-Editori Dalip Greca me zell dhe modesti, me përkushtim dhe i hapur, me vështirësi dhe sakrifica e mbajti për më shumë se një dekadë gazetën e shqiptarëve, më të vjetrën e të gjitha gazetave të diasporave në SHBA…./
I dashuri dhe i nderuari Kryetar,
Zoti Elmi Berisha,
Ju dëshirojmë të mira Juve, gëzime e mbarëvajtje “Vatrës” së përbashkët të Shqiptarëve në SHBA dhe “Diellit” të saj, që na kanë dhënë së bashku aq shumë ngrohtësi, përbashkim, shpresë dhe guxim dhe shembullin për bëma në dobi të shqiptarëve dhe Kombit.
Nisën mbi një shekull më parë me ikonat e shqiptarizmës, me intelektualët e lartë të Kulturës Perendimore europiano- amerikane, me shkrimtarin themeltar Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, poet në gjithçka.Vazhdoi dinjitoze me të gjithë shqiptarët më pas, por unë dua të veçoj dhe Profesor Arshi Pipën si drejtues, poet i ferrit të burgjeve të diktaturës komunistë dhe filozof universitar në SHBA.
Fryma e kësaj trinie emblematike ka prirë dhe duhet të prijë komunitetin e shqiptarëve, urë e gjallë që lidh Shqipërinë me SHBA, Vendin e madh, kampion të lirisë dhe demokracisë, superfuqia e përparimit botëror, mbështetje dhe per Shqipërinë tonë, që si një aleate e vogël, por e sinqertë e SHBA-së e di dhe i është mirënjohëse ndihmës jetike që i ka dhënë përherë Kombit tonë. Shqipëria shpetoi dikur nga coptimi perfundimtar, falë SHBA-së dhe Kosova u çlirua dhe është e pavarur së fundmi, përsëri falë SHBA dhe NATO-s.
Shqiptarët këtu janë me fat që SHBA u është bërë Atdhe, duke u dhënë mundesira pafund, që s’i gjenin dot askund: liri e pasurim me punë e dije, universitete dhe shkencë, besim dhe identitet, dashuri për vendin amë dhe të gjuhës amë, etj, etj.
“Vatra” dhe “Dielli” janë deshmi mbi njëshekullore të kësaj ecurie, bënë histori dhe janë dhe vetë histori, ndërkohë dhe veprimtare të gjalla, aktive dhe tani që po flasim.
Ja, jeni mbledhur sonte shqiptarisht për të nderuar një veprimtar, Z. Dalip Greca, keni krijuar këtë festë më rastin e daljes së tij në pension si gazetar drejtues i “Diellit”. Ai me zell dhe modesti, me përkushtim dhe i hapur, me vështirësi dhe sakrifica e mbajti për më shumë se një dekadë gazetën e shqiptarëve, më të vjetrën e të gjitha gazetave të diasporave në SHBA. Ajo vazhdoi të ishte si një Vatër, jo vetëm për shqiptarët në SHBA, por kudo në botë, e çiltër dhe e thjeshte si shqiptarët, kapriçoze si ata dhe e dashur po ashtu. Që mbeti dhe përhapet dhe në ditët tona, natyrisht është meritë e “Vatrës” në pergjithësi, e drejtuesve të saj, por dhe e të palodhurit zemërbutë, mikut të të gjithëve, Z. Dalip Greca. Kjo përvojë le t’u shërbejë për mirë atyre që do ta vazhdojnë gazetën duke e çuar dhe më lart, ajo tashmë është një pasuri, kujtesë Kombetare dhe kulturë.
Ndjehemi të nderuar për ftesën që unë me time shoqe të ishim me ju në këtë mbremje. Faleminderit bashkarisht.
Me arsye nuk mundemi të vijmë, Ju dërgojmë këto fjalë zemre dhe e përqafojmë dhe si bashkëqytetar z. Dalip Greca, Juve, bashatdhetarët aty të gjithë, me urimet më mira e me gëzime të perbashketa.
Me dashuri,
Visar Zhiti
Chicago, 11 Korrik 2021