Astrit Lulushi/
Gjithë votimi është një lloj loje, damë apo tavëll, dhe bastet e shoqërojnë natyrshëm. Karakteri i votuesve nuk rrezikohet. Unë e hodha votën time, por nuk jam shumë i shqetësuar që kjo e drejtë të mbizotërojë. A jam i gatshëm t’ia lë të majtës? Edhe votimi për “të djathtën” nuk bën gjë, pasi nuk di se për cilin. Një njeri i mençur nuk do ta lërë të drejtën në mëshirën e rastësisë dhe as nuk do të dëshirojë që ajo të mbizotërojë nëpërmjet pushtetit të shumicës.
Për një kohë të gjatë një njeri mund të shohë shumë gjëra që nuk do të dëshironte t’i shihte, dhe të vuajë gjithashtu shumë gjëra që nuk do të dëshironte t’i vuante. Nuk ka veçse pak virtyt në veprimin e njerëzve. Kur votojnë kundër qeverisë, dhe votat e tyre janë pak, ata do të jenë të vetmit që mund të mbrojnë lirinë dhe kështu të përshpejtojnë rrëzimin.
Kam dëgjuar për kuvende a kongrese për zgjedhjen e një kandidati. Kryesia përbëhej kryesisht nga politikanë me profesion. Po çdo njeri i pavarur, inteligjent dhe i respektuar ku do ta marrë vendimin? A nuk do të kemi avantazhin e kësaj urtësie dhe ndershmërie? A nuk mund të llogarisim disa vota të pavarura? A nuk ka shumë individë që nuk marrin pjesë në kongrese? Por jo. Konstatoj se njeriu i ashtuquajtur i respektuar është larguar menjëherë nga pozicioni dhe është dëshpëruar për vendin e tij, kur vendi ka më shumë arsye për ta dëshpëruar. Ai miraton një nga kandidatët e përzgjedhur, të vetmin në dispozicion, duke dëshmuar kështu se vetë është i disponueshëm për çdo qëllim të demagogut. Vota e tij nuk vlen më shumë se ajo e ndonjë vendasi papunë, që mund të jetë blerë. Për një njeri që, siç thotë fqinji im, ka kockë në shpinë që e bën të rri drejtë, statistikat kanë faj; njerez si ai janë pakësuar. Shqipëria është përgjysmë – njeriu mund të njihet nga partia e tij; nga mungesa e dukshme e intelektit dhe besimit tek vetja – shqetësimi i parë dhe kryesor i të cilit është të shohë se shtëpitë e lëmoshës janë në gjendje të mirë, përpara se ai të ketë veshur ligjërisht petkun viral. Atyre që kthehen nga emigrimi nuk u ofrohet as vend pune dhe as banimi; qeveria i vështron si gjysmë të huaj që duhet të kërkojnë falje; tregtarët i rrisin 10-fish çmimet për ta. Qeveria mendon se gjendja e çrregullt e keqe dhe krimet e shtuara janë pasojë e hapjes me botën – kështu ia hedh fajin lirisë së lëvizjes dhe shfajson veten. Ministrat i emëron, i jep urdhëra, i shfrytëzon dhe në fund i çon në prokurori se janë kapur duke vjedhur për të. Drejtësi që ecën në vijë të shtrëmbër.