Gëzim Zilja/
Libri me titullin ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ është botuar në Milano në vitin 1913, nga korrespondenti italian i luftës Gino Berri, pas largimit nga Shkodra të ushtrisë sërbo-malazeze, më 12 maj 1913, gati një muaj pas mbarimit të luftës. Është një libër-ditar, kronikë e luftës për mbrojtjen e qytetit, 11 nëntor 1912- 25 prill 1913. Për vrasjen e Riza Beut ai shkruan: ‘’…Mbrëmë u vra Riza beu. (30 janar 1913). Ai ishte për darkë te Esat Pasha. Të dy banesat ishin larg njëra-tjetrës. Nga ora 20.00, Valiu u largua duke refuzuar pesë-gjashtë veta, që Esat Pasha donte t’i jepte me vete si rojë. Atëherë i tha pasha, do t’ju shoqërojë me oficerin tim shoqërues. Kur arritën te selia e komandës Riza Beu, e falënderoi oficerin, duke i thënë: ‘’Mund të kthehesh se arrita në shtëpi. Kur mbeti vetëm menjëherë u gjend para tre vetave, tre hije. Ai nuk mundi t’i njohë dhe u tha atyre: kush jeni , ku shkoni?…Kaloi matanë por sapo të panjohurit u gjendën pas shpine, krisën tri pushkë …fq 136’’. Ai i la amanet Esat Pashës: ‘’Të lë nën kujdes familjen time. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë , por që jam vrarë në luftime… Betohuni se do ta mbroni Shkodrën deri në vdekje! fq. 137’’. Po kush e vrau Riza Pashën? A kishin arsye ta vrisnin shqiptarët Riza Beun? Gino Berri e ngre këtë si hipotezë, duke këmbëngulur që ekzistonte si mundësi. Masat e forta shtrënguese që ishte i detyruar të merrte Riza Beu, në kushtet e një rrethimi dhe lufte të përgjakshme, kishin dëmtuar rëndë interesat e tregëtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës. Në plan të parë ishte sigurimi i ushqimit për ushtrinë që mbronte qytetin. Çdo spekulant ose tregtar, që kundërshtonte ose nuk zbatonte ligjet e luftës vendosur nga Riza Beu dënohej me vdekje. Disa ekzekutime ishin bërë. Por mungesa e bukës, ushqimeve (ato vazhdonin të sekuestroheshin për ushtrinë) dhe e vajgurit kishte shkaktuar me dhjetëra viktima. Ka mjaft fakte tronditës në libër ku qytetarët kryejnë vetëvrasje duke mos gjetur rrugëdalje tjetër ose kur një prind vret dy fëmijët e vet dhe veten, duke mos duruar t’i shohë të vdesin nga uria (faqe 167). Shumë njerëz duke mos menduar gjatë shikonin si shkaktar kryesor të kësaj katastrofe Riza Pashën. Autori shkruan: ‘’ E gjithë pjesa tjetër e popullatës shkodrane është shfrytëzuar ditë e natë në çdo lloj pune me pre e me qep uniforma, këmisha, mbathje, këpucë e pajime; për të transportuar mallra dhe ka punuar nëpër llogore pa ndërprerje….Pas tre muaj mundimi, dështimesh e shfrytëzimi personal, pasi u janë shkatërruar burimet kryesore të jetesës, gjë tjetër e sigurt nuk u ka mbetur përveç vdekjes…. Ka vetëm një dëshirë që s’e dëgjon askush: Luftës duhet t’i jepet fund…’’ Por Riza beu do të jetë i paepur në masat e tij drastike për mbrojtjen e Shkodrës deri në sakrificën e fundit. Kur atij i thanë se ka qytetarë që nuk përballojnë dot luftën dhe janë gati të ngrenë flamurin e bardhë, ai u përgjigj: ‘’Do t’i pushkatoj.” Dhe kur i thanë se nuk bëhet fjalë për disa por për mijëra ai sërish u përgjigj me ftohtësi: ‘’Do t’i pushkatoj. fq.84-85’’. Shpesh mbi tavolinën e tij gjendeshin letra kërcënuese… Hasan Beu po e thellonte gjithnjë e më shumë greminën midis tij dhe shqiptarëve. Kur ai u soll shumë keq në një mbledhje të kryepleqve, ku do të vendosej (merrej) një hua prej 10.000 lirash nga qytetarët, një hoxhë u shpreh:’’ Hasan Rizaja do ta paguajë shtrenjtë këtë që po bën! fq.140’’. Por ajo që të shkon mendja dhe bëhet e besueshme që ekzistonte dhe një shkak tjetër që Riza Beu të vritej nga vendasit, është episodi i mëposhtëm. Gino Berri shkruan: ‘’Para disa ditësh Valiu mblodhi krerët myslimanë më me influencë dhe duke diskutuar mbi gjendjen e qytetit pyeti: “Po sikur t’u jepet autonomia? Ne nuk e duam ,u përgjigjën ata. Si? thirri Valiu i habitur. Nuk e pranoni lirinë, nuk doni të jeni zotër të fatit tuaj, në shtëpinë tuaj?’’u tha ai? Jo, ne duam pavarësin tonë, iu përgjigjën shqiptarët. Riza Beu i inatosur u tha: “Ju jeni mish për kërbaç. Shpirt baltë,” dhe iku i zemëruar. Faqe 140’’. Nga sa më sipër veç urrejtjes nga një pjesë e të pasurve të mbetur trokë nga sekuestrimi pa kushte të pasurisë së tyre dhe të popullatës së varfër të ndodhur nën frikën gjithmonë të një të nesërmeje të tmerrshme del dhe një kategori tjetër, ajo e atdhetarëve shkodranë, që kërkonin pavarësi dhe jo autonomi si kërkonte Turqia me gjuhën e Riza Pashës. Tashmë (jemi në 30 janar 1913) Shqipëria kishte kufijtë e vet të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha. Një autonomi nën Turqinë, e që Riza Pasha po sakrifikonte gjithçka ta arrijë, nuk përbënte zgjidhje për patriotët shqiptarët. Ndoshta edhe ky arsyetim mund të rreshtohet në shkaqet (mundësitë) që Riza Beu të jetë vrarë nga shqiptarët. Ka dhe një variant të tretë që autori nuk e përmend ose as që i shkonte mendja. Riza beu mund të jetë vrarë nga ‘’komando’’ serb ose malazez, duke e parë atë si pengesën kryesore për pushtimin e qytetit, megjithëse edhe për këtë në libër nuk jepet asnjë fakt. Pas vrasjes së Riza Beut, komanda i kaloi shqiptarit Esat Pashë Toptani. Lufta vazhdoi deri në në 23 prill 2013, gati tre muaj pas vrasjes së Riza Beut, me të njëjtin tërbim, me të njejtin heroizëm, këmbëngulje e sakrifica të panumërta nga ana e ushtrisë dhe popullit shkodran. Në libër (ditar) del qartë që ushtria turko-shqiptare nuk u mund në betejë, por nga uria. Qyteti dhe ushtarët po vdisnin tashmë me dhjetëra në ditë (faqe 179) nga uria dhe të ftohtit. Dorëzimi ishte dinjitoz. Ushtria nën komandën e Esat Pashës u lejua të largohej nga qyteti e organizuar, me të gjitha armatimet dhe paisjet e luftës në drejtim të Durrësit. Nga gjithë sa u tha më sipër, sipas të gjitha përshkrimeve të dëshimtarir okular, korrespondentit ushtarak italian në terren, Gino Berrit, Esat Pashë Toptani nuk kishte ndonjë leverdi të vriste Riza Beun. Deri më 31 janar 2013, ai ishte komandant i forcave vullnetare shqiptare, që luftonin krah ushtarëve të perandorisë për mbrojtjen e Shkodrës. Gino Berri njohës i thellë i botës shqiptare e përfundon me këto fjalë vrasjen e Hasan Rizait:’’Ndërkaq Esat Pasha është i turpëruar sikurse flitet. Në Shqipëri kur një njeri del nga shtëpia ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që prek atë fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi ngelet derisa gjakësori nuk është zbuluar. Faqe 140-141.’’ Hasan Riza Beu ishte lindur në Bagdad dhe u vra në moshën 42 vjeç.