Të premten pasdite, 15 Mars 2019, Don Fatmir Koliqi, famullitar në Prishtinë në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza(Katedralen) dhe zëdhënës i Ipeshkëvisë së Kosovës vizitoi selinë e Vatrës. Ai shoqërohej nga anëtari i Këshillit të Vatrës, biznesmeni Anton Raja, i njohur për mbështetjen dhe udhëheqjen e fondeve për Katedralen dhe organizimin e turneve të golfit për këtë qëllim. Don Fatmir Koliqi u prit nga Editori i Gazetës”DIELLI”, Dalip Greca, i cili e njohu me historikun e 107 viteve të Federatës VATRA dhe me 110 vjetorin e gazetës”DIELLI”.
Duke ndjekur gjurmët shekullore të Vatrës në SHBA, don Fatmir Koliqi tha se të gjithë ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht Federatës VATRA, që ka shërbyer për shumë kohë në vend të shtetit shqiptar, kur nuk e kishim. Shqiptarët e Amerikës, por dhe ata në vendlindje duhet të luftojnë të gjithë për ta përkrahur Vatrën sepse ajo përbën një trashëgimi të madhe historike Kombëtare. Vatra duhet të forcohet sepse detyrat Kombëtare nuk kanë përfunduar ende dhe Kombi shqiptar ka probleme të mëdha për të zgjidhur.
Editori e njohu mysafirin edhe me përgatitjet që po bën VATRA për të kremtuar 110 vjetorin e Gazetës së saj”DIELLI”. Veprimtaritë do të kulmojnë me 6 Prill 2019, në 3 West, 51th Street, Manhattan, NY, ku do të organizohen dy veprimtari brenda ditës, Konferenca Shkencore kushtuar këtij përvjetori historik dhe Darka solemne.



