqim dokumentesh e faktesh, duke u përpjekur që të qëndrojë objektive dhe e ftohtë, pa mbajtur asnjë anë politike, as majtas as djathtas. Nuk e di nëse ja kam arritur qëllimit apo atij misioni që të qëndrojë sa më neutrale. Veprimtaria e mërgatës duhet të zërë vendin që i takon në historiografinë shqiptare. Ky studim është një reflektim për të gjitha krahët politike, është një mesazh që vetëm të unifikuar mundet të veprohet në dobi të kombit. - Sipas Jush, cili është roli i përfaqësuesve më të denjë të emigracionit politik në përpjekje për të ndryshuar regjimin komuniste në Shqipëri, dhe cila është ndihma dhe përkrahja e faktorit ndërkombëtarë për t’ju dhënë mbështetje këtyre forcave nacionaliste që vepronin në emigracion për të ndryshuar regjimin në pushtet?
Leonora Laçi: Ajka e nacionalizmit shqiptar kishte marr tre drejtime:
– një pjesë zgjodhi arratisjen jashtë vendit si mundësi më të pranueshme por jo të lehtë;
– një pjesë vuajti në burgje dhe internime, ku ju bënë dhe gjyqe duke i akuzuar me lloj-lloj akuzash vetëm që ti spastronin;
– një pjesë zgjodhi vazhdimin e luftës nëpër bjeshkët e thella deri sa u vranë. Secili pati rolin dhe peshën e vet, qoftë si individ, qoftë si grup politik. Sa i takon ndërkombëtarëve anglo-amerikan ata e kuptuan ndonëse vonë që në Shqipëri kishin lejuar deri dhe mbështetur deri diku një grupacion që përveç se mori pushtetin, ata u futën gjithnjë e më shumë në gjirin e lindjes dhe Bashkimit Sovjetik.
Kështu anglo-amerikanët ranë dakord që -“ të luftohej Bashkimi Sovjetik në hallkën më të dobët të tij”, por që rezultoi hallka më e fortë përderisa përpjekjet e mërgatës patën fund të hidhur.
- Për të sublimuar punën e frytshme të këtij libri ju jeni ndeshur edhe me vështirësi të mëdha, ashtu siç ndeshet çdo studiues në cilëndo fushë studimore, prandaj çfarë mund të shtoni rreth sfidave dhe vështirësive me të cilat jeni përballur deri në finalizimin e këtij libri?
Leonora Laçi: Vështirësitë kanë qenë të panumërta, që nga ato financiare që është dashur një shpenzim kolosal, udhëtimet e vazhdueshme Shkodër-Tiranë nëpër arkiva si në AQSH, AMPJ, AMPB, shpenzime që vetëm ai që rend nëpër arkiva i di. Por e gjithë kjo nuk ishte asgjë në krahasim me vështirësitë që jam përballur me dokumente të njëanshme, duke u përpjekur që ti marr me rezerva, apo duke i krahasuar e argumentuar, e gjithë kjo për të mos rënë pre e propagandës së asaj kohe, shpesh kam ngecur por fal këmbënguljes dhe vullnetit personal e durimit ja kam dal. Por s’do ja kisha arritur pa mbështetjen e mërgatës shqiptare në ShBA të cilët më kanë pajisur me botime të mërgatës.
Mbretit Zog asnjëherë nuk i ndali përpjekjet në emigracion për të ndryshuar regjimin në Shqipëri, dhe figura e tij nuk mund të anashkalohet, kjo vërehet në dokumentet anglo-amerikane
- Ju në libër keni potencuar dhe keni folur për rolin dhe kontributin e madh të disa figurave të shquara të nacionalizmës sonë, si të Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Ndue Gjon Markut, Gjon Marka Gjonit, Alush Leshanakut, Ernest Koliqit, Hamit Matjanit dhe shumë të tjerëve, po figura Mbretit Zog, çfarë vendi zë, gjegjësisht sipas jush çfarë roli përfaqëson në këtë periudhë kohore?
Leonora Laçi: Mbretit Zog asnjëherë nuk i ndali përpjekjet në emigracion për të ndryshuar regjimin në Shqipëri, dhe figura e tij nuk mund të anashkalohet, kjo vërehet në dokumentet anglo-amerikane, ku qëndrimet e tyre janë të qarta se-“ pa mbështetjen e Mbretit Zog, çdo iniciativë e mërgatës do ishte e dështuar ende pa filluar”. Në emigracion kishte shumë mbështetës të Mbretit dhe ata do të jenë pjesë e aksioneve kundër qeverisë së Enver Hoxhës. Përpjekjet e Mbretit Zog nuk reshten asnjëherë, duke filluar që nga Mbledhja e Kajros në fillim të vitit 1947, e deri në mbledhjen e Madridit me 30 qershor 1972. - Ju jeni edhe Sekretare e Shoqatës “Trojet e Arbërit”, cilat janë disa nga veprimtaritë që ka zhvilluar kjo shoqatë?
Leonora Laçi: Shoqata Trojet e Arbrit ka kontribuar për shumë vjet me të gjitha fuqitë e saj për zbardhjen e figurave që ishin anatemuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri si dhe ka vënë theksin tek krimet e serbëve në Kosovë dhe të gjitha trojet shqiptare, misioni i saj është bashkimi i trojeve etnike shqiptare dhe vazhdon të jetë, si dhe shkrimi i historisë ndryshe, rreth saj janë mbledhur historianë e studiuese nga mbarë trojet tona. Veprimtaritë e Shoqatës kanë qenë pothuajse të përvitshme, sa me sesione shkencore, akademi, përkujtime për figura të ndryshme. Shoqata ka bërë atë punë që duhej ta bënin institucionet shtetërore Shqipëri-Kosovë, duke mbledhur intelektualë nga gjitha trojet, ka ndikuar pozitivisht në bashkëpunime të mëtejshme. Hapësirë të rëndësishme kanë pasur dhe shqiptarët e diasporës, të cilët kanë qenë flamurtarë të përhershëm e besnik për ngritjen e problemeve të ndryshme në instancat ndërkombëtare. - Jeni zotuar se nuk do të ndaleni me kaq, por do të vazhdoni me punë kërkimore për të hulumtuar miniere sa më të thella të shkencës dhe fushave studimore, cilat janë disa nga prioritetet tuaja, pra çfarë presin lexuesit e shumtë nga ju?
Leonora Laçi: Pikërisht në këtë kohë kam në dorë dhe është drejt fazës finale libri im i dytë, një monografi rreth –“Veprimtarisë së Kol. Xhemal Laçit”, kjo monografi sa i takon familjes i shërben dhe historisë. Për të është shkruar shumë pak. Ai ka një veprimtari të gjerë që fillon që në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ku si ushtarak karriere pati detyra ushtarake, pjesëmarrës në luftën italo-greke, italo-franceze, një antikomunist i betuar po aq sa mbretëror i përbetuar. Kjo monografi ka në qëllim të vë në pah kontributin e tij kombëtar, ku ishte zv/Komandant në Kompaninë 4000 në Mynih të Gjermanisë, ku përgatiteshin grupet që do hidheshin me parashutë në Shqipëri në vitet 50’. Njihte disa gjuhë të huaja, i shërbeu Mbretërisë në mërgim, qoftë si Ministër i Oborrit Mbretërorë, më vonë Përfaqësues i Mbretërisë në SHBA. Ka marr tituj si “Legjioni Amerikan”, “Urdhri i Madh i Skënderbeut” etj. Veprimtaria e tij përfshin një periudhë 50- vjeçare. - Ju faleminderit për intervistën!
- Qofshi me nder!
Marjan Cubi says
Pershendetje I nderuar Mikel , Urime per kete interviste te bukur dhe shume te randesishme per diasporen dhe historine e Shpipetarve . Kame nje pytje ne lidhje me Leonoren . Cvare eshte relacioni familjar I Leonores dhe Kolonel Xhemail Lacit ?
Une e kam njohur Kolonel Xhemail Lcin dhe kame pas nje konsiderim te respektit dhe te mirnjojes per njeriun q
e ishte Patriot burre I madhe I ceshtjes Kombetare.
Fritz Radovani says
Ju pershndes zj. Leonora per nisiativen Tuej, dhe uroj qe te mos ndikoheni nga ASNJE RRYME qe Ju largon nga e verteta dhe themeli shkencor historik i Vepres s’ Uej.
Me shume respekt!