
Orientimi pro-amerikan i popullit dhe shteteve shqiptare ka rëndësi jetike për kombin shqiptar. Historikisht, Amerika është i vetmi vend që e ka ndihmuar vazhdimisht ekzistencën e popullit shqiptar në rrethana jashtëzakonisht të vështira, i rrethuar nga fqinjë grabitqarë dhe shkatërrues.
Në shikim të parë, vërshimi i kohëve të fundit i politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria drejt Washingtonit është i mirëpritur. Prania e tyre e madhe në organizime dhe takime në nivele të ndryshme është, në shumë raste, afirmuese.
Veçanërisht ishte i theksuar numri i politikanëve që udhëtuan për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, i cili mbahet çdo vit të enjten e parë të muajit shkurt në Washington.
Nga kjo lëvizje e madhe dalin shumë pyetje të rëndësishme, të cilat kërkojnë analizë të thellë për të vlerësuar rëndësinë dhe arritjet e këtyre vizitave: nëse ato i shërbejnë interesave shtetërore dhe kombëtare apo vetëm promovimit personal, si dhe nëse duhet të realizohen në një numër kaq të madh.
Tendencat për përdorimin e Amerikës për mashtrimin e opinionit publik dhe promovimin e interesave personale e partiake, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kanë kaluar çdo kufi.
Një numër i madh i atyre që morën pjesë në Mëngjesin e Lutjeve i përkisnin kësaj kategorie. Problemi i tyre është se e kanë të vështirë ta mashtrojnë popullin, sidomos atë të Kosovës, me improvizime, fotografi nëpër korridore dhe shtrëngime duarsh kalimthi. Vetë pjesëmarrja në këtë organizim nuk ka ndonjë vlerë politike dhe nuk i bën ata të rëndësishëm.
Shtrohet pyetja nëse ia vlen të bëhen gjithë ato shpenzime për vizita simbolike, për të marrë pjesë në një tubim me mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota, i cili ka më shumë karakter shpirtëror sesa rëndësi politike.
Lajmi i mirë është se disa prej tyre patën takime të veçanta me ndonjë senator, kongresmen apo zyrtar të nivelit më të ulët të administratës amerikane. Vlera e vërtetë e këtyre takimeve do të përcaktohet nga rezultatet e tyre në të ardhmen.
Kontributi i aktivistëve të komunitetit shqiptaro-amerikan në organizimin e takimeve të ndryshme dhe pjesëmarrjen në Mëngjesin e Lutjeve ishte i rëndësishëm dhe duhet përshëndetur, edhe pse jo të gjitha ishin në interes të popullit dhe shteteve tona.
Megjithatë, përpjekjet për ta paraqitur një takim të vetëm si të jashtëzakonshëm dhe me rëndësi ekzistenciale për çështjen kombëtare janë plotësisht të pavend. Me Amerikën duhet bashkëpunuar gjerësisht, përmes shumë takimeve dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Problemi bëhet edhe më i madh kur disa politikanë përpiqen t’i përdorin këto takime për të kërkuar mbështetje personale apo partiake nga pala amerikane, duke sharë dhe përgojuar kundërshtarët e tyre politikë dhe madje edhe vendin e tyre. Ata harrojnë se për fatin e tyre politik vendos populli i Kosovës dhe Shqipërisë, jo zyrtarët amerikanë.
Gjëja më e keqe dhe më e dëmshme janë takimet me përfaqësues amerikanë që janë lobistë ose mbështetës të dokumentuar të armiqve të Kosovës, në krye me regjimin kriminal, racist dhe hegjemonist serb, siç janë ish-ambasadorët Grenell dhe Hill. Pretendimet se ata mund të ndryshojnë në favor të Kosovës apo Shqipërisë janë absurde.
Akuzat e ndërsjella se kush është pro-amerikan dhe kush jo janë bërë të mërzitshme dhe nganjëherë qesharake. Veçanërisht shqetësuese është kur këto akuza përdoren nga politikanë të korruptuar, karrieristë dhe antikombëtarë. Populli e di shumë mirë kush janë ata.
Amerika është destinacioni ynë. Miqësia me Amerikën është e shenjtë dhe e pazëvendësueshme.
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York, 8 shkurt 2026