Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë, ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ua transmetoi qytetarëve serbë të tubuar në Mitrovicën Veriore.
Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.
“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, tha Vuçiq. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.
“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiq, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema –“ku është kufiri sot?”.
“Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.
Vuçiq tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet. Por, nuk e përjashtoi mundësinë që diku pas një kohë, qoftë edhe pas 50 vjetësh, serbët dhe shqiptarët të jetojnë në fqinjësi dhe miqësi me njëri-tjetrin.
“Nuk është vizioni im për një Kosovë pa shqiptarë apo edhe më keq, një Kosovë pa serbë”, tha Vuçiq, duke tërhequr vërejtjen se vizioni i tij nuk mbështetet në mite, por në realitet.
Ai rikujtoi edhe fundvitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta kur kishte nisur dhe më pas ishte shpartalluar ish-Federata Jugosllave dhe fjalimet e zjarrta të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
“Kënduam, kush po thotë e kush po rren, që Serbia është e vogël”, tha Vuçiq.
Kjo këngë dhe plotë mitingje, sipas tij, u mbajtën në Knin të Kroacisë, në Sarajevë apo edhe në Prishtinë. Por, sot, si në Knin, ashtu edhe në Sarajevë e Prishtinë, nga një numër i konsiderueshëm, jetojnë vetëm qindra apo mijëra serbë. Para 30 vjetësh, theksoi ai, në Kosovë kishte tri herë më shumë serbë, sesa që ka sot. Andaj, ai tha se angazhohet për paqe dhe në asnjë mënyrë për luftë.
QYTETARËT IA BLLOKOJNË RRUGËN VUÇIQIT
Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur.
Ndërkohë, njëri prej lokaliteteve në agjendën e Vuçiqit, vizita në Banjë të komunës së Skenderajt nuk është realizuar pasi që një grup qytetarësh shqiptarë nga kjo komunë kanë bllokuar rrugën.
Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, të mbështetura edhe nga politikanë lokalë atje, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.
Duke iu përgjigjur kësaj ftese, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.
Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politikë nga kjo komunë.
Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiq nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha Jashari.
Qytetarët e Skenderajt i bllokojnë rrugën Vuçiqit
Nisur nga gjendja e krijuar në këtë komunë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që për shkaqe sigurie, kjo pjesë e agjendës së Vuçiqit të anulohet.Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se siguria e “qytetarëve është mbi të gjitha”.
Në pamundësi që të vizitojë rajonin e Drenicës, përkatësisht fshatin Banjë të Skenderajt, Vuçiq u është drejtuar me anë të telefonit banorëve serbë, të cilët ishin tubuar në këtë fshat që ta presin atë.
Ai ka thënë se i vjen keq që nuk ka arritur t’i vizitojë, duke sqaruar se këtë nuk ia kanë lejuar autoritetet e Prishtinës.
“Nuk kam mundur të kaloj tutje dhe nuk dua që t’u rrezikoj juve dhe sigurinë tuaj, kështu që ju lus të gjithë juve serbëve të fshatit Banje që të mbaheni të fuqishëm. Shteti i juaj do të jetë më ju”, u ka thënë atyre Vuçiq, përmes telefonit.
Në vendin ku u mbajt protesta qëndruan edhe trupat e KFOR-it.
“Sa i përket situatës aktuale në Kosovë, KFOR po punon në koordinim me institucionet në Kosovë dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që t’i ofrojë siguri presidentit të Serbisë. Askush nuk po e kërcënon zotin Vuçiq dhe siguria e tij është e garantuar. Sa i përket protestave përgjatë rrugës së fshatit Banjë, KFOR është në komunikim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim që të largojë bllokadat dhe të mundësohet lëvizja e lirë. KFOR po punon që kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore, por është i gatshëm të ndërhyjë në përputhje me mandatin e tij, nëse kërkohet”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
LIQENI I UJMANIT JETIK PËR SERBËT DHE SHQIPTARËT
Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti serb qëndroi në Zubin Potok e Zveçan. Kurse një ndalesë të veçantë kishte te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).
Prej aty, Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe kishte këmbëngulur që pasuritë dhe burimet ekonomike, si Ujmani (Gazivoda) dhe Trepça janë, sipas tij, pasuri e Serbisë.
Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.
“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.
Aleksandar Vuçiq, u ka thënë përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës se nuk është i sigurt se do të mund të arrihet marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ai është shprehur i gatshëm që bisedimet dhe angazhimet për një zgjidhje të pranueshme të vazhdojnë.
Ndërkaq, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, të zhvilluar në Zveçan, ai tha se me gjithë përpjekjet e mëdha, është gati e pamundur të arrihet një marrëveshje e pranueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të Brukselit, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Vuçiq tha se problemi shqiptaro- serb është shumë kompleks dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës.
Vuçiq tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vështirë jo vetëm për shkak të dallimeve ndërmjet palëve, por edhe për shkak të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.“A do të thërras për luftë, jo këtë nuk do ta bëj që familjet e juaja t’i shtyj drejt vdekjes”, tha presidenti serb.
Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, e cila po vizitohet nga presidenti serb, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.
Po ashtu, kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.(Kortezi Evropa e Lire)