
Fotoreportazh nga Dritan Haxhia/
Në një ceremoni të veçantë në qytetin Yonkers, New York, Kryetari i qytetit, z. Mike Spano, nderoi me Mirënjohjen e Qytetit kryetarin Ramush Haradinaj. Njëherish duke shpallur zyrtarisht datën 20 tetor 2024 si “Dita e Nderuar e Ramush Haradinajt.” Në ceremoninë zyrtare, Kryetari Spano shpalli këtë titull me motivacionin për njohjen e shërbimit shumëvjeçar të Haradinajt ndaj vendit të tij dhe përkushtimin e tij në përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor, si dhe në shërbimin publik.
Qyteti i Yonkers nderoi Ramush Haradinajn për gjithçka që ai ka bërë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë dhe vazhdomë të bëjë për të gjithë banorët e saj. Po në nder të Ramush Haradinajt, Kryetari Spano shpalli gjithashtu 20 tetorin 2024 si ditën zyrtare të ngritjes së flamurit të Kosovës në qytetin e Yonkers.
Pas marrjes së çmimit, Haradinaj deklaroi:
“Nderimin që më bëhet, ua dedikoj të gjithë atyre që besojnë në Kosovën e lirë, të zhvilluar dhe të integruar në NATO, si dhe në miqësinë e përjetshme mes popullit të Kosovës dhe atij amerikan. Në këtë ditë, falënderoj bashkëluftëtarët e UÇK-së dhe secilin ushtar amerikan që ka shërbyer në vendin tim. Zoti e bekoftë popullin e Kosovës, Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë miqësinë mes dy popujve.”
Në përmbyllje të kësaj ngjarje, Haradinaj e ftoi z. Spano, për një vizitë në Republikën e Kosovës.