Fuat Memelli/
Ditën e hënë të kësaj jave, veprimtari i palodhur shqiptaro-amerikani, Petrit Alibej, president i Shoqërisë Atdhetare “Besa- besë” me qendër në Boston, udhëtoi nga Tirana ku ndodhet me pushime, drejt Prishtinës. Qëllimi i këtiij udhëtimi ishte për të nderuar me Çertifikatë “Mirënjohje” veprimtaren kosovare , Rita Saliu, e cila prej 30 vjetësh jeton në Amerikë, por muajt e verës i kalon në Kosovë, aty ku u lind dhe u rrit, ku u brumos me zjarrin e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Hotel “Diamond”, pronë e biznesmenit të njohur Kosovar, Behgjet Pacolli. Pasi foli për kontributin e Ritës në diasporën shqiptare të Amerikës, Petriti i dorëzoi asaj Çertifikatën e “ Mirënjohjes”me këtë motivacion:”Për veprimtarinë e spikatur patriotike në Kosovë e jashtë Atdheut, për humanizmin, sensibilizimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë luftës për liri e pavarësi të Kosovës, si dhe për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, në një varg veprash që shquhen për prurje të reja si në përmbajtje edhe në formë.” Duke marë çertfikatën, Rita Saliu falenderoi për vlerësimin e bërë dhe theksoi se ajo nuk do lodhet kurrë për çështjen e Kosovës, për lirinë e të cilës sakrifikoi populli i Kosovës, për të cilën dhanë jetën shumë bij e bija, duke e paguar me gjak lirinë e fituar. Pas ceremonisë ata shkuan te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe vendosën një kurorë me lule në emër të Shoqërisë Atdhetare “Besa –besë”.
Po kush është Rita Saliu? Shumë shqiptarë e njohin atë, por për ata që nuk e njohin, po themi shkurt disa fjalë. Ajo është vajzë nga Prizreni që e lidhi jetën me intelektualin Adem Saliu me origjinë nga Dibra e madhe. Një shtëpi e tyre ndodhet në Prishtinë dhe një në Amerikë. Rita ka qënë e përkushtuar për çështjen kombëtare qysh kur ishte në Kosovë. Shpirti i saj patriotik dhe human, spikati edhe edhe më shumë gjatë luftës së Kosovës e më pas. Ajo dhe bashkëshorti i saj , Ademi, strehuan në shtëpinë e tyre familje kosovare. Pritja që ata i kanë bërë vëllezërve e motrave të tyre në aeroportin e Bostonit, është filmuar dhe trasmetuar nga një kanal televiziv amerikan. Po kështu në ditët e pas luftës, burrë e grua ndihmuan për t’u mjekuar në spitalet amerikane fëmijë kosovarë që kishin pësuar djegie nga hordhitë sërbe. Shumë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova e kanë dëgjuar zërin e Ritës në veprimtari të ndryshme që organizohen në Boston. Është shpirti i saj patriotik që i vlon në gji dhe e nxit për të punuar pa rreshtur për vëllezrit e motrat e saj nga Kosova por edhe nga Shqipëria.. Për kontributin e dhënë, ajo është vlerësuar nga presidenti Bamir Topi me Urdhërin “Nënë Tereza”.