Marius Chelaru, Kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe zv/kryredaktor i një nga revistave më prestigjoze në Rumani “Convorbiri literare”, botoi këto ditë librin me intervista të personaliteteve të shquara letrare bashkëkohore “Interviurile revistei poezia./ Intervistat e revistës poezia”.
Mes personaliteteve të letërsisë botërore, studiuesi dhe shkrimtari Marius Chelaru, ka zgjedhur intervistën me poetin dhe prozatorin tonë të shquar, Visar Zhiti, intervistë e përkthyer në rumanisht nga Dr. Renata Topciu-Melonashi.
Përmes mendimeve të poetit të mirënjohur shqiptar, i kushtohet një vend i posaçëm letërsisë shqipe në peisazhin e letërsisë botërore.
Visar Zhiti jep mendime interesante për procesin krijues, për letërsinë e shkruar në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, për cenzurën komuniste, letërsinë e burgjeve, letërsinë e pabotuar, për dukuritë e sotme letrare, për ecurinë dhe problemet që janë të përgjithshme dhe të posaçme të letrave shqipe. Visar Zhiti flet për lirinë, shtypjen, cenzurën, rolin e letërsisë dhe shkrimtarëve sot.
Personaliteti i letrave shqipe, Visar Zhiti, ka katër vëllime të botuara në gjuhën rumune. Librat kanë pasur jehonë në shtypin e specializuar dhe janë vlerësuar së tejmi nga lexuesi rumun. Vëllimet poetike dhe romanet janë përkthyer në rumanisht nga Luan Topçiu dhe Renata Melonashi-Topçiu.
Mos harrojmë se pikërisht gjatë këtij viti, poeti ynë u nderua me Çmimin e Madh si Laureat i Festivalit Botëror të Poezisë “Mihai Eminescu”.
Marius Chelaru është një mik dhe njohës i shkëlqyer i letërsisë shqipe. Është autor i katër librave që ia ka kushtuar Shqipërisë, shqiptarëve dhe veçanërisht letërsisë shqiptare. Në shtypin letrar në Rumani, kritiku, poeti, përkthyesi dhe drejtues i revistave letrare, ka botuar mbi 200 artikuj për letërsinë shqiptare.
Në fillim të këtij muaji, në qytetin e Iasi-it u promovua një libër imagologjik për Shqipërinë dhe shqiptarët, për imazhin e tyre në shtypin dhe librat e botuar në Rumani deri në momentin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Promovimi i librit u zhvilla në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Iasi, në praninë e Kryetarit të lidhjes, shkrimtarit Cassian Maria Spiridon, të deputetit Bogdan-Alin Stoica si dhe të Presidentit Dr. Radu Savulescu. Për librin posaçërisht foli Dr. Luan Topçiu, por dhe për ndihmesën që ofron Marius Chelaru në forcimin e marrëdhënieve midis kulturave tona, në njohjen e kulturës shqiptare në Rumani etj.
Zyra e Shtypit
ALAR
Rumani