Nga Ilir Levonja-Florida/
Turqia, ajo perandorake që edhe kontribuam duke e ndërtuar. Na ka lënë dhe emrin e shenjtë Hasan. Që tani na u bë Hasanizim. E që nesër mund edhe të na bëhet Hasanoviq.
Çudi? Aspak! Absurde? Asesi! Sapo e deklaroi babai i absurdit, Edi Rama. Nga sheshi i demokracisë, Kavajë. Si përkrah i madhi, përkrah atij Roshit të vogël. Ky kandidati opozitar nuk di gjë tjetër, veç, të ndërrojë partitë. Rama nuk e ka bërë këtë, edhe pse e ka me dokumentë. Si tha tjetër, e thanë Kavajën për një pikë uji. Kush vallë?
Po do ta sqarojmë më poshtë. Tani për tani le të shohim. Të kujtojmë e të rikujtojmë. Koha jonë përbëhet nga e shkuara, e tashmja dhe Hasanizmi. Le të përfytyrojmë sindromën dashuri e urrejtje. Hasanizimin, që tashmë i ra për pjesë Kukësit. Bash vendit kërthizë të shqiptarisë.
1)Kandidati për kryetar. Kryetari aktual i Bashkisë së Kukësit. Me origjinë blu, i suportuar nga bluja. I sindromuar në të kuq, e së fundi në të kuq e rozë. Mu aty në shtëpinë e të djathtëve. Vetëm për të qënë kryetar. Nuk ka rëndësi se cila forcë e kandidon. Të bëhet kryetar. Përjetësisht ai. Pa të gjithave u gjendet shpjegimi. Edhe Hasanizimit që shpiu Blushi duke i rënë më qafë pa drejtësisht Hasanit real. E kemi thënë me kohë; tri ditë zgjat. Një gotë verë nga pas dhe aq.
Por fatkeqësisht kalimi sa majtas, djathtas apo në mes. Nuk është lëvizje politike Hasan. Eshtë hasanizim. Pra manovër. Që po bëhet legjitime. Dhe që ty të ra për pjesë për shkak edhe të gjenisë së shkrimtarit. Një lëvizje, që për një arsye a për një tjetër, për të treguar atë demodenë, jashtëkohësinë. Dhe metodat e vjetra të Perandorisë Otomane. Përça e sundo. Vrit, blej, shit… Dhe, sundo. Frymë veprimi që i përket llojit perandorak. Më jep të jap. Eshtë Hasanizim.
Deri sa është mes Edi Ramës, Metës, Gjicit, Bashës, Mediut etj. Loja e parisë së pashallëkut me stilin e Portës së Lartë, është Hasanizim.
E ç’bëri një radhe Shkodra, fqinja jote. I tha Portës së Lartë të asaj kohe, nuk ka Hasanizim këtu. Dhe nxorri për të parë një emër nga partitë e vogla. (Bahri Boriçi 1996)
Kukësi do dali në tris përfundim. Ose ta pengojë Hasanizimin. Ashtu si Shkodra. Ose të mbetet i djathtë. Ose do Hasanizohet.
Sikur asnjëra mos të ndodhi. Prapë Hasan. Hasanizmi zor se mund t’i hiqet mendsh shqiptarëve.
2)Hasanizni numër dy, Elvis Roshi. Një nga intervistat e tia më të fundit. Ajo e së martës në mbrëmje, 2 qershor. Në Ora News, me Ylli Rakipin. Eshtë më e klikuara për momentin në youtube. Më e qarkulluara. Një pjesë show, që po konkuron Al Pazarin .
Prezantimi apo i riprezantimi i kandidatit aktual. Si tha Kryeministri, e thanë Kavajën për një pikë ujë. Edhe pse ka dy vjet në pushtet. Të zgjidhet uji i Kavajës duhen edhe 4 vjetë të tjerë. Në Kavaja ka qysh sa mbaj mend, ujë, ujë, ujë. Madje për herë të parë në jetën time. Kam pirë ujë me lekë, pikërisht në Kavajë. 2 lekë gota, jo shaka.
Ky Hasani i Kavajës. Edhe deklaroi me të madhe aty se, ishte demokrat i orëve të para. E sot socialist. Një socialist Hasan, kryetar i aktual prej aq kaq vitesh, që nuk dinte se sa është aktualisht popullsia e Kavajës?! Se sa ishte numri i të papunëve?!
Që kishte ndriçuar qytetin, por që nuk e dinte se sa kishte paguar. Që do ndërtonte një stadium po me lekët e qeverisë shqiptare. Modern sigurisht. Që kishte biznes si brenda dhe jashtë vendit. Ndërtimtari dhe tregti. Megjithëse për këtë të dytën nuk ishte i sigurt? Që njihte vetëm një grua. Edhe pse në mbrëmjen e vitit 2011, zbriti në Kavajë gjithë Byronë e Ramës me pak Parti Socialiste brenda. Qershor ishte dhe atëhere, fillimi fare i muajit. Po në Shqipëri Hasan, nuk e kanë problem pse dikush lartohet dhe dikush varroset. Rroftë ai që ngrihet në detyrë.
Edhe pse përpara Zotit jetët e njeriut kanë të njëjtën vlerë. Në Shqipëri nuk është kështu.
Zoti i shqiptarëve është Hasanizimi.
Një kryetar që ishte diplomuar në ekonomi agrare dhe nuk ishte i sigurt me saktësi se, qe viti 2005 a 2006. Dhe shyqyr zotit që edhe intervistuesi nuk u tregua aq finok sa ta pyeste për emrin e ndonjë pedagogu, a lënde. Me siguri, që ai do të thoshte kush i mban mend tani. I lumtur që nuk i mban mend. Edhe pse mësuesi i fillores, ata të shkollës së mesme, pedagogët. Kushdo nxënës, gjimnazist a student, që një natë para provimit ka bërë gjum të trazuar, kurrë nuk i harron. Ai me siguri që është i lumtur, që nuk mban mend. Nuk ka se përpara kujt t’i skuqet faqa. Ai për referendum njihte vetëm Këshillin Bashkiak. Edhe pse pretendonte se kishte kulturë perëndimore.
Megjithatë, ai fluturoi Hasan, nga demostratat, nga dhjetorist, në kryetar. Përmes Hasanizmit, Hasan. Kështu që mos u druaj, nuk je i vetmi.
Por keqardhja ime vjen për atë popull aty. Kavajën. Vallë a fjetën atë natë me pas studios ku lulëzoi kryetari i tyre?!. Vërtet e kanë…, vërtet do i japin edhe një mandat tjetër?
Faqje e zezë për ta, Hasan. Hasanizimi vazhdon.
3)Ai i Lezhës Hasan. Viktori. E mban mend. Kryetari dhe babai i absurdit dhe rekordmeni i bojkotit, Edi Rama. U tha lezhianëve se Viktori do e bënte Lezhën më të bukur se pikturat e Pashk Përvathit. Dhe Lezha nuk ia besoi veten mjeshtrit. Edhe pse krenohet me mjeshtrin. Lezha u magjeps. I tha mjeshtrit rri aty. Na zbukuro ëndrrat në pëlhurë. Ne jemi për Hasanizimin, Hasan. Ndaj dhe Viktori u ngrys socialist, u gdhi Lësëist, rifitoi si demokrat, e kthye prapë atje ku ishte. Hasanizëm Hasan? Hasanizëm, jo socialist. Lezha e di se ku e gjeti. Lezha e di, se, kur do ia zbardhi faqen.
Megjithëse di dhe tjetrën që, bota e njeh Lezhën me kuvendin e Besëlidhjes. Me pikturat e Pashk Përvathit. Por prapë Hasanizimi është magjik në jetën e shqiptarëve. Aventurë e nevrastenikëve. Potpuri e ngjyrave që, veç ngjyra s’janë. Ndaj yrysh, përpara, vërsulu Hasan!
Eglantina says
Z.ILIR,Ju uroj te shkruani perhere shkrime me kete humor brilant.Me nderime,Eglantina Mandia