Çka është në dorën e punëtorëve dhe mësimdhënësve, gjithçka do të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Por, brengosëse është qasja e organeve komunale dhe qendrore ndaj nevojave dhe kërkesave të nxënësve, mësimdhënësve dhe të komunitetit në tërësi./
Nga Ismet Azizi/
Në fillim të korrikut të viti të kaluar, në oborrin e shkollës “Abaz Ajeti” të qytetit të Gjilanit, të cilin rrallë ndonjë shkollë ta ketë, dhe në atë “Liria” të fshatit Pogragjë, u vu gur-themeli për ndërtimin e sallave të kulturës fizike për këto dy shkolla, me objektet përcjellëse dhe me aneksin e dhomave për parashkollorë, të cilat nuk janë gati edhe pse ka kaluar më tepër se një vit, që kur kishin filluar së ndërtuari.Që kur isha nxënës në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë në vitet e 70-ta flitej me të madhe se ka me u ndërtua salla e kulturës fizike e që për ne nxënësit, asokohe, ishte një atraksion. Ne fëmijët e asaj treve as që kishim pa si duket një sallë, përveç që mund të shihnim në ndonjë emision në TV. Që nga atëherë thuhej se ishte nisur kjo punë, sepse shiheshin tullat e lëna në murin ku do të ndërtohej muri i sallës të cilët e kishte filluar drejtori i atëhershëm në zë, Ibrahim Ahmetaj nga Vuthajt.
Edhe pse nuk ishte arrite të ndërtohej salla e kulturës fizike, shumë mjete gjimnastikore të markës së njohur sllovene Elan, shkolla i kishte pas në dispozicion. Pra, qysh atëherë shkolla kishte edhe dy kabinete, atë të Gjeografisë dhe Historisë të pajisura me grafoskop dhe grafopoprojektor, dhe për lëndët Kimi dhe Biologji, të pajisura me mjete konkretizues.
Është e pabesueshme për gjeneratat e sotme, se çfarë kushte të mira kishim në atë periudhë në atë shkollë. Ishte ndër shkollat më të mira të Kosovës. Pikërisht në atë kohë nxënësit e kësaj shkolle radhitnin sukseset më të mira në garat e atëhershme kosovare. Kanë kaluar më se 40 vite nga ajo kohë, dhe edhe pse janë ndarë mjetet, më tepër se para një viti, përfundimi i sallës nuk duket kund. Ishte premtuar të kryheshin punët për 120 ditë, por tashmë kanë kaluat 420 ditë dhe as që është kryer gjysma e punëve e lere më të kryhet e gjitha, siç patën premtuar dy ministrat, ai i Arsimit dhe të Administratës Publike.
Premtimet ishin që pas 120 ditësh pune, salla të ishte gati dhe të hapej për nderë të 28 nëntorit, të vitit të kaluar, por nëse vazhdojnë punët me këtë ritëm, për përfundimin e sallës në Pogragjë do të duhet të kalojnë 1200 ditë.
Pak ma mirë, edhe pse ka pasur pengesa ligjore, kanë shkuar punët në ndërtimin e sallës dhe aneksit të objektit për parashkollorë në shkollën Abaz Ajeti”, por megjithatë vështirë se do të hapet objekti i ri për parashkollorë,e sa i përket sallës së edukatës fizike, shpresohet se do të jetë gati për 28 nëntorin e këtij viti.
Po them pak më mirë, por megjithatë, jemi dy-tre ditë para një shtatori, dhe sipas asaj që shihet nuk ka gjasa që nxënësit ta kremtojnë fillimin e viti të ri shkollor me sallë dhe objekt të gadimorës.
Çka edhe nëse salla e kulturës fizike kryhet dhe inaugurohet për 28 nëntor?!
Kur është përpiluar projekti ideor, flitej se më në fund shkollat e komunës do ta ketë një objekt të përkryer shkollor të shekullit 21, i cili objekt do të mundësojë organizimin e garave shkollore të komunës. Dhe jo vetëm kaq. Është folur me pompozitet se komuniteti, pra lagjet ku është objekti i shkollës, do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë sallën e cila do t’i lehtësonte nevojat e tyre. Me këtë komuniteti do të ishte më i lidhur për shkolle dhe në një mënyrë do të ishte pjesë e saj.
Por çka po ndodhë? A do të jetë ashtu në të ardhmen? Ndodhi ajo që më së paku pritej. Ndryshoi projekti, në të vërtetë as që pat projekt me rastin e fillimit të punëve, dhe përmasat e sallës u zvogëluan gati për gjysmë, nga 46 metra gjatësi sa parashihej, kur filloi ndërtimi ajo u “zvogëlua” në vetëm 24 metra gjatësi, pjesa tjetër u “tretë”. Me këto përmasa parashihej salla në njërën anë (në pjesën e aneksit të gadimorës) të ketë ulëse-tribuna. Edhe kjo tani është e pamundur.Me këtë madhësi në sallën në fjalë, mund të zhvillohet vetëm loja e volejbollit ndërsa për lojërat tjera me top nuk eksitojnë kushte. Bile, duke marrë parasysh se në sallë do të mbajnë mësim, nga dy paralele, atëherë mundë të thuhet se nuk i plotëson standardet, as për së afërmi.
Për tu zhvilluar një lojë e basketbollit për këdo qoftë ajo, dimensionet e fushës së basketbollit janë:
28 m (gjatësia) 15 m (gjerësia), fusha medoemos i shtruar në parket. Ndërsa sa i përket parketit nuk mendoj se do të jetë i shtruar.
Në përmasat sa do të jetë salla, pa probleme të theksuara mundë të zhvillohet një lojë volejboll, për dallim nga ajo fushë çfarë mendohej para se me fillua ndërtimi, ku mund të zhvilloheshin dy lojëra në të njëjtën kohë, ashtu siç parashihet të jetë një sallë standarde. Fusha e volejbollit duhet të jetë 18 metra gjatësi, 9 metra gjerësi, po ashtu, patjetër duhet të jetë e shtruar në parket.
Ndërsa për zhvillimin e lojës së Hendbollit dhe futsallit, nuk ka kushte elementare. Për t’iu zhvilluar loja e hendbollit duhet fusha të jetë 40 m gjatësi dhe 20 m gjerësi, Ndërsa Futsalli, loja më e popullarizuar në kohët e fundit, për tu zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare, gjatësia më e vogël e lejuar është 38 m ndërsa më e gjata 42 m dhe gjerësia më e vogël 18 m, me e madhe 25 m. Por, vlen të themi se, dimensionet e lojës së futsallit lejohen edhe më të vogla.
Çka është shumë brengosëse dhe se që atëherë dyshohej se do të shkonte puna mbarë, u pa me rastin e vënies së gur-themelit. Për çudi, të ngazëllyer, përgjegjësit komunal për manifestime të tilla me rastin e fillimit të punëve, kishin marrë edhe gërshërët dhe shiritin me vete, me rastin e këtij akti të fillim të punimeve. Mandej, gjatë fjalime të ministrave dhe të tjerëve, të cilët morën pjesë në këtë manifestim, të gjithë shpreheshin me fjalët, “shpresojmë se punëkryesi do t’i kryej punët me kohë”, e askush nga ta, nuk kishte guxim të kërkonin nga punëkryesi që punët vërtetë të kryhen me kohë, e lëre më t’u tërhiqet vëmendja në pasojat që mund t’i ketë nëse punët nuk kryhen sipas afatit të paraparë.
Jam i bindur se shumë kush, edhe nga kolegët e mi, por edhe nga qytetarët të “ngjyrosur” politikisht, kam me u keqkuptua. Përgjigjja e tyre, apo kundërshtimi do të jetë,,“eiiii s’kemi pas fare, bile tash e kemi”. Një gjë duhet ta kemi parasysh. Sallat e kulturës fizike mund të rinovohen, të kompletohen me mjet përcjellëse, por në asnjë mënyrë nuk do të mund t’i ndërrohet struktura bazë, pra dimensionet.
Na mbetët të shpresojmë, që pas përfundimit të punimeve, sallat të kompletohen me mjete sportive,si koshat, rrjetën e volejbollit, dhe ato të gjimnastikës. Nxënësit, por edhe mësimdhënësit, me padurim presin t’i zhvillojnë orët e kulturës fizike, edhe në kushte çfarë ofrojnë këto salla, që fatkeqësisht nuk po bëhen me standarde, përkundër premtimeve.