Një vështrim kritik për romanin e Visar Zhitit “Këpuca e aktorit
Nga Uran Butka
Romani i shkrimtarit Visar Zhiti, “Këpucët e aktorit”, një fiction i fuqishëm, ngërthen një dramë ekzistencialiste, që shpaloset artistikisht dhe emocionalisht në tri kohë: atë të mbretërisë, të luftës së Dytë Botërore dhe të regjimit komunist, si edhe të periudhës së demokracisë.
Është konceptuar me tre akte dhe tre epilogë të ndërthurur jo në vijueshmëri të dukshme, por me copëzime si një tabllo futuriste, me stil tejet modern, meditim, filozofi e forcë njerëzore sizifiane, nëntekst të thellë, kulturë e humor të thekur shqiptar nga burimet shqiptare, dhënë me ngjyrimet e dritës, por edhe të mjegullës kafkiane, me analiza tronditese psikologjike e pasqyrime indirekte historike, me një eksplorim Kantian të vetvetes, apo të të tjereve nëpërmes vetvetes, analiza psikologjike e reflektime indirekte historike, me personazhë e metafora-personazhe të gjetura si edhe me gjuhë të pasur e të kthjellët shqipe.
Mendoj se është më së shumti një roman psikologjik postmodern; në vetë të parë, një roman ndryshe nga të tjerët e letërsisë shqipe, jo vetëm, ndryshe nga romanet e tij të mëparshëm, më i afërt me poezinë zhitiane, një risi në letrat shqiptare.
Bashkë me tragjizmin për fatet e intelektualit në të tri kohët, tragjizmin e komizmin e fatit dhe të lojës së aktorit, por edhe të një populli, romani përhap bashkë me emocionin artistik edhe dritësi, paqësim, mirësi e dashuri, përpjekjen për të lënë gjurmë në jetë apo në përjetësi, pasion për artin si edhe luftën për lirinë e brendshme, nën një trysni absurde, antinjerëzore. Një prozë e vetvetishme, një rrëfim i çiltër, emocional, që buron nga një shpirt i ndjeshëm artisti dhe mendje e hapur.
Pjesa e parë jepet përmes rrëfimit të Moisiut, babait të Hektorit- heroit kryesor, një rrëfim i ndjerë, tejet konçiz dhe i nëndheshëm, sipas parimit të ajsbergut dhe me humor të hidhur. Koha e Mbretërisë dhe e Luftës së Dytë janë portretizuar me këtë personazh, në kërkim të vetes, që rreket të bëjë për vete mësimet e Rilindësve të mëdhenj dhe të Pavarësisë, për dije, kulturë dhe bashkim, tri arsye madhore të Lumo Skëndos për përlindjen e Shqipërisë. Nga Tomorica e largët, shkoi në shkollën Normale të Elbasanit, të iniciuar po nga Lumo Skëndo, të cilin e kishte idhull, u shqua si nxënës por edhe si një talent për aktor, (këtu zuri fill këpuca e aktorit), mandej si mësues i shqipes, por edhe i lirisë. Nëpërmjet Moisiut, autori na jep me penelata piktori dhe ngjyrat e forta kuq e zi, dramat e Luftës së Dytë, përplasjet me pushtuesit e më së shumti me vetveten, luftën civile mes nacionalistëve dhe komunistëve, këta të fundit të yshtur nga rusët e serbët për t’i vënë shqiptarët, si asnjëhërë më parë në historinë e tyre, në një luftë vëllavrasëse. Në këtë luftë u përfshi edhe Moisiu, jo me armë vrasëse, por si luftëtar intelektual me armën e shqiptarizmës, luftohet edhe me libra, thoshte Moisiu, madje shkroi edhe dramën “Kundërshtarët përqafohen”, që e vuri vetë në skenë, duke mëtuar bashkimin dhe marrëveshjen dhe jo armiqësinë dhe mosmarrëveshjen. Protagonistë ishin dy vëllezër, njëri ballist dhe tjetri partizan, që u përballën dhe vranë me njeri-tjetrin; del nëna e tyre si fantazmë, gjen kufomat e tyre, i bën bashkë me një përqafim të fundmë dhe i mbulon me shqiponjën e flamurit, që u flet me gjuhën e perëndive, me shqipen e lashtë: duke vrarë njëri-tjetrin, keni vrarë copëza Shqipërie. Dhe për këtë dramë, të cilën partizanët e dogjën mbi turrë drush si në kohën e inkuizicionit, Moisiun e dënuan. Njësitet guerilje gjejnë rast dhe e vrasin. Më tej, gjyqi partizan dënoi me pushkatim një partizan tjetër, sepse kishte rënë në dashuri me një partizane. Po përse kishin dalë të luftonin? Nuk ishte rasti i vetëm…
Pjesa e dytë ose akti i dytë i dramës shqiptare. Autori, Visar Zhiti, jep vetëm disa elementë sinjitikativë të krimeve të komunizmit, që emocionalisht plotësojnë tabllonë e përgjakshme të luftës e të pasluftës. Ai shkruan: Po erdhi nëntori 1944…U lirua Shqipëria, por jo shqiptarët. Autori rikrijon skenat e tribunalit në Teatrin Popullor, ku zhvilloheshin gjyqet ushtarake ndaj kundërshtarëve politikë, armiqve dhe tradhtarëve te supozuar të popullit, një shfaqje, që s’ishte shfaqje teatrale, një loje që s’ishte lojë. Teatër absurd,, tragjik, teatër i vrasjeve. Binin kokat e shkolluara në Evropë, truri i kombit. Në skenën e hapur: futen vrasësit dhe ata që do të vriten. Dhe duartrokitje e thirrje frenetike të spektatoreve te zgjedhur. Në skenën e teatrit, nuk kishte aktorë, por partizanë, që ndonëse kishte mbaruar lufta, ende i mbanin pushkët në krahë, kapelet me yll të kuq dhe dhe urrejtjen në kokë. Sillni armiqtë…Një grua e lidhur me zinxhirë, e veshur me të zeza, me hijezimet e torturave në fytyrë, me një bukuri të dëmtuar, shkrimtarja e parë shqiptare, Musine Kokalari, përpara tyre, thotë:“Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. S’jam komuniste dhe ky nuk mund të quhet faj. Nuk jam armike…”
Autori pikturon tabllo impresioniste. Në mes llozha me kadife të kuqe, ku qëndron diktatori Enver Hoxha, vështron me manokël fytyrat e armiqve dhe me një copë pusulle, që korieri e sjell tek kryetari i gjyqit, jep vendimin. Teatër i gjyqeve farsë. Dhe i pasgjyqeve farsë. Grotesk tragjik. Një javë më pas sekretari i partisë i kishte thënë xhaxhait, Agronit, (ish partizan) se ishte parë që nuk kishte duartrokitur në teatër. Në ç’teatër? Në atë të gjyqit. S’kam duartrokitur? Mbase, kur kisha djalin (Hektorin) në prehër! Të dy duhet të kishit duartrokitur… E drejtë , tha xhaxhai. Bëj autokritikë…Patjetër, dhe të është shënuar në kartelë…
Kështu, kur ishte tre vjeç dhe në teatrin e vrasjeve, nisi edhe jeta e vërtetë e aktorit Hektor Tomorri, djalit të aktorit Moisi Tomorri. Unë jetim, me babanë e pushkatuar dhe me xhaxhanë partizan, kumton ai. Tërë jetën i dyzuar, i përndjekur, por edhe i mbrojtur nga xhaxhai besnik i idealit të tradhtuar. Dihej fati tragjik i familjeve dhe fëmijëve të deklasuar, apo me prindër të pushkatuar. Por edhe i familjeve të ndërkallura, pak më ndryshe. Luftë klase, thotë autori. Duhej armiku, madje edhe duhej shpikur, kur nuk ekzistonte.
Është meritë e autorit në paraqitjen adekuate me kohën, të Xhaxhait: besnik i idealit partizan, besnik i partisë, për partinë jap gjakun, por njëherësh edhe njeri i mirë, i sakrificës, që e mban familjen e vëllait, kuptohet jo fshehurazi, me leje dhe mbron të ardhmen e të nipit, Hektorit, por dhe të vetes…
Nën tutelën e xhaxhait partizan, Hektoi arriti të kryente shkollën dhe të bëhej aktor në qytetin e vogël L, pa teatër, më pas me estradë profesioniste. Aty e filloi jetën aktoreske me ëndrra të mira, me shtëpi dhe me grua të bukur e të dashur, Erikën. Ai ndjehet i pëmbushur dhe këtë ndjesi ia jepte aktrimi, por edhe Erika. Përpiqej t’i mbante të dyja, por edhe lumturia përndiqej, thotë ai. Ndjehej gjithsesi i pasigurt, i rrezikuar. E përndiqte në çdo lojë e në çdo hap Dega e Brendshme, edhe nërmjet aktorit të ardhur nga klasa punëtore, angjenti i fshehtë i Sigurimit, Çaçoja. Ndaj bëri çmos të punonte fort edhe si libretist edhe si aktor dhe të fitonte besimin e autoritetit, që e kontrollonte, por edhe dashurinë në rritje të spektatorit, dashuri që e ndjente dhe e mbante gjallë.
Loja e aktorit në skenë pëpara Enverit, është një skenë shekspiriane, një lojë demoniake e mahnitëse, siç i pëlqente Enverit, një lojë vetëm me një këpucë, si Çaplini, duke kërcyer pupthi si një kloun dhe goditur fytyrën me këpucë, më në fund i rrëzuar në skenë si Molieri i vdekur. Një gjetje gjeniale e shkrimtarit. Enverit i pëqente aktrimi, ai është gjithnjë në aktrim, di të luajë bukur, është vazhdimisht në rol, është magjistar i mashtrimit. Luajtëm siç i pëlqente atij: mbreti me lolon Ai u ngjit në skenë, i tëri në rol, demon i kuq. Enveri erdhi pranë meje, më ngriti, (kështu të ngre Partia kur bie), e pashë përmes qerpikëve të mi si përmes telave me gjemba, (Çfarë figurë mahnitese!)..Ti luan mirë. Ju, shoku Enver! Jeni ju , pa jemi ne. Të rrojë Partia! Me Ju në krye…..
Megjithëse e fitoi këtë mbrojtje të dytë, Hektori nuk ndihej i sigurt nën presionin mbytës të ambientit të jashtëm, por edhe të brendshëm psikologjik, të përndjekjes, të frikës; nisi të mendonte për mbrojtjen e familjes, ndaj e largoi Erikën dhe Irisin nga qyteti L. i makthit dhe e dërgoi në Tiranë tek familja e saj më e sigurt, më e mbrojtur. Kështu kishte nisur tjetërsimi i tij, tëhuajëzimi i ngadalshëm e gërryes, si për shkak të karrierës të tij iluzive dhe të sfinksit pushtet. Shkrimtari Visar Zhiti, si një mjek psikoanalist e ndjek fatin e pacientit të tij. Çapi i parë fatal ishte bërë, kur nuk iu gjend Erikës tek lindëte vajzën, Irisin, se duhet të ishte në shfaqjen me Enverin. Ngjarja më e rëndësishme në jetën e tij, por edhe më fatalja… U nda nga Erika dhe vajza, Irisi, ndonëse i donte, por e pranonte se kështu ishte më mirë për to, u nda pa bërë asnjë përpjekje për bashkim, u mjaftua dhe u pajtua me gjendjen vetanake, boshin familjar dhe me rolin e aktorit me maskë, me takime seksuale të rastësishme, por edhe me ngushëllimin e vetëm dashuror të Kukullës Barbi… Po mendon për Erikën, e pyeti Kukulla Barbi, infermierja. Po, E vuaj. E vuan edhe lexuesi ndarjen pa motiv nga Erika. A thua të mos e kishte dashur me të vërtetë? Është koha kur s’duhej dot dhe vetja…
Autori i romanit e ndjek dhe e përshkruan me penë të hollë e zhbirim mjeshtëror zgripin moral e shpirtëror të heroit të tij dhe të brezit të humbur, në kohën e qoftëlargut.
Absurdi dhe grotesku shtohen në skenat e fshatit. Ato janë të një bukurie të rrallë dhe të trishtë. Ndërkaq ai sjell dhe personazhin e paparë në letrat shqipe, Merkoshin, shkërbyesin burrë të dhimbjeve të lindjes së gruas, një dukuri e çuditshme me rrënjë pellazgjike, që e pasurojnë romanin me etnos dhe befasi artistike.
Akti i tretë ose pjesa e tretë e romanit, kur erdhi ndryshimi i madh i dëshiruar në vitet ‘90, gjendja ndryshon, por edhe stoli i romanit, merr një dritë tjetër, edhe në gjuhë. Edhe në ironi. Tashmë është një demokraci pa teatër. Ëndërrat realizohen me vonesë, kur s’duhen më, përsiat shkrimtari, se protagonisti vjen tashmë në Teatrin Kombëtar.
Romani, përveç përjetimeve të aktorit për këtë kohë të tretë, ka edhe një dimension tjetër, na jep edhe një informormacion të filtruar artistikisht për botën shqiptare dhe atë të jashtme të lidhur me Shqipërinë, ngjarjeve historike apo aktuale me personazhe të trilluar u shton dhe ata të vërtetë, (At’ Gjergj Fishtën, Mid’hat Frashërin, Odisea Elitis, – poetin grek nobelist, Nënë Terezën, diktatorin Enver Hoxha dhe emra të tanishëm politikanësh të lartë…), që së bashku rrinë natyrshëm si në jetë, dhënë jo si kronikë, edhe pse kjo është e modës tanimë, as si portretizime publicistike, por nëpërmjet ndjesive e reflektimeve të brendshme të personazhit kryesor. Kjo e bën që fikshëni i romanit, tejet i ndjerë, të kumbojë më i sinqertë, pra, më i vërtetë. Imagjinata e reales dhe realja e imagjinatës përzihen.
Visar Zhiti sjell të tronditshem kohë, ndal dhe te 1997, e përjetuar si një çmenduri kolektive, siç e pohon vetë. Skema Ponci, thotë ai. Një kamarier i kthen aktorit kusurin për kafetë e ngjeruara, jo në lekë, por me disa plumba në dorë… Pastaj një spektakël makabër:
…një njeri i shkaluar mbante në duar një kokë të prerë njeriu, e kishte kapur nga flokët, e tundte, e kalonte tryezë më tryezë, ua afronte njerëzve, u kanosej dhe s’fiste fare. Syngrirë ai dhe koka e prerë…E njihnin atë kokë, ishte një i lagjes, që kishte kaluar me bandat kundërshtare.
Një barbari që vjen nga e kaluara.
Visar Zhiti është tejet i ndjeshëm për vuajtjet e të tjerëve, për peripecitë, zvarritjen e nëpëkëmbjen e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë edhe në kohën e demokracisë, që kërkojnë drejtësi dhe jo vetëm dëmshpërblimin e dënimit.
Visari ka qenë dhe mbetet poet i dhimbjes njerëzore, ka qenë dhe është me të mundurit, me të vuajturit, me të drejtën e mohuar, me të privuarit e lirisë, kundër çdo pushteti apo qeverie qoftë. Ja si e jep ai grevën e urisë të ish të burgosurve politikë në lagjen “Komuna e Parisit”, ku mori pjesë edhe Hektori, pesonazhi i romanit . “U dëgjuan sirenat e makinave të policisë. Një polic doli me të shpejtë ngë makina e parë dhe hapi derën e makinës më pas. Ministri i Punëve të brendshme, që shoqërohej me tre-katër civilë, që rrethoheshin nga policë. Njëri nga civilët foli rreptë: “Ministri kërkon t’ju dëgjojë, ç’kërkesa kini dhe t’ju këshillojë të lini greven e urisë, të meremi vesh…. Brofi më këmbë një grevist: Jep dorëhëqjen ti. Ti prokuror i diktaturës, ti që më ke dënuar! Ministri mbeti. Dukej si një nofull e madhe. Dhe iku. Pas tij edhe ish-kryetari i Degës së Brenshme të qytetit L,, i cili e kishte futur në qeli aktorin, që të shkruante një dramë për ta… Përmes turmave të çakërdisura, po vraponte një zjarr. Një zjarr me këpucë. Në formë njeriu zjarri. Britmat: Liri, Lirak..Po digjej ai që kisha njohur unë, (Liraku) që sapo kishte hedhur benzinë mbi veten… Ish të përndjekurit e Shqipërisë djegin veten per Shqipërinë, politikanët djegin shqipërinë për veten e tyre”.
“Është demokraci e tyre, s’është jona” tha aktori Ziu, i teatrit të rrugës…
Megjithatë Hektori ishte dhe mbeti rob i skenës, sepse e donte atë dhe lojën e aktorit. Ndonëse i lodhur dhe i zhgënjyer, aktron me teatrin e rrugës, në spital, në amfiteatrin e Durrësit, ku punonte si punëtor për riedukim, sepse teatër nuk kishte.
Visar Zhiti, si për ndrequr diçka të thellë në shpirtin tonë kolektiv, fton në romanin e tij shenjten Nënë Terezë. Ndjenja e mëshirës, mbi të gjitha e dashurisë, e përshkon tej e ndanë veprën. Por e shoqëruar dhe me çudinë.
Në kohën e pandemisë, kur njerëzit ishin mbyllur brenda nën trusninë e një stresi të ri, protagonisti i romanit eksperimentoi teatrin lëvizës me ekskavator, një ide gjeniale e studentit shqiptar të Milanos, Atjonit personazh. Kova e ekskavatorit, si një këpucë gjigante, brenda së cilës aktronin Hektori dhe Kukulla Barby, lëviste nga ballkoni në ballkon, nga pallati në pallat, nga lagjia në lagje, nga qyteti në qytet, për t’u gjendur pranë qytetarëve të ngujuar, të cilët këqyrnin e dëgjonin nëpër ballkone, dritare e taraca dhe tundnin duart si të çliruar. Teatër eksperimental, i pa paparë, absurd, por sa human! Ndoshta ishte shfaqja e parë në botë në kovën e një ekskavatori me skenografi këpucën dhe monologu ngjethes i aktorit, që të zgjonte jetën e ngujuar. “Kemi harruar të duam, të ndihmojmë nëri-tjetrin dhe veten,” monologonte ai dhe recititonte lutjen-poezi “Jetë” të shenjtores Nënë Terezë.
Eshtë aftësia krijuese e autorit të romanit, që na e jep personazhin në situata të tilla rënieje, por edhe në ringritje, ferri apo qielli. Por është dashuria që e ringjall, një dashuri që e kthen në jetë: dashuria e vajzës, Irisit, që vinte pas kaq kohësh nga Amerika bashkë me të shoqin nga Kosova, Marinin, një çift aktorësh dhe krijuesish, emigrantë në SHBA. Takimi i tyre i parë me Hektorin është i befasishëm, tronditës, i bukur, shërues. Për herë të parë u ndje baba i vërtetë. Ajo i solli lumturinë e munguar aq gjatë. ”Po merrja ngazëllimin e munguar, aq shumë së brenshmi, sa ndjeja gufime në gjoks…Ngjante me një dënesë. Ndarja mes nesh s’ia kishte dalë të fitonte..,”
Irisi me Marinin qëndruan gjatë me Hektorin, për ta jetuar dhe ndihmuar, por edhe për të mësuar prej tij, për të shkruar për të. Janë shumë kuptimplote bisedat dhe ndjeshmëritë mes tyre. Marini është djalë nga Prizreni, nga Kosova, e zgjeron atdheun dhe shpirtin. Ata do të jenë edhe dëshmitarë të fundit tragjik të tij, të epokës së tij.
Ky është edhe epilogu i romanit, rekuiem i Mozartit. Prishja e teatrit të vjetër me ekskavatorin përbindësh dhe mbetja e aktorit nën rënoja. Një skenë tronditëse, tragjike, por edhe domethënëse, e përshkruar nga Visar Zhiti me ndjenjë, forcë dhe art Visarian.
Nisi shëmbja e teatrit, por edhe e aktorit brenda tij. Aktorët, të vjetër e të rinj, të ndarë më dysh. Teatër kundër teatrit. Në luftë me vetvetën dhe me qeverinë. Mendoj se aktori, ashtu si autori, nuk janë për prishjet, ata duan kujtesën, dëshminë, reliket e kulturës së shkuar, si muze, edhe për vetë historinë e tij teatrore, edhe me ato gjyqet politike që ishin kryer në të si lojë vdekjeje. Diku tjetër të ndërtohej një teatër i ri, fuksional, modern, i bukur, si në botën e qytetëruar.
Aktori i plagosur mediton: “Teatri ra i gjithë. Më ra trari mbi kokë, ai më vrau… Është skena ku erdha vetë, i ri. Herët – kur ishte vonë, ky ishte ende herët. Çdo vend ka teatrin që meriton… Mos isha prapë në rol? S’ka si të jetë ndryshe. Sidomos në një teatër, qoftë edhe i shëmbur… Duhesha kurban. Por s’jam as ne themelet e teatrit të ri. Ky ishte fundi im”
Në momentet e fundit, i vjen Atjoni, studenti, si një engjell mbrojtës dhe përdëllyes:
“Si i dërguar nga qielli. Nga andej vij…”
Kjo ishte vdekja e parë, nën gërmadhat e teatrit.
Shkrimtari na jep edhe në një vdekje të dytë të aktorit, si gjithnjë të dyzuar, në shtëpinë e tij, ku ai shkon i plagosur për vdekje dhe si në jerm rikujton jetën e tij, të dashurit e tij, nënë Marijen, Erikën, Irisin, Martinin, Kukullën Barbi, miqtë aktorë dhe joaktorë, maskat dhe këpucët e aktorit. Ndezi një qiri dhe flakëzën e vogël sa një gjuhë zogu ia afroi një maske të errët lëkure dhe flakëzat si flatra zogjsh përpinë gjithë shtëpinë dhe atë vetë që u kthye në hi. (mos është urrejtja e antiaktorit për maskat e teatrit e të jetës me maska në fytyrë dhe hiri i përjetësisë të aktorit të vërtetë, që mbetet?)
Në sekuencën e tij të fundit të imaginatës së ndezur, ai sheh edhe arkëmortin e tij, ku bënin homazhe njerëz me maska, mes tyre sheh edhe kurrizin e Çaços, aktorit spiun, që rënoi perfundimisht jetën dhe martesën e Hektorit me Erikën, por tashmë ishte kthyer në teatrin politik të kohës. Një gjetje tjetër identifikuese dhe metaforike e autorit të romanit.
Një parantesë: Tek flisja e denoncoja në TV prishjen e varrit dhe të bustit të Mit’hat Frashërit, ç’koinçidencë, personazh dhe në roman, gazetarja me pyeti: ”Kush e prishi varrin e Mid’hat Frashërit? – Mbeturinat e shëmtuara, por edhe të rrezikshme të enveristëve, thashë.- Konkretisht, pyeti sërish ajo. – Çaçoja, përmenda krejt natyrshëm, personazhin e romanit “Këpuca e aktorit”. Ai nga realiteti u fut brenda në roman dhe nga romani tani del në realitetin jashtë.
Në roman, edhe kur ka ndonjë skenë, ku ngjan sikur bie ritmi apo tek-tuk zgjatje të qëllimshme, ngërthime eseistike, etj, ato janë pjesë strategjike e romanit, e ritmit dhe aritmisë gjenerale, e asimetrisë estetike, stili i përshtat kohës së rrëfimit dhe personazheve me asosacione idesh dhe “përroin psikik” të tyre.
Teksti fundor ose epilogu III mbi Ukrainën, për mua fare i beftë, por që autori gjen një pikë lidhëse, misionare – teatrin dhe aktorin Zhelenski, tashmë president i Ukrainës, teatri shkon në front, është dhimbja konkrete për Ukrainën që po qendron e rrënuar. Përsëritet motivi human i Visar Zhitit për të rënët, për padrejtësitë e kësaj bote, por edhe për qëndrestarët me gjakim universalizimin.
Gjithashtu vë re tek-tuk edhe ndonjë referencë të personaliteteve të shquara të teatrit apo të kulturës, një shfaqje të eruditizmit, që sikur e bën veprën më të mençur, por Visari tanimë nuk ka nevojë për to, shkrimtaria e tij e bukur dhe e mënçur ka zërin dhe fjalën e tij magjike.