Lajmi i bujshëm që Papa Gjon Pali II do të vizitonte Shqipninë e Shkodrën ishte përhapë kudo nëpër botë tue krijue nji atmosferë shprese e entuziazmi të papamë për shqiptarët e në veçanti për shkodranët. Krahas problematikave të panumurta e gati të pazgjidhshme (ose pjesërisht të zgjidhshme) që delshin çdo ditë në punën e Bashkisë, filluem me mendue edhe për organizimin e pritjes së njeriut, që për momentin, ishte njani ndër ma të lavdishmit e Globit.
Gjatë Marsit u organizue në Kryeministri në Tiranë, nën kryesinë e Sekretarit të Presidencës Z.Kolec Topallit, nji takim ku merrshin pjesë ministra të qeverisë Meksi si dhe kryetarët e bashkive të Tiranës e të Shkodrës me qëllim koordinimin sa ma të mirë të organizimit për pritjen e Papës.
Bashkia e Shkodrës, qysh në fillimin e punës, pati përcaktue me konkurs kombtar e me aprovim të Këshillit Kulturës së qytetit, ku bajshin pjesë 40 persona të zgjedhun për intelektin e tyne, Stemen e Flamurin e qytetit të Shkodrës tue dhanë shëmbullin e parë për bashkitë e tjera në kët drejtim. Unë kisha shkue i pregatitun në mbledhjen e Qeverisë, ku paraqita programin e pritjes së Papës në Shkodër së bashku me mbështetjen financiarë që u kerkonte prej Qeverise Shqiptare. Më kujtohet që ndërmjet të tjerave deklarova se rrugët qëndrore të Shkodrës do të ishin të zbukurueme me degë lari ( dafina) e kudo do të ishin shpalosë tre flamuj së bashku; flamuri Kombtar Shqiptar, ai i Vatikanit si dhe flamuri i qytetit të Shkodrës. Për çudinë time, disa ” personalitete ” pjestarë të Qeverisë Shqiptare filluen me qeshë e me ironizue faktin që së bashku me dy flamujt do të ishte edhe ai i qytetit të Shkodrës!; paditunia e tyne nuk më la shije të mirë, por ndoshta ishte hera e parë që kuptojshin se çdo qytet në botë ka pasë dhe ka flamurin e tij…! Biseden e pati mbyllë Kolec Topalli tue deklarue se miraton propozimin e Kryetarit të Shkodrës për flamujt si dhe programin në përgjithësi, mbas kësaj, të gjithë heshtën!
Java para datës 25 prill 1993 pat qenë programue me aktivitete kulturore:
– Çfaqje në Teatrin Migjeni të nji drame mbi jetën dhe veprwn e Papës
– Ekspozitë fotografike për 70 vjetorin e Garës së Parë Çiklistike në Shqipni.
– Inaugurim i përfundimit të punimeve për rikthimin e palestrës në Kishë; të Prenden mbasdite, 23
Prill 1993, në mjedisin madhështor të Kishës së Madhe u paraqit para shkodranëve, që kishin
mbushë plot e përplot mjedisin e kishës, koncerti koralo-orkestral ‘Messia” – Haendel me
përformancën e artistave të Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë. Mbetet i paharruem emocioni i asaj nate që mbrriti kulmin me finalen ‘ Alleluia’ e simbas shembullit të Dom Zef Simonit (Nji ndër katër ipeshkvit që Papa shuguroi me 25 Prill 1993) të gjithë u çuem në kambë.
-Të shtunden mbrama ( 24.04.1993) për me krijue atmosferë gëzimi qytetare, para sheshit të
Teatrit Migjeni u zhvillue nji koncert me muzikë bashkëkohore dhe kangë të zgjedhuna prej
kangëtarve ma të mirë shqiptar, mbarimi i koncertit u shoqnue me shpërthime “të papame” të
fishekzareve në qiellin e Shkodrës.
Të kënaqun se çdo gja shkoi mirë, por të lodhun dhe të emocionuem prej stresit të pregatitjes dhe aktivitete javore, mbas koncertit të gjithë u drejtueme në shtëpijat tona. Kishim nevojë për pak orë pushim para ditës së neserme, mirpo nuk ndodhi kështu; rreth orës 22.00 me telefonuen prej Argjipeshkvisë se me kërkojshin për nji problem që nuk mund ta diskutojshin në telefon. Atje, me treguen se në minutat e fundit, për arësye sigurie, ishte ndryshue programi i ardhjes së Papës në Shkodër; programi fillestar parashikonte ardhjen me elikopter të Papës prej Rinasit që do t’u ulte te fusha e Divizionit Ushtarak , përballë Spitalit Civil, ku qenë ba zbukurimet të shumta e cilësore, me parullë të madhe e me portretin e Papës për mirëseardhjen si dhe ishte vendosë nji tribunë ku 100 fëmij do të këndojshin, për nderim të mikut të rrallë “Hymnin e Gëzimit” të Simfonisë së Nantë – Bethoven. Po ashtu pat qenë zbukurue edhe rruga prej Divizionit deri te Kisha e madhe me parulla , dafina e flamuj. Varianti i ri që parashikonte ardhjen e Papës me veturë prej Rinasit i hidhte poshtë të gjitha pregatitjet e masipërme. Më erdhi keq dhe u dekurajova, tanë mundi e sodisfaksioni i punës po shkonte kot…, megjithatw në ora 23.00 të natës thirra nji takim me shtabin e organizimit të pritjes pranë Bashkisë, pjesëmarrja qe e plotë. Aty u dhane udhëzime të reja, puntorët punuen tanë natën, spostuen tribunën e korit së bashku me instalimin e fonisë përballë pozicionit të ish Kishës së Zojës, ku do t’u bekonte vendosja e gurit të parë në themelin e Kishës së re prej Papa Gjon Palit të dytë. Rrugën deri te Kisha e Madhe e zbukuruen pjesërisht, pra bane të pamundunen dhe për kët u jam shumë mirënjohës atyne që dhane kontribut tue sakrifikue për nderimin e Papës , por edhe të mikëpritjes shkodrane!. Duhet kujtue me mirënjohje edhe gadishmenia dhe solidariteti i papamë i të gjithë personave, pa dallim fetar, të ngarkuem me detyra për atë eveniment, nuk mbaj mend se u dha dy herë nji porosi, çda gja realizohej si me shkop magjik.
Erina Guraziu e djali me mbiemnin Stefa u përzgjodhën me dorëzue dhuratat që Bashkia kishte pregatitë për ardhjen e Papës; nji tubë me lule e nji kuti gjysë e hapun me ” kryq e shpatë” të punueme me filigranë argjendi prej mjeshtrit Tonin Radovan, i cili nuk pat pranue shpërblim prej Bashkisë. S’bashku me dy fëmijtë të veshun me kostume kombtare, shkuem te sheshi përballë themeleve të Kishës së Zojës të shkatërrueme prej komunistave. Për kënaqësine time sheshi ishte zbukurue mjaft mirë, dekorin e zbukurojshin dhe sheshin e gjallnojshin ma tepwr se çdo gja, të 100 fëmijtë e korit. Axha, Tonin Guraziu i cili kishte pasë ardhë prej shumë ditve në Shkodër për me qenë i pranishëm në Kishën e Madhe gjatë ceremonisë së shugurimit të katër Ipeshkve të rij shqiptar, më pat ndihmue me shkrue në italishten ceremoniale ato pesë rreshta, të cilat do të ia lexojshe Papës për me i dhanë mirëseardhjen në qytetin e Shkodrës. Programi parashikonte që unë si përfaqësuesi i qytetit me ” shirit në qafë” do të isha i pari dhe i vetëm, larg të tjerëve, për dhanien e mirëseardhjes. Sapo vetura e blindueme papale, kaloi urën e Bahçallekut unë i dola përpara simbas programit, vetura u ndalue dhe mbasi i putha dorën Papës i dhashë mirëseardhjen në italisht në qytetin Shkodrës.
” Santità, con grande gioia e roconoscienza do il benvenuto a Sua Santità per l’arrivo molto atteso nella nostra città di Scutari, tanto provata dalla barbarie àtea comunista. In nome della mia cittadinanza, porgo a Sua santita, il mio reverente saluto.”
Kur u afruem te sheshi përballë ish Kishës së Zojës, kori e fëmijve, i drejtuem prej mjeshtrit Kujtim Alia, filloi me këndue ‘ Hymnin e gëzimit ‘ – Bethoven. Muzika e cilësia e korit të fëmijve i terhoqën vëmendjen Papës i cili u emocionue, ai përshndeti dhe përkdheli disa fëmijë. Përshndeti gjithashtu personalitetet që i kishin dalë përpara e mandej krejtë i vetem u drejtue te elteri i improvizuem te themelet e kishës së zojës, u lut në qetësinë e tij e bekoi vendin e shejtë. Mbasi u kthye afër nesh, më erdhi momenti në të cilin unë së bashku me dy fëmijtë do ti dhurojshim peshqeshet. Më kujtohet se ju drejtova me këto fjalë italisht : “Shejtni, ju dhuroj dy simbolet ma të shejta të shqiptarve; kryqin dhe shpatën e princit Gjergj Kastrioti” e vazhdova: ” Shpresojmë se ardhja e juej në Shqipni ka me ia ndryshue fatin vendit tonë”- ai m’u përgjigj me buzë në gaz ” Se Dio vuole ” ( vullneti i Zotit)
Hypëm të tanë nëpër makina dhe u drejtuem drejt Kishës së Madhe. Jo vetem Shkodra, por i tanë veriu Shqiptar ishte atë ditë në rrugët e Shkodrës, njerëzit të disiplinuem si kurrë ndoj herë, përshndetshin e brohoritshin ” Rroftë Papa”. Kur korteu i makinave mbrriti para Kishës së madhe, Papa së bashku me njerëzit që e shoqnojshin hyni në Arqipeshkvi. Unë shkova te vendi i im mbrenda në Kishë që ishte e mbushun plot e përplot. U ula te poltrona e parë në rreshtin e parë, djathtas kisha Presidentin Berisha, majtas korridori dhe Nanë Terezen. Personi i protokollit të Presidencës erdhi e më tha: liroja poltronen, ku unë ishe ulë, Presidentit! E mora me mend se ai donte me e nderue Presidentin tue e ulë sa ma afër Nanë Terezes. Mirpo unë isha Kryetari i Qytetit dhe e dijsha mirë se simbas protokolleve të tanë botës, në krahun tim të djathtë u donte me qëndrue personi ma i randësishëm që kishte ardhë mik në qytetin tim, prandej iu përgjigja se nuk los prej vendit. Personi i protokolli të Ministrisë së jashtme, që duket kishte kuptue ndërhymjen e atij të Presidencës, erdhi menjiherë e më tha: Kryetar mos luej prej vendit, sepse ky asht vendi i yt!
Isha shumë i tensionuem dhe i emocionuem prej këtij evenimenti unikal në histori (asnjiherë nji Papë nuk kishte vue kamben në tokën shqiptare). Ceremonia fetare u zhvillue normalisht, u shuguruen prej Papës katër Ipeshkvi të ri Shqiptar, atmosfera ishte e veçantë, muzika – sublime; këndojshin së bashku korista prej Shkodrës, Prishtinës e Tiranës nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Kapedani.
Mbasi mbaroi mesha, Papa Gjon Pali i dytë doli në balkonin e ndërtesës së Arqipeshkvisë, në mes të katër Ipeshkve të porsa emnuem, e përshndeti popullim e Shkodrës. Mbas fjalimit, Papa e të tjerët rreth tij, u futën mbrendë në Arqipeshkvi ku hangrën drekë së bashku dhe simbas atyne që kam ndigjue, Papa pat qenë shtri me pushue. Ajo që duhet kujtue asht episodi i fjalimit të Papës për të dytën herë në balkonin e ndërtesës së Argjipeshkvisë; mbas pushimit Papa rastësisht kishte pa prej dritares sheshin përpara Argjipeshkvisë dhe ishte çuditë se ende ishte plot e përplot me popull. Natyrshëm kishte pyetë: pse qëndojnë tw tanë këto njerëz në shesh e mbasi kishte marrë përgjigjen se populli nuk largohet pa përshndetjen përfundimtare, ishte emocionue prej dashunisë që kishte kuptue prej popullit e kishte dalë për të dytën herë në balkon për me falenderue popullin e Shkodrës, jashtë programit e protokollit , ngjarje që dëshmon kënaqësinë dhe emocionin e Papës për mikëpritjen në Shkodër.
Koordinatori i programit më komunikoi se shkuemjen në Tiranë, Papa do ta bante me elikopter që ishte në pritje te fusha e divizionit e se përfaqësuesit e institucioneve të Shkodrës ishin të rekomanduem me qenë prezent në oren 15.30 në vendin e nisjes për me i dhanë lamtumirën Papës.
Në orën e caktueme, në vendin e caktuem, rreth 15 persona, ishim të rreshtuem për përshndetjen e largimit të Papa Gjon palit II. Kur erdhi vetura papale dhe Papa u ul prej saj, ktheu kryet kah na, na përshndeti të tanëve me dorë e më thirri: ” Sindaco venga qua”, unë shkova me hap të shpejtë, i putha dorën dhe Papa vazhdoi: ” Sindaco, ti ringrazio per la calorosa accoglienza ( Kryetar, të falenderoj për prirjen e ngrohtë) ” – ” Santitá, La ringrazio con il cuore” ( Shejtësi, me gjithë zemer ju falenderoj) ishte përgjigja e ime. Sodisfaksioni që pata në ato momente mbetet i paharruem, ky ishte dhe mbeti ” Fletë lavdërimi ” ma emocionues i të tanë jetës time!
Mbas nji vjeti, me 25.04.1994, në shej nderimi e përkujtimi, Bashkia Shkodër emnoi sheshin para katedrales katolike të Shkodrës në emnin e Papës; Sheshi Gjon Pali i II-të.
Filip Guraziu