Zija Vukaj*/
Vepra “Vizita”, realizuar nga trupa e teatrit “Migjeni”, i dha një shkëlqim të merituar dramaturgjisë shqiptare, lindur në këtë qytet të lashtë, që quhet Shkodër, falë punës mjeshtërore të një grupi individësh të talentuar, idealistë, dashamirës të artit dhe të traditës që u krijua prej brezash të tërë. Këtij idealizmi iu bashkua edhe fisnikëria, profesionalizmi dhe përkushtimi i regjisorit italian Davide Iodice, tashmë një artist me famë evropiane.
Vepra “Vizita” është marrë nga romani i autorit britanik Herbert George Wells “Vizita e mrekullueshme” dhe është kthyer në tekst dramatik nga Fabio Pisano.
Gjeneza e kësaj “drame”, është romani fantastik me elementë satirikë i vitit 1895, i autorit Wells, të ashtuquajturit babai i romanit fantastiko- shkencor, që ka si protagonist një figurë engjëllore, që në mënyrë misterioze gjendet në Anglinë e fundit të Tetëqindës.
Një ëngjëll shfaqet në Anglinë e jugut si një zog i madh me pupla të ylberta dhe i plagosur në njërin krah nga prifti i fshatit që kishte dalë për gjah. Prifti pastaj kujdeset për të, duke e kuptuar se ishte një engjëll që kishe ardhur nga bota e ëndrrave dhe nuk i njihte fare sjelljet dhe zakonet e vendit.
Engjëlli shihet me sy të keq nga banorët e fshatit qoftë për mënyrën e sjelljes nga “fisnikët”, qoftë për tiparet femërore; cilësohet edhe si i çmendur dhe socialist
Për sjelljen e keqe të engjëllit prifti urdhërohet ta përzërë brenda një jave; pastaj shtëpia e priftit merr zjarr dhe engjëlli bie brenda shtëpisë në flakë për të shpëtuar shërbyesen. Tregimi mbyllet me një epilog tragjik.
Pa bërë asnjë interpretim, duhet kujtuar shprehja e urtë popullore: “Kush kërkon, gjen”. Si erdhi në fokusin e teatrit “Migjeni” dhe në syrin e spektatorit shqiptar kjo vepër? Duke pyetur, morëm vesh përpjekjet e drejtores së atëhershme Rita Gjeka për të kërkuar në arsenalin e dramaturgjisë vendase e botërore, që të gjallëronte e të pasuronte repertorin e “Migjenit”. Në këtë përpjekje Rita ra në kontakt me veprën, autorin e dramatizimit të romanit të Wells- it dhe sidomos me regjisorin Iodice. Puna filloi rreth një gjysmë viti më parë dhe rezultati u kurorëzua, në fundin e këtij nëntori.
Pavarësisht se vepra është shkruar në tjetër kohë dhe për të tjera shoqëri e realitete, ajo ngjan se është shkruar vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët e tranzicionit të pafund të pas viteve nëntëdhjetë.
Vlerësimi:
“Vizita”, shpallet fituese e tre çmimeve në Festivalin Teatror “Moisiu”.
“Shfaqja më e mirë”
“Muzika më e mirë”
“Skenografia më e mirë”;
dhe kjo flet shumë. Mbi këtë vlerësim mund të ngrihen argumente pa fund. Po të analizohej, do të duhej një trajtim shumë sinkretik si vetë teatri, ku do të flitej së pari për tekstin, natyrën utopike dhe distopike të letërsisë së asaj kohe, që mbetet e tillë edhe sot, për tejkohësinë dhe universalitetin e gjithanshëm të një vepre që është shkruar nga një autor me përmasa globale, për të zbritur pastaj te puna e palodhur e regjisorit, tek vetitë e larta të trupës së aktorëve, tek rreptësia dhe disiplina e punës dhe, mbi të gjitha, tek dashuria e artistëve për të bërë art. Një art, që në të njëjtin plan me funksionet e tij estetike, ka edhe humanitetin, idealizmin, qytetarinë dhe vizionet e së ardhmes. Tjetër punë pastaj do të duhej, për të analizuar inxhinjerinë regjisoriale, dhuntitë e aktorëve, profilet e tyre të vyera, plastike dhe të papërsëritshme, ndërtimin e skenografisë, përzgjedhjen e muzikës etj., pa shkuar tek fuqia që ka kjo vepër e realizuar, për të tërhequr në meditim dhe për të provokuar intelektin e çdo spektatori.
*Shënime për shfaqjen “Vizita”- (Mbresa nga shqipërimi i saj dhe ndjekja nga ana ime si spektator në teatër).