-Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri: Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*
VUSHTRRI, 21 Shtator 2020/ Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, kanë marrë pjesë sot në përurimin e Shtatores së Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Sheshit me emrin e tij në qytetin e Vushtrrisë.
Në fjalën e hapje të ceremonisë zyrtare, ku merrte pjesë edhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se Koloneli Ahmet Krasniqi ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare. “Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përshkruhet me disa fjali. Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare”, ka thënë Tahiri.
“Kalasë mijëravjeçare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë, nga sot i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret e Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, e së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, do të ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur”, theksoi kryetari Tahiri.
Ndërsa Vjosa Osmani kryetare e Parlamentit të Kosovës, pikërisht sot në 22 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ka bërë thirrje që të bëhet zbulimi i autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjes së tij.
Zbulimin e kësaj shtatoreje në Vushtrri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vlerësuar ringjallje shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit. “Dita e sotme për të gjithë ne, për të gjithë ata që ja duan të mirën Kosovës shënon rikthimin e Kolenel Ahmet Krasniqit në vendlindje, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit”, ka theksuar kryeministri Hoti.
Ndërsa Anton Quni, ministër i Mbrojtjes që Qeverinë e Kosovës tha se vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit erdhi në momentin kur Brigadat e para operative dhe batalionet e veçanta goditën fuqishëm forcat serbe. “Plumbat e shkrepur në natën e 21 shtatorit mbi trupin e kolonelit ishin plumba kundër lirisë”, ka thënë ministri Quni.
Për veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit ka folur edhe ministri i shëndetësisë Armend Zemaj, njofton komuna e Vushtrrisë.
Shtatorja dhe Sheshi Ahmet Krasniqi në Vushtrri u përuruan në 22-vjetorin e vrasjes së tij që ndodhi në Tiranë në 21 Shtator 1998, e cila ende nuk është zbardhur.
***
Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA përkujtoj: NË shkollën në vendlindjen e Ahmet Krasniqit – fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë isha nxënës nga klasa e parë deri në të katërten, udhëtoja nga fshati im i lindjes Strofc, që ishtë afër-fqinj. Për herë të fundit jemi takuar në Prishtinë tek po nisej në udhëtimin drejt misionit të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
MIRË SE VJEN KOLONEL AHMET KRASNIQI NË VUSHTRRI, VICIANËN ANTIKE!
Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri:
Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari i dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.
Fjalimi i plotë!
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës znj. Vjosa Osmani,
I nderuar Kryeministër i Republikës se Kosovës, z. Avdullah Hoti,
E nderuara familje e Kolonel Ahmet Krasniqi,
Të nderuar Nënkryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar Ministra,
I nderuar Gjeneral i FSK-së z. Rrahman Rama,
I nderuar Guvernator i Kosovës z. Fehmi Mehmeti,
Të nderuar Kryetarë të Komunave,
Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së,
Të respektuar veteranë e invalid të luftës së UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta,
Të nderuar përfaqësues të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë,
Mirë se vini në Vushtrri, Vicianën antike, qytetin e Hasan Prishtinës dhe Kolonel Ahmet Krasniqi.
Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari I dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.
Jam shumë i privilegjuar që sot zbulojmë bashkë me ju miq të respektuar e bashkë me qytetarët e Vushtrrisë shtatoren e Kolonel Ahmet Krasniqi dhe inagugurojmë sheshin e Kolonelit. Falënderoj të gjithë spektrin politik në Vushtrri që përkrahën me votë në Kuvend të Komunës ngritjen e shtatores dhe sheshit të Kolonelit.
Të nderuara zonja e zotrinjë,
Ahmet Krasniqi, u lind më 15 janar 1948 në Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë.
Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur dhe rritur në gjirin e familjes së patriotit të mirënjohur Aziz Zhilivoda. Shkollën Fillore katër vitet e para i kreu në fshatin e lindjes, pastaj e vazhdoi shkollimin në fshatin Hade dhe në Prishtinë. Gjatë viteve të shkollimit dallohet për veprimtarinë e tij patriotike, si bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm, Metush Krasniqi.
Ahmet Krasniqi, ishte ministri i luftës i emëruar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në krye të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Koloneli i UÇK-së, me përgatitjen e tij ushtarake e patriotike ishte tmerri i armikut. Ai u vra në mënyrë tinëzare më 21 shtator 1998 në Tiranë. Pas vdekjes atij iu dha urdhëri Hero i Kosovës.
Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën Çlirimitare. Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përkshkruhet në disa fjali.
Vendi që kemi zgjedhur për shtatoren e Kolonelit, pranë institucionit të Komunës së Vushtrrisë, është testament për besnikërinë e Kolonelit ndaj institucionit, ndaj Republikës, sespe ai në të vërtet ishte Ministri i luftës i emëruar nga Presidenti Historik I Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe u vra nga dora armike sepse punoi fortë për bashkim e çlirim.
Qytetëarë të dashur të Vushtrrisë,
Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur.
Urime! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri! Lavdi Kolonel Ahmet Krasniqi, Zoti e bekoftë Vushtrrinë e Kosovën.
*Me shume foto gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli