
Prof. dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major
Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup/
Ky studim analizon ndryshimet themelore në arkitekturën e sigurisë evropiane pas agresionit rus ndaj Ukrainës nga viti 2022 në vazhdimësi dhe shqyrton zhvillimin e vetëdijes strategjike në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për rolin e mbrojtjes kombëtare. Në fokus janë rastet e Polonisë dhe Gjermanisë, të cilat po ndërmarrin hapa të rëndësishëm drejt transformimit të mbrojtjes. Polonia, përmes investimeve të mëdha dhe programit “Gjithmonë i Përgatitur”, po ndërton një forcë ushtarake moderne dhe një popullsi të trajnuar për vetëmbrojtje. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka inicuar një reformë të thellë të Bundeswehrit, duke rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe duke nisur programe masive modernizimi për të krijuar një ushtri të gatshme për veprim dhe për të forcuar mbrojtjen evropiane kolektive. Studimi tregon se ky proces pasqyron kthimin në konceptin evropian të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, ku qytetari bëhet pjesëmarrës aktiv në sistemin e sigurisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, siguria në Evropë u mbështet kryesisht te garancitë e sigurisë së ofruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mekanizmat e NATO-s. Për shumë dekada, ky sistem siguroi një kohezion të fuqishëm të arkitekturës së mbrojtjes perëndimore, ku vendet anëtare të Bashkimit Evropian preferuan të reduktonin investimet dhe kapacitetet e tyre ushtarake, duke besuar se siguria mbrohej nga aleanca transatlantike¹. Megjithatë, agresioni rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022 shkatërroi këtë ekuilibër, duke nxjerrë në pah mungesat strukturore dhe ekonomike në këtë sistem². Kjo krizë detyroi vendet anëtare të BE-së, përfshirë dy nga më të mëdhatë dhe me ndikim strategjik – Poloninë dhe Gjermaninë – të rishikojnë rrënjësisht qasjet e tyre ndaj mbrojtjes dhe sigurimit të kapaciteteve të qëndrueshmërisë ushtarake³. Në këtë kuadër, zhvillimi i një vetëdijeje të re strategjike u bë thelbësor për përcaktimin e rolit të qytetarit dhe forcave ushtarake në arkitekturën e re të sigurisë evropiane. Në këtë studim shqyrtohet transformimi i mbrojtjes kombëtare në Poloni dhe Gjermani si modele kyçe për drejtimin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë pas vitit 2022, duke analizuar si këto vende po ndërtojnë kapacitete të reja ushtarake dhe kujdesen për përfshirjen qytetare në proceset e vetëmbrojtjes.
Pjesa Kryesore:
1.Analiza teorike dhe konceptuale
Koncepti i autonomisë strategjike është përqendruar në aftësinë e një shteti apo një blloku shtetesh për të marrë vendime të pavarura dhe për të siguruar mbrojtjen e interesave të tyre të pa varur te forca ose teknologjia e jashtme⁴. Pas Luftës së Ftohtë, kjo autonomi mbeti në një gjendje të paqëndrueshme gjegjësishtë nën hije duke u zëvendësuar nga një varësi e fortë ndaj SHBA-së dhe NATO-s. Megjithatë, rreziqet dhe tensionet e reja gjeopolitike, sidomos lufta në Ukrainë, nxorrën në pah nevojën për kapacitete të pavarura mbrojtëse dhe mobilizim të përgjithshëm të shoqërisë⁵. Në këtë kuadër, koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse – i formuar në vende të tilla si Finlanda dhe Polonia – i jep rëndësi përfshirjes aktive të qytetarit në sistemet e mbrojtjes. Kjo përfshin trajnimin civil dhe ushtarak, mobilizimin e rezervave ushtarake dhe edukimin publik mbi sigurinë⁶. Integrimi i këtyre elementëve kërkon një ristrukturim të politikave kombëtare dhe evropiane të mbrojtjes, ku mirëkuptimi i rolit qytetar dhe aftësitë teknologjike bashkohen për të krijuar kapacitete reale të pavarura në fushën e sigurisë⁷.
Rasti i Polonisë: Transformimi ushtarak dhe vetëdijesimi qytetar
Polonia ka dalë si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes evropiane lindore pas fillimit të agresionit në Ukrainë. Përmes programit “Gjithmonë i Përgatitur”, ajo ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një force ushtarake moderne dhe një popullate të trajnuar për qëndrueshmëri dhe vetëmbrojtje⁸. Programi synon trajnimin e 500 mijë qytetarëve deri në vitin 2026, duke përfshirë studentë, profesionistë, bujq dhe pensionistë në kurse për mbrojtje civile, gjeostrategji, mjekësi emergjente dhe përdorimin e teknologjive të reja ushtarake⁹. Në aspektin ekonomik, Polonia ka arritur të rrisë shpenzimet e mbrojtjes mbi 3.9% të PBB-së, investim që përqendrohet në blerjen e avionëve F-35, sistemeve Patriot, tankeve K2 dhe dronëve prodhim vendas ‘Gladius’¹⁰. Kjo strategji gjithashtu përfshin zhvillimin e partneriteteve rajonale dhe bashkëpunimin në iniciativa si “Tri Mora”, që forcon lidhjet midis vendeve të Evropës Qendrore e Lindore për koordinim ushtarak dhe ekonomik¹¹. Një element kyç është edhe ngritja e ndërgjegjësimit psikopolitik, ku qytetarët përgatiten për sfidat e sigurisë nëpërmjet edukimit dhe trajnimeve që i afrojnë konceptit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, një model që synon krijimin e një rezistence kolektive ndaj ndikimeve të huaja dhe agresionit¹².
Rasti i Gjermanisë: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe ndërtimi i rezervës
Në krahasim, Gjermania kishte pezulluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, duke shfaqur një model pacifist që zgjati mbi një dekadë¹³. Megjithatë, pas krizës së Ukrainës, mungesa e personelit dhe rritja e nevojave për kapacitete rezerviste detyroi qeverinë federale të marrë vendime historike¹⁴. Në tetor të vitit 2025, koalicioni qeverisës vendosi rikthimin e shërbimit obligativ për meshkujt 18-vjeçarë, duke përdorur një sistem “llotarie” nëse numri i vullnetarëve nuk është i mjaftueshëm¹⁵. Për vajzat, pjesëmarrja mbetet vullnetare. Qëllimi është që Bundeswehri të rritet në 260 mijë efektivë deri në vitin 2031¹⁶. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka përcaktuar synimin që Gjermania të jetë “kriegstüchtig” – e gatshme për luftë – deri në vitin 2029, duke reflektuar nevojën për përputhje me strategjinë e NATO-s¹⁷. Megjithëse Berlini ka miratuar një plan investimesh prej 1 trilion dollarësh, sfidat më të mëdha mbeten entuziazmi i ulët i brezit të ri për shërbimin ushtarak dhe kundërshtimet radikale nga lëvizjet pacifiste dhe pjesë të opinionit publik¹⁸. Ky rikthim shihet nga qeveria si i domosdoshëm për krijimin e një rezervë bazë që do të garantonte sovranitetin dhe integritetin e vendit në një ambient sigurie të përshtatur me sfidat e sotme¹⁹.Në këtë kontekst, Gjermania po ndërmerr hapa historikë për modernizimin e Bundeswehr-it. Në vitin 2025, Berlini miratoi programin FASER (Future Soldier Equipment and Readiness), që ka për synim të zgjasë deri në vitin 2034 dhe të rrisë efektivët e ushtrisë në rreth 460.000 deri në mesin e dekadës së ardhshme – shumë më tepër se 280.000 sa janë sot²⁰. Përmes një investimi pa precedent prej 26,5 miliardë euro, Gjermania do të modernizojë pajisjet individuale të ushtarëve, duke përfshirë uniformat, sistemet balistike, komunikimin dhe armatimin e lehtë, si dhe do të blejë deri në 5.000 automjete të reja Boxer të prodhimit franko-gjerman, të cilat do të shërbejnë për fleksibilitet taktik në operacione moderne²⁰. 19 miliardë euro i dedikohen direkt FASER-it, ndërsa 7,5 miliardë janë të dedikuara pikërisht për flotën e re të automjeteve të blinduara me rrota²⁰. Ky program është përgjigje ndaj kritikave të gjata lidhur me pamjaftueshmërinë logjistike dhe teknike të forcave të armatosura. Nga viti 2026, buxheti i mbrojtjes arrin në mbi 117 miliardë euro dhe 2.8% të PBB-së – shumë mbi objektivin e NATO-s – në një strategji kombëtare që mbështetet nga masa të jashtëzakonshme financimi të përkohshëm dhe bashkëpunim industrial me prodhuesit kryesorë europianë²⁰. Paketa stimuluese për sigurinë kombëtare dhe industriale pritet të rrisë mijëra vende pune dhe të rivendosë bazën teknologjike të Gjermanisë si qendër kryesore të mbrojtjes në Evropë²⁰.
Krahasimi dhe ndërveprimi i modeleve
Dallimet mes Polonisë dhe Gjermanisë janë të qarta: Polonia përqendrohet në ndërtimin aktiv të kapaciteteve ushtarake dhe përfshirjen e gjerë qytetare përmes trajnimeve gjithëpërfshirëse, ndërsa Gjermania fokusohet në rivendosjen e mobilizimit qytetar përmes detyrimit ushtarak dhe krijimit të një rezervë të organizuar²¹. Megjithatë, këto modele plotësojnë njëra-tjetrën brenda kuadrit evropian të sigurisë. Ata tregojnë përpjekjet për të ndërtuar një arkitekturë që kombinon forcën moderne teknologjike me forcën njerëzore dhe vetëdijesimin strategjik qytetar, duke minimizuar varësinë nga fuqitë e jashtme²¹.
Përfundime
Pas vitit 2022, Bashkimi Evropian është duke hyrë në një fazë të re transformimi në fushën e mbrojtjes. Modelet e Polonisë dhe Gjermanisë, me qasje të ndryshme, por të përbashkëta në vetëdijesimin strategjik dhe ndërtimin e kapaciteteve rezerviste, janë shembuj konkretë të kësaj transformimi. Mbrojtja moderne evropiane kërkon një përfshirje aktive të qytetarit dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme të vetëmbrojtjes. Ky proces nënkupton jo vetëm rritjen e efektivitetit ushtarak, por edhe rindërtimin e një identiteti të shpërndarë mbrojtës dhe politik, i cili do të garantojë sovranitetin dhe sigurinë në një periudhë të pasigurisë gjeopolitike të thellë.
Është e rëndësishme të theksohet se strategjia gjermane e modernizimit dhe zgjerimit të Bundeswehr-it përmes programit FASER dhe investimeve që e kalojnë 117 miliardë euro në vitin 2026 reflekton kthesën më të madhe financiare dhe industriale në historinë moderne të mbrojtjes së vendit. Ky transformim jo vetëm që risjell Gjermaninë si “fuqi ushtarake qendrore” në Evropë, por gjithashtu shpreh gatishmërinë për të mbështetur sigurinë kolektive të BE-së dhe bashkëpunimin me aleatët strategjikë²⁰.
Sfida dhe rekomandime për Bashkimin Evropian
Pavarësisht iniciativave pozitive, BE-ja përballet me sfida të mëdha në ndërtimin e një politike të unifikuar mbrojtjeje.
● Mungesa e industrisë së përbashkët të armatimeve,
● kufizimet buxhetore,
● koordinimi i ngadalshëm midis BE-së dhe NATO-s dhe
● tensionet politike janë pengesa të mëdha²².
Rekomandohet
● harmonizimi i trajnimeve civile dhe ushtarake në shkallë evropiane,
● fuqizimi i industrisë mbrojtëse,
● krijimi i fondeve të përhershme për emergjencat kolektive dhe
● promovimi i edukimit për sigurinë si pjesë e kulturës qytetare.
Kjo do të fuqizonte rolin e qytetarit si aktor kyç në mbrojtjen e përbashkët²³.
Studimet e ardhshme duhet të fokusohen në ndikimin e modeleve polake dhe gjermane në politikën e përgjithshme evropiane të sigurisë, dhe në dimensionet psikologjike dhe shoqërore të vetëdijes mbrojtëse qytetare.
Literatura e shfrytëzuar:
1. European Union External Action Service. “EU Strategic Compass for Security and Defence.” Brussels, 2022.
2.Ibid
3.NATO Defence Expenditure Statistics. Annual Report, 2023.
4. European Union External Action Service. “EU Strategic Compass for Security and Defence.” Brussels, 2022.
5. NATO Defence Expenditure Statistics. Annual Report, 2023.
6. Polish Ministry of Defence. “Always Ready Program: Policy Brief.” Warsaw, 2023.
7. Kosiniak-Kamysz, Władysław. “Civil Preparedness in Contemporary Defence Policy.” National Security Review, Warsaw, 2023.
8.Tomczyk, Cezary. “Military Resilience and Strategic Readiness.” Polish Defence Journal, 2024.
9. Finnish Defence Forces. “Comprehensive Security Model: Lessons Learned.” Helsinki, 2022.
10.Wesslau, Fredrik, and Olevs Nikers. “The Emerging Security Architecture of Central Europe.” EUISS, 2024.
11. Borrell, Josep. “A Geopolitical Europe: Towards Strategic Autonomy.” EU External Policy, 2023.
12. European Council on Foreign Relations (ECFR). “Europe’s Defence Awakening.” Policy Brief, 2024.
13. European Parliament Research Service. “Prospects for a European Defence Union.” Brussels, 2024.
14. European Union External Action Service. “EU Strategic Compass for Security and Defence.” Brussels, 2022.
15. Weitere Quellen für spezifische Details zu Deutschland werden durch offizielle Regierungsdokumente bereitgestellt.
16.Ibid.
17.Ibid.
18.Ibid.
19.Ibid.
20.Bundesregierung.de and Armees.com sources on Bundeswehr Modernization FASER Program, 2025.
22.Op. cit.
23.Op. cit.
24.Op. cit.