nga Andon Dede, Nju York/
Më 6 korrik, të gjitha kanalet televizive i hapën lajmet e mbrëmjes me një skenë jo të zakonshme: në Baton Ruzh të Luisianës dy policë shtrijnë për tokë një person e, më pas, njeri prej tyre e qëllon me pistoletë për vdekje në gjoks, madje disa herë. Po të mos ishim duke ndjekur lajmet, ajo skenë mund të merrej fare mirë si e riprodhuar nga ndonjë film artistik, mbas së cilës mund të përsiatje se regjisori e kishte tepëruar, nga që viktima qe e shtrirë për tokë, pra e neutralizuar, e pafuqishme të rrezikonte ndokënd, aq më tepër policët e fuqishëm e të armatosur deri në dhëmbë. Gjithë sa u shfaq në ekran qe aq e tmerrshme sa sikur nuk doje që t’iu besoje as syve të tu. Por, kur informohesh se gjithë sa më sipër ndodhi në mes të qytetit, në Baton Ruzh, Luisiana, të martën e 5 korrikut, në mesnatë; se polici qe i bardhë e viktima me ngjyrë, përjetimi e vlerësimi për të ndryshon, merr përmasa të tjera. Skena qe me të vërtetë tronditëse që të “vriste” shpirtërisht, sado për trim e gjakftohtë që mund ta mbaje veten.
Ngjarja në fjalë ngjalli menjëherë reagimin e komunitetit me ngjyrë por, jam i sigurt se do të marrë përmasa edhe më të mëdha. Këtë shqetësim e shprehën edhe autoritetet zyrtare vendase si guvernatori Xhon Bel Eduards dhe kryetari i bashkisë se Baton Ruzhit, Kip Holden që bënë thirrje për protesta paqësore, se videoja e transmetuar, pohuan ata, qe me të vërtetë tronditëse.
Nuk është hera e parë që policët e bardhë vrasin persona me ngjyrë, në rrethana që nuk e përligjin përdorimin e armës, si Erik Garnerin, në Stejt Ailënd dhe Akai Gurlein nga Bruklini, Nju York; Majkëll Braunin, në Ferguson, Misuri; Ualter Skotin, në Cerleston të Karolinës së Jugut; Fredie Grejin në Baltimore, e gjetkë. Pyetja e parë që të vjen ndëmend pas kësaj kronike është se si ka mundësi që të veprohet kështu kur lotët e nënave të viktimave dhe gjurmët e protestave mbarë popullore ndjehen akoma për shumë ndodhira të tjera si kjo?! Unë nuk kam akoma asnjë informacion të hollësishëm e të saktë se kush ishte 37 vjeçari Alton Sterling, përveçse nga sa është thënë në media, se ishte një hallexhi, që shiste video për të përballuar jetesën. Por, pavarësisht nga kjo, përderisa ai nuk rrezikonte kërkënd, edhe sikur të qe i armatosur, me që policët tashmë e kishin vënë për tokë, në asnjë mënyrë nuk përligjet veprimi i tyre. Tjetër punë sikur të dy palët të qenë në një konfrontim ballas e viktima të qe si ata, me armë në dorë e gati për t’i qëlluar. Unë nuk jam jurist e nuk i njoh thellë ligjet për të shtjelluar më tej se deri ku arrin kompetenca e policit në rrethana të tilla, por kaqë gjë e di që prej shumë kohësh: kundërdshtari, qoftë ai edhe armiku yt, në fillim neutralizohet duke e qëlluar në këmbë apo pjesë të tjera të trupit dhe vetëm kur ai kundërvepron e rrezikon të vrasë të tjerët, mund ta qëllosh për vdekje, siç edhe ka ndodhur në shumë raste e nuk ka ngjallur asnjë reagim, se gjithçka ka qënë brenda ligjit e rregullave. Por, për ngjarjen në fjalë puna ndryshom krejtësisht. Më besoni se ajo më ka prekur e indinjuar aq thellë sa jam gati të shkoj e të bashkohem me protestuesit, sikur të kisha mundësi.
Fakt është se dhuna me armë në SHBA, apo dhe në vende të tjera, ka marrë përmasa shqetësuese. Sipas “Uashington Post”-it, vetëm këtë vit, në SHBA, janë vrarë nga policët 505 persona. Pa mëdyshjen më të vogël duhet thënë se shumica e viktimavë përbënin rrezik për të tjerët. Policët pra, kanë kryer detyrën e tyre dhe për këtë askush nuk mund të kundërshtojë. Disa syresh e kanë paguar me jetë betejën me keqbërësit. Unë kam ndjerë të njëjtën dhimbje dhe kur u vra polici Brajan Mur, vitin e kaluar ndërsa patrullonte në Quins apo dhe për oficerët Rafael Ramos e Venjian Liu në Bruklin, më 2014. Por, siç pohonte një e përditëshme e NY këto ditë, ndërsa për vrasjet e policëve nga civilët, analizat e vlerësimet janë të qarta se kush është fajtor, kur policët vrasin civilët situata shpesh paraqitet tepër e errët..
Ajo që më shqetëson më shumë për gjithë sa më sipër e që më shtyu të shkruaj këto radhë, është mëdyshja që kam në vetvete, siç e kam pasur dhe për vrasjet e tjera që përmenda më lart: a do ta kishin vrarë, në atë mënyrë policët e bardhë sikur Alton Sterlingu të mos qe me ngjyrë?
Unë e bëj këtë pyetje jo pa qëllim. Edhe herët e tjera, protestuesit e të gjitha niveleve, kanë ngritur zërin se policët e bardhë kanë vrarë jo thjesht se viktimat i kanë rrezikuar ata apo të tjerët, por edhe të shtyrë nga një dozë urrejtjeje apo paragjykimi racor. Mos po bije dhe unë në pozitat e paragjykimeve të tilla? Jo, këtë e kanë pohuar dhe vetë autoritetet e Policisë, jo vetëm të Nju Yorkut ku banoj, por edhe më gjerë se nuk mbahet përherë i njëjti qëndrim ndaj shkelësve të Ligjit, si për të bardhët dhe për ata me ngjyrë. Madje, disa kohë më parë, gazetat e jepnin edhe me përqindje këtë dallim. Veç, të jemi realistë: përveç statistikave të policisë, nuk është e vështirë të konstatohet se në pjesën më të madhe të rasteve, shkeljet e ligjit, qoftë edhe në rrugë, në Sabuej apo mjedise të tjera publike, bëhen nga ata me ngjyrë dhe kjo ka spjegimin e vet. Mjafton të përmend me këtë rast një shifër që flet shumë: ndërsa ky grup shoqëror përbën rreth 12 përqind të popullsisë së SHBA-së, në burgjet e krimeve të rënda ata përbëjnë 70 deri 80 përqind. Rrënjët e kësaj tabloje janë të shumta e të thella, shtjellimi i të cilave del jashtë caqeve të këtij shkrimi. Por, unë e bëra këtë parantezë që, kur gjykojmë një ngjarje, për më tepër një vrasje si ajo që përmenda në fillim, duhet të jemi realistë e tepër të kujdesshëm. Veçanërisht policia duhet t’i hapë sytë mirë se me veprimet e saj të gabuara, dashje apo pa dashje, ka çuar ujë në forcimin e psikozës se ndaj pakicave zbatohet një politikë raciste, në vend që të jepte prova për të kundërtën. Përndryshe, haraçi ka për të qënë i madh, siç edhe ka ndodhur deri tani. Duke vrarë egërsisht një të pafajshëm, ata na kanë vrarë shpirtërisht të gjithëve, e kjo nuk është pak.
7 korrik 2016