
Nga Gjekë Gjonlekaj /
New YorkNë fillim të këtij muaji Nik Gjeloshaj ishte i ftuar nga Shtëpia e Bardhë për Lutjet e Mëngjesit, ku si zakonisht marrin pjesë personalitete të shquara nga vende të ndryshme të botës. Disa analistë amerikanë e cilësojnë këtë si një pelegrinazh modern dhe Washingtonin e quajnë Meka e demokracisë botërore. Ftesa e një malësori shqiptar në këtë ceremoni ishte një nderim i jashtëzakonshëm për Malësinë dhe për vetë z. Gjeloshaj i cili në këtë vend ishte takuar me disa politikanë dhe diplomatë të njohur në Shtetet e Bashkuara. Në fushatën e parë zgjedhore për kryetar të Komunës së Tuzit, z. Gjeloshaj kishte premtuar se do të krijojë lidhje të mira me Shtetet e Bashkuara dhe me diasporën e Malësisë në Amerikë dhe Evropë. Pesë vjet më parë premtimet e tij ishin të mrekullueshme, por realizimi dukej pak i vështirë. Deri në kohën e z. Gjeloshaj diaspora ishte lënë pas dore totalisht. Por një politikë e tillë i përshtatej politikës serbo-malazeze, që diaspora e Malësisë të izolohej sa më shumë. Përgjegjësit e politikave serbo-malazeze për pothuajse një shekull e gjysmë bënë çmos për t’i larguar malësorët nga vendlindja e tyre e dashur. Që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri sot Malësia u vra, u shtyp dhe u terrorizua nga forcat policore dhe ushtarake serbo-malazeze. Ata sot e kësaj dite bëjnë përpjekje për ta demoralizuar Malësinë, bile edhe me botime qesharake. Një shembull i tillë ishte botimi i Enciklopedisë malazeze nga Akademia Malazeze e Shkencave dhe e Arteve. Malësorët që janë në tokën e tyre tash mijëra vjet, ata i quajnë ardhacakë! Si mund t’i arsyetojnë ato çmenduri historike kur xhubleta e Malësisë u vendos në Muzeun Historik të UNESCO-s, duke e vlerësuar mes tjerash edhe vjetërsinë e saj prej për më shumë se 4000 (katër mijë) vjeçare.Në kohën kur posa kishte dalë nga shtypi botimi, gjoja i asaj Enciklopedie, shumë shqiptarë, sidomos malësorë atdhetarë ishin shqetësuar shumë për ato trillime dhe falsifikime monstruoze. Pothuajse askush, bile as akademitë shqiptare nuk kishin reaguar kundër atyre shpifjeve monstruoze. Në atë kohë Nik Gjeloshaj ishte deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe ishte fyer rëndë dhe ndier keq për këto shpifje, prandaj ndërgjegjja e tij kombëtare e kishte detyruar që para gjithë deputetëve serbo-malazezë t’i fuste ato faqe të Enciklopedisë në koshin e plehrave. Kuvendi i Malit të Zi ishte tronditur për aktin e tij shumë të guximshëm, por Nikës nuk ishte lodhur fare, pavarësisht se ata ishin tërbuar për këtë akt të guximshëm që mund të quhej vepër historike dhe patriotike. Zyrat më të larta kombëtare e uruan Nikën për atë akt shumë të guximshëm. Si pasojë, për një kohë të gjatë e kishin kërcënuar banditët e Podgoricës deri në atë masë sa për një kohë nuk i merrte me vete fëmijët e tij për t’i shëtitur në qytetetin e Podgoricës, sepse kishte frikë se ato banda mund ta sulmonin fizikisht përpara fëmijëve të tij, gjë që mund t’u shkaktonte atyre trauma të mëdha. Nik Gjeloshaj dhe bashkëpunëtorët e tij patriotë kishin vendosur që në Malësinë tonë të mos festohej 13 Korriku ngase kjo datë ishte dita e pushtimit të Malësisë nga serbo-malazezët. Nik Gjeloshaj dhe bashkëpunëtorët e tij nuk pranuan diktatin e qeverisë qendrore për ta mbyllur Tuzin dhe Malësinë në kohën e pandemisë, për ç’gjë nuk kishin asnjë arsye sepse Tuzi dhe Malësia e kishin kaluar këtë faze. Bile edhe gjatë periudhës së virusit ata, domethënë Komuna në krye me Nik Gjeloshajn kishin vepruar më mirë se asnjë vend tjetër në botë për shpëtimin e popullit të vet. Por qeveria qendorore e kishte bërë këtë qëllimisht për të penguar zhvillimin e këtij vendi. Si pasojë, sot e kësaj dite qëndron padia në Gjykatën e Podgoricës kundër Nikës dhe Rexhep Çunmulajt.Sivjet është 110-vjetori i copëtimit të tokave shqiptare, ku për fatkeqësi bën pjesë edhe Malësia jonë. Qysh atëherë e sot trojet dhe populli i Malësisë u shtyp pa mëshirë nga diktaturat mbretërore dhe ato komuniste. Malësia filloi të marrë frymë pak më lirisht atë ditë kur fitoi të drejtën e themelimit të Komunës së pavarur. Ardhja e Nik Gjeloshajt në detyrën e kryetarit u prit mirë para katër vjetësh. Mund të thuhet lirisht se që prej ndarjes së Malësisë nga Shqipëria e deri sot Malësia jonë nuk ka lindur burrë më të rreptë dhe më të drejtë se Nik Gjeloshaj. Ai është politikan dhe demokrat i vërtetë dhe s‘ka dyshim se këto cilësi i ka trashëguar nga të parët e tij. Ata kanë traditë të shkëlqyeshme kombëtare për pothuajse tash 250 vjet. Kjo administratë dhe Nik Gjeloshaj jo vetëm që e ringjallën Malësinë, por ringjallën edhe diasporën malësore të Amerikës dhe Evopës. Para një shekulli Atë Gjergj Fishta kishte botuar poemën shumë të dhimbshme, ku thotë “Çonju të Vdekur se maroi Malësia”. Këtë poemë kushtrimi e kishte botuar pas masakrës së Hotit të vitit 1919. Në atë poemë i thërret të vdekurit ta shpëtojnë Malësinë. Gjergj Fishta thërret Dedë Gjo’ Lulin dhe Bibë Dodën, që të dy kishin qenë të vdekur. Bile për Malësinë disa herë kishte thënë se “çka han ujku s’e zën gjarpni”. Kështu e parashikonte të ardhmen e Malësisë poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta. Kjo poemë tragjike mua personalisht më shqetësonte shumë. Por Zoti i Madh që ka krijuar Malësinë e Gjithësinë, pas 100 vjetësh solli në Malësi një burrë-shteti për ta shpëtuar Malësinë. Pavarësisht se Malësia nuk është shtet, brenda përbrenda ka të gjitha atributet e një shteti. Nik Gjeloshaj dhe administrata e tij e ngjalli Malësinë gjatë këtij mandati, duke bërë mrekulli që nuk ishin paramenduar as nga optimistët më të mëdhenj. Kjo administratë po realizon tri objektiva të domosdoshme për një shoqëri të përparuar. Po ndërton dhe rindërton rrugët e Tuzit dhe Malësisë sipas standardeve evropiane, të shoqëruara me rrymë elektrike dhe ujësjellës. Veprat e kësaj administrate, në krye me Nik Gjeloshajn, janë kolosale. Punime të tilla mund të jenë pare në kohët antike, por në një stil tjetër. Kështu kishin punuar Agroni e Teuta dhe Perandori Dioklecian. Qysh atëherë e deri sot civilizimi i Malësisë ishte rrënuar dhe groposur nën dheun e Labeacisë. Hordhitë e ndryshme barbare, duke përfëshirë edhe ato sllave, kishin bërë çmos për ta zhdukur të kaluarën e Labeacisë, ku bën pjesë Malësia sot. E gjithë kjo ishte bërë për zhdukjen e identitetit iliro-arbëror. Kjo që po ndodh sot, mund të quhet renesanca e Malësisë, më mirë të them Rilindja e Malësisë. Diaspora malësore kurrë nuk ka qenë më optimiste për përparimin dhe zhvillimin e Malësisë. Nik Gjeloshaj kurdo që ka vizituar Shtetet e Bashkuara është pritur me nderime të mëdha. Diaspora ka fituar mirëbesim të jashtëzakonshëm te Nik Gjeloshaj dhe administrata e tij. Diaspora ka filluar investimet e veta dhe vizita të përhershme në Malësi, sepse ata priten me nderime nga autoritetet e vendit. Asnjë politikan nga Malësia nuk është nderuar dhe pritur ashtu siç pritet Nik Gjeloshaj. Tuzi dhe Malësia ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe këtë mbështetje e jep nëpërmjet zyrave të ndryshme, sidomos përfaqësive diplomatike amerikane. Kështu veprojnë edhe vendet perëndimore të Evropës.Për të folur për administratën e Komunës së Tuzit në krye me Nik Gjeloshajn duhet orë e ditë të tëra. Një pjesë të madhe të tyre i kemi parë në transmetimet e Televizionit BOIN. Nik Gjeloshaj është politikani më ekumenik i Malësisë tash një shekull. Për Pashkë Nika shkon në kishë, por edhe për Bajram shkon në xhami, duke i trajtuar njësoj. Malësia sot është një oaz midis dy shteteve shqiptare dhe Malit të Zi. Një pjesë e madhe e liqenit të Shkodrës dhe fushat e Dheut të Zi deri ne Majën e Komit janë pasuri e patundshme e Malësisë. Këtu bën pjesë Cemeri, Korita dhe lumi Cem që janë shumë piktoreske dhe të mira për turizëm. Kjo administratë po e vë në përdorim teknologjinë e re dhe sistemin më modern kompjuterik që janë të domosdoshme në këtë kohë. Komuna ka krijuar fonde dhe fondacione për të mirën e studentëve të dalluar dhe për shumë çështje të tjera. Nik Gjeloshaj ka themeluar Kryqin e Kuq të Pavarur të Tuzit. Si pjesë e veprimtarisë së Komunës janë gjithë ato dikastere të cilat i drejtojnë specialistë dhe ekspertë të njohur nga shkollat më të njohura të Ballkanit dhe më gjerë. Kjo administratë ka zhvilluar bujqësinë, pemtarinë dhe blegtorinë, që janë shumë të domosdoshme. Tani po zhvillon edhe industrinë, që siç duket Tuzi dhe Malësia do të jenë një vend industrial modern. Pra, Komuna ka afruar rreth vetes elitën e profesionistëve malësorë shqiptarë.Fushata e FORUMIT SHQIPTAR në krye me Nik Gjeloshajn na kujton fushatën presidenciale të Presidentit Ronald Reagan në vitin 1984, për fitoren e mandatit të dytë. Reagan gjatë mandatit të dytë kishte thënë: “Nuk keni parë çka do të shihni” (You haven’t see nothing yet). Kështu do të veprojë edhe administrata e Nik Gjeloshajt. Përparimet e mëdha do t’i shihni në mandatin e dytë, bile aq të mëdha që nuk mund t’i paramendoni sot. Nik Gjeloshaj mendon edhe për themelimin e shkollave të larta dhe mundësisht edhe të një universiteti në Tuz. Pas përfundimit të mandatit të dytë, Tuzi dhe Malësia do të duken si ato malësitë e Zvicrës ose Austrisë. Kush kishte menduar se Klubi Futbollistik “Deçiq” do të ngritej aq lart në Ligën Kombëtare të Malit të Zi?! Para 20 vjetësh, një miku im, specialist e çështjeve ballkanike, autoritet pranë qeverisë amerikane, kishte kaluar nëpër Tuz drejt Shqipërisë. Pas kthimit në Amerikë, më tha miqësisht me keqardhje se Tuzi ishte për dëshpërim. Edhe unë personalisht kur jam kthyer pas 35 vjetësh, jam larguar nga Malësia i dëshpëruar për gjendjen e mjerë të Tuzit. Dukej si ato vendet e banuara të Kandaharit! Por Zoti dërgoi një djalë malësor dhe besnikët e tij për të rindërtuar Tuzin dhe krejt Malësinë.Koalicioni FORUMI SHQIPTAR duhet t’i fitojë zgjedhjet e 5 marsit që vjen. Ata janë shumë më të kualifikuar se të tjerët për ta zhvilluar Tuzin dhe Malësinë. Dashuria dhe respekti për këtë koalicion dhe mandatin e kaluar e tregon më së miri vullneti i diasporës e cila do të bëjë një udhëtim patriotik dhe historik “për shpëtimin e Malësisë”. Sakrifica e tyre për të marrë pjesë në ato zgjedhje do të jëtë kapitull i shkëlqyeshëm në historinë e Malësisë sonë legjendare. Nik Gjeloshaj është si ata kalorësit e Mesjetës, është burrë shteti dhe biznismen. Anglisht Nik Gjeloshaj është: gentleman, statement & businessman, i cili ka për të hyrë në histori si Solomoni i Tuzit dhe i Malësisë.