Vlore, 7 Mars- Nga Harilla Koçi/.-Një ekspozitë e piktorëve vlonjatë ka shoqëruar përurimin të premten në mbrëmje, të Galerisë së Arteve të qytetit të Vlorës, e cila u kishte munguar artdashësve të këtij qyteti për një periudhë disa vjeçare.Galeria e Arteve e qytetit të Vlorës është krijuar në vitin 1980. Për vite me rradhë ajo ka shërbyer për promovimin e vlerave të piktorëve vlonjatë, ndërkohë që në fondin e saj janë përfshirë vepra të spikatura, simbol i periudhave kur janë realizuar. Galeria e Arteve e qytetit të Vlorës konsiderohet edhe si simbol i asaj që është emërtuar “Shkolla vlonjate e pikturës”.
Gjatë këtyre viteve, mjaft nga punimet që përfshihen në fondin e galerisë janë dëmtuar dhe për këtë arsye, do të ngrihet një komision me specialistë që do të bëjnë vlerësimet përkatëse. “Punimet në pikturë do të ndahen në tre grupe, respektivisht për pikturat që janë në gjendje të mirë dhe të ekspozueshme ato që kanë nevojë për restaurim dhe ato punime që janë dëmtuar pa mundësi rikuperimi”, shprehet kryetari I lidhjes së artistëve të Vlorës,Ilmi Bani.
Me këtë rast, në mjediset e Galerisë së Arteve u zhvillua një ceremoni ku ishin të pranishëm mjaft qytetarë, artdashës, përfaqësues të institucioneve vendore, kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika e Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Drejtori i Qendrës Kulturore Ilir Metaj, tha se, rikonstruksioni i galerisë në përshtatje me standardet bashkëkohore, u mundësua edhe me mbështetjen e biznesit vlonjat.Ai falenderoi piktorët e qytetit, që ju bashkuan nismës së çeljes së ekspozitës, ndërkohë që vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së qytetit.
Nga ana e tij, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, piktori Ilmi Bani, theksoi se, Galeria është një vlerë që ju rikthye qytetit dhe artdashësve e piktorëve. Ai falenderoi Bashkinë, ndërkohë që vlerësoi krijuesit vlonjatë që paraqitën punimet e tyre në këtë mjedis të ri dhe tërësisht bashkëkohor.Galeria e Arteve, është vendosur në një hapësirë të konsiderueshme në Pallatin e Kulturës “Labëria”(Sipas ATSH)