-Kryetari i Kuvendit Kosovar, Veseli në panelin e Konferencës së Komisionit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë në Kongresin Amerikan kërkoi nga parlamentarët e pranishëm nga vendet e katër kontinenteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin/ UASHINGTON, 14 Prill 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është ftuar të marrë pjesë në panelin e konferencës me temën “Roli i parlamenteve në fuqizimin e integritetit publik”, të organizuar nga Komisioni për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP) të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington.Kryetari Veseli prezantoi një historik të shkurtër për traditën e re parlamentare të Republikës së Kosovës, sfidat e Kuvendit, si dhe tejkalimin e tyre në bazë të parimeve demokratike, zbatimit të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.Në vijim të kësaj konference, kryetari Veseli foli edhe për aktualitetin politik, sfidat kuvendore pozitë – opozitë, qasjen dhe lidershipin e treguar për tejkalimin e situatës. Në fund, kryetari i Kuvendit kërkoi nga parlamentarët e pranishëm nga vendet e katër kontinenteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë, thekson njoftimi i dërguar./b.j/