
Përgatiti: Emil Lafe dhe Sevi Lami Agolli
Cila është forma e saktë e shumësit të emrit “vit”: vite apo vjet? Si ta shkruajmë dhe përdorim saktë këtë emër në shumës? Shumë herë na ndodh që të pyesim veten pse emri “vit” ka dy forma shumësi ose cila është forma e saktë e shumësit të tij dhe si ta përdorim drejt atë kur shkruajmë dhe flasim.
Për të hequr këto pikëpyetje dhe për t’u ardhur në ndihmë shumë shqipfolësve anembanë botës, që duan ta shkruajnë dhe përdorin saktë dhe bukur gjuhën shqipe, si dhe nisur nga interesimi i madh për ta shkruar dhe përdorur saktë këtë fjalë, bashkë me prof. Emil Lafe kemi sjellë për ju këshillat gjuhësore se kur përdoret njëra trajtë e kur përdoret tjetra.
Të dyja format e shumësit të emrit “vit”: vjet dhe vite, janë të sakta. Por ka këshilla gjuhësore se kur përdoret njëra formë e kur përdoret tjetra.
ATËHERË:
Këshillohet të përdoret trajta e shumësit VJET, kur synimi i thënies është sasia e marrë si një e tërë: Kam punuar katër vjet në Berat. Sa vjet më i madh se unë je? Ushtria ka qenë dy vjet … etj. Kujtoni edhe: Qindra vjet më parë, kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë … (Fan Noli, “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”).
Këshillohet të përdoret trajta e shumësit VITE në rastet kur nuk synohet sasia si një e tërë, por vitet njëri pas tjetrit. P.sh.: në vitet e gjimnazit, vite të paharruara, vite më parë, vite të vështira etj.
Kur në shembuj si më sipër para emrit “vite” qëndron një numëror ose fjalë që shënon sasi, këshillohet të përdoret forma “vite”, sepse në këto ndërtime qëllimi i thënies është të shënojë më fort një varg vitesh që vijnë njëri pas tjetrit dhe jo një sasi të caktuar a të pacaktuar vitesh. Pra, më drejt është të thuhet dhe shkruhet: katër vitet e gjimnazit ose pesë vitet e mërgimit sesa katër vjetët e gjimnazit, pesë vitet e mërgimit etj. Po kështu, shumë vite më parë në vend të shumë vjet më parë etj. Në këto shpjegime që sollëm, themi “këshillohet”, sepse rregullat e mësipërme gjuhësore se kur përdoret njëra trajtë e kur përdoret tjetra janë më fort këshilluese e jo gjithnjë detyruese. D.m.th., nuk mund të cilësohet si gabim po të shkruajë dikush: Sa vite zgjati Lufta e Dytë Botërore? Kam qenë pesë vite në Gjermani. Shumë vjet më parë etj. Këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim, si në rastet: kam shkruajtur, shkruajti; i tha atyre; na përshëndeti neve; ju afrua ngadalë; sa bukur të rrika ky fustan etj., në vend të: kam shkruar; shkroi; u tha atyre; na përshëndeti ne; iu afrua ngadalë; sa bukur të ndenjka ky fustan…, ku shembujt e parë cilësohen si gabime, sepse nuk janë shkruar sipas rregullave të normës letrare gramatikore. Sidoqoftë, ka disa thënie ku përdorimi i formave vite ose vjet është i ngulitur, si p.sh.: Vite më parë binte më shumë borë (nuk thuhet: Vjet më parë …), Në vitet dyzet të shek. XX, ose: Për shumë vjet gëzuar! (nuk thuhet Për shumë vite gëzuar!) etj. Këto përdorime na i dikton ndjenja jonë gjuhësore si shqipfolës të lindur.