“Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjesimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij“.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanians Studies – Budapest
Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skenderbeut, çdo ditë e më shumë po japin rezultate të reja në fusha dhe lëme të ndryshme, për të cilat më parë nuk kishte fare njohuri. Është deri diku e çuditshme që nëpër arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshme të ruhen thesare kaq të çmuara, të panjohura dhe të pabotuara deri më sot.
Është vështirë të gjenden personalitete të tilla të shquara nga e kaluara, për të cilët të jetë shkruar aq shumë dhe në vazhdimësi, qoftë në fushën e historisë, të krijimtarisë letrare e artistike, në fushën e studimit të artit luftarak, diplomacisë, etj. si për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun!
Shkrimet e para për të datojnë që nga mesjeta, dmth. menjëherë pas vdekjes së tij, ku autorë të ndryshëm, i thurnin himne lavdërimi trimërisë dhe veprës së tij madhështore, ngase ai nuk u përkul asnjëherë, as para ushtrisë së panumërt osmane, dhe as para asaj venedikase, të cilave me forcën e shpatës dhe mjeshtërinë e artit luftarak, u tregoi se lufta për liri dhe mbrojtje kombëtare është e shenjtë dhe nuk njeh sakrifica të tepërta. Vepra e tij luftarake u bë shembull për shumë popuj të tjerë, të cilët luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjesimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij“. (Fan Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, f. 35)
Sipas disa historianëve, studiuesve dhe shkencëtarëve të fushave të ndryshme, studimet për epokën dhe personalitetin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut kanë arritur kulmin, dmth. fjalën e fundit! Një mendim i tillë, në shikim të parë, duket sikur ka mbështetje, nëse shikojmë publikimet e ndryshme, të shumta, të bëra në gjuhë të ndryshme; monografi të specializuara, duke filluar nga fundi i shekullit të XV-të e deri në ditët e sotme; botime të dokumentave, edhe pse të pjesëshme, bibliografi pothujase shteruese si dhe dalja në dritë e të dhënave nga më të ndryshmet, qofshin ato private, për jetën e Skenderbeut ose ato të epokës së tij: portrete, medaljone, vula, shpata të ndryshme, përkrenare, monedha floriri, dorëshkrime, dokumente origjinale, piktura, skulptura, grafika… etj.
Megjithatë, përkundër gjithë këtyre momenteve të përmendura, mendojmë se, mendimet e lartëcekura, as për së afërmi nuk qëndrojnë. Për të nxjerrë një përfundim të tillë, na mundëson puna sistematike hulumtuese shumë vjeçare, nëpër arkiva e biblioteka anëkënd Evropës, ku ruhen gjëra me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë dhe personaliteve të ndryshme shqiptare, ndër to edhe për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Edhe pse shumë i njohur dhe tepër i trajtuar në historiografi, në fushën e krijimtarisë letrare dhe gjini të tjera, personaliteti i Skenderbut, ende është enigmatik dhe jo i ndriçuar sa duhet.
Për një argumentim të tillë, mund të sjellim si ilustrim, grafikën e Gjergj Kastritotit Skenderbeut që ruhet në fondin e grafikave të Arkivit Shtetëror Kroat në Zagreb, në signaturën HDA, Grafička zbirka, nr. 732, e punuar me bojë të zezë, në letër kartoni të bardhë, gjysmë të fortë me dimensione brenda kuadratit: vertikalisht: 27.5 cm horizontalisht: 19.4 cm ndërsa dimensionet e vetë portretit janë: vertikalisht: 19.6 cm horizontalisht: 19.4 cm, të cilën e konsultuam në mesin e muajt prill të këtij viti.
Në grafikë Skenderbeu, paraqitet paksa në profil i kthyer në të majtë dhe është vetem pjesa e kokës pa trup. Kokën e ka tullace, mban një mjeker të gjatë, të valëzuar, sy të mbyllur. Hunda ka formën e “hundë shqiponjës”. Portreti është i futur në një kornizë katrore, me vija të dyfishta, të theksuara. Poshtë kornizës, ka të shënuar me laps plumbi: 1580. Scanderbeg. Sb. XX. 358234. Në kurriz të portetit [verso] lartë në të majtë, ka këto shënime me laps plumbi: Türken Portr. Mappe 53301. Në mes të faqes, po në verso, është vula e Arkivit Shtetëror Kroat. [Hrvatski Državni Arhiv. Grafička zbirka. Inv. Br. 732].
Poshtë portretit është ky tekst:
WARE CONTRAFACTVR, DES SCANDER BEEG IN DER PROFINZ. BOSSEGA WELCHEN HERR GEORG GRAF ZV SERIN ALS AVFF SOLCHERRAIS OBRISTER DEN XXX SEPTEMBRIS. IM M.D.LXXX IAR SAMBT ANNDERN MER FVRNEMEN TVRCKEN. DERN IN ALLEM VBER IIIIM.GEWESEN AVS DEN SELBEN ABE BIS VBER. CCC. ERLEGT VND GEFFANGEN.
Përkthimi në gjuhën shqipe do të ishte:
Kontrafaktur e vërtetë e Skenderbeut në provincën e Pozhegës, të cilën [e kishte me vete] zoti kont Gjergj Zrinski, oficer i lartë kur udhëtoi si i tillë më 30 shtator. Në vitin 1580 ishte bashkë me shumë turq të tjerë të shquar. Ata ishin mbi 4.000, nga të cilët ai vrau dhe zuri rob mbi 400.
Theksojmë se teksti në gjuhën gjermane është i shekullit të XVI, kështu që është mjaft i vështirë dhe nuk është i lehtë për përkthim. Në disa raste kemi qenë të detyruar të vëmë fjalë të reja për të pasur një kuptim logjik teksti. Këto fjalë i kemi vënë në kllapa katrore dhe shkrim kursiv.
Përkundër kërkimeve të shumta, ne nuk kemi arritur të sigurojmë asnjë të dhënë për autorin e mundshëm të grafikës. Siç e thamë kjo grafikë ruhet në Arkvin Shtetëror Kroat që nga mesi i shekullit XVII, por nuk ka shënime se si ka arritur aty.
Gjergj Kastrioti Skenderbeu si njëri prej prijësave më të njohur të shekullit të XV-të që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do ta e ngrinin lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj. Në të, ata shohin rrebelimin, qendresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvëniës, sepse në atë kohë, ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat. Vetë fakti se konti Gjergj Zrinski e kishte me vete grafikën e Skenderbeut tregon se Skenderbeu është konsideruar si idhull në luftë kundër turqëve, dhe reliketet e grafikat e tija janë mbajtur si objekte fatësjellëse në luftë. Konti Gjergj Zrinski ishte një ndër figurat më të rëndësishme të asaj periudhe në luftërat e kroatëve kundër osmanëve, deri në vitin 1603 ishte edhe ban i Kroacisë, Dalmacisë dhe Sllavonisë nën perandorinë Austrohungareze.
Pra, në Kroaci, pos kësaj grafike, ruhen edhe objekte të tjera me vlera shumë të veçanta për Gjergj Kastriotin Skënderbeun si medaljoni i Skenderbeut nga viti 1449, letra të dala nga kancelaria e Skënderbeut si dhe katër vula origjnale, një shtetërore ajo e madhja dhe tre të vogla, përkatësisht ajo private e tij; dorëshkrime ku trajtohet jeta dhe vepra e tij, p.sh. ai i Shibenikut, Sinjit, Zagrebit, etj, krijime letrare, drama e Sakcinskit, etj., etj.