Rafaela Prifti/
Temë kyçe për 2024 kur do ketë zgjedhje thuajse një e treta e vendeve të globit është integriteti elektoral përballë makinerisë së fuqishme të dezinformacionit. Në janar të këtij viti Tajvani arriti të kryej me sukses zgjedhjet demokratike duke dalë fitues ndaj dyndjes elektronike keq informuese që për muaj me radhë synonte dobësimin dhe denigrimin e procesit zgjedhor. Analistët dhe agjencitë e lajmeve njoftuan se Tajvani e zmbrapsi fushatën e ndërhyrjes së Kinës në zgjedhjet parlamentare duke qenë shumë metodik dhe i koordinuar në taktikën e vet. Në këtë pikë, shteti ishull i Paqësorit ka dhënë një shembull me vlerë për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera përsa i takon kërcënimit që sjell dizinformacioni nga jashtë. Viti 2024 mund të quhet kryevit i zgjedhjeve sepse gjatë 12 muajve 64 shtete të botës, nga Mbretëria e Bashkuar në Rusi, nga India në Kinë, pra, së bashku, më shumë se gjysma e popullsisë së planetit ka për të shkuar në zgjedhje. Nga rezultatet e tyre do shihet gjendja e sistemeve demokratike dhe ajo e vendeve me regjime autoritare.
Në 13 janar në Tajvan kishte filluar numërimi i fletëvotimeve ndërkohë që përhapej me shpejtësi online “lajmi” i falsifikimit të votave. Flitej se votuesit kishin bërë vota fallco dhe se ato tashmë ishin numëruar prandaj edhe rezultatet do ishin të pasakta. Një video me shikueshmëri të lartë tregonte se një punëtore e qendrës votuese gabimisht llogariste votat e një kandidati në rreshtin e një kandidati tjetër. Mesazhi për të gjithë ishte më se i qartë:
Zgjedhjet nuk janë të besueshme! Rezultatet janë të manipuluara!
Të tilla kriza sjellin ngjarje si 6 janari amerikan, por kjo nuk ndodhi, njofton agjencia Associated Press. Zgjedhjet e janarit në Taivan përfaqësonin një moment kyç për ekzistencën demokratike të vendit. Fqinji i madh dhe i fuqishëm Kina kishte dërguar 30 fluturues luftarakë dhe një regjiment të flotës kineze drejt Tajvanit në 27 janar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë marrëdhëniet midis Amerikës dhe Kinës arritën pika të reja të tensionit në prag të njoftimit të hapjes së bisedimeve. Nga ana e saj administrata e Biden-it i kërkon Pekinit të ndikojë mbi Iranin për sulmet nga Hutët, ndërsa Kina i jep paralajmërim Uashingtonit për pavarësinë e Tajvanit.
Reagimi i Tajvanit ndaj videos dhe lajmeve të rreme ishte i rrufeshëm. Grupet e verifikimit të informacionit dhe Komisioni Qendror Zgjedhor dhanë menjëherë konferenca shtypi për të sqaruar dhe zbardhur paqartësitë. Figurat me influencë të internetit dhanë shpjegime të shpejta në YouTube për sa i takon numërimit të votave. Konkretisht videoja që tregonte punonjësen që numëronte gabimisht votat u analizua menjëherë dhe u gjet që ishte e manipuluar në montim. Shkelja ishte kapur në vend dhe numërimi ishte korrigjuar menjëherë. Kjo u njoftua nga një program aplikacioni i pavarur tajvanez.
Megjithatë video ishte një nga qindra publikime që verifikuesit dhe organizatat mediale jofitimprurëse i analizonin në momentin e publikimit.
Kryetari aktual i Partisë Demokratike Progresiste Lai Ching fitoi ndaj rivalëve në zgjedhjet presidenciale të cilat në realitet janë një referendum i marrëdhënieve të Tajvanit me Kinën. Kina e cila e konsideron
Tajvanin pjesë të vetën vuri në veprim një gamë të gjerë dizinformacioni, sipas hulumtimeve të kryera nga Double-Think Lab.
Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare njoftoi se, në masë të gjerë, fushata synonte bjerrjen e besimit në partinë në fuqi, duke e paraqitur si palë e interesuar për të nisur një luftë të cilën Tajvani nuk mund ta fitojë. Paralelisht tentohej edhe denigrimi i përkrahjes amerikane si një fuqi e lidhur me vendin vetëm për interesat ekonomike të Amerikës.
Në Tajvan denoncimi i informatave të rreme ishte efektiv sepse nuk ishte i copëzuar dhe nuk bazohej vetëm në instanca të caktuara shtetërore për verifikimin e të dhënave të publikuara, thanë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare. Tajvani ndoqi një strategji të quajtur “reagim i gjithë shoqërisë” në të cilin edhe individë apo shtetas privat mund ta denonconin dizinformacionin apo propagandën e publikuar. Kundërpërgjigja e shpejtë nuk i jep mundësi thashethemeve të shpërndahen pa kontroll të shpejtë dhe të dokumentuar. Qasja është e ngjashme me trajtimin e tumorit, thonë analistët, “sapo e ke diagnostikuar, vepron menjëherë për ta hequr nga organizmi.” Kjo nuk ndodh në boshllëk apo pa pasur një shoqëri civile të organizuar mirë. Në Tajvan një pjesë e grupeve janë nisma personale nga individë që vërenin sesi miqtë e familjarët e tyre ndikoheshin nga dizinformacionet online. Disa ente të shoqërisë civile nuk marrin as fonde nga shteti për të qenë krejtësisht të pavarur, raporton Associated Press.
Publiku është më syçelët në lidhje me ato çfarë shikon apo ‘raportohet’ në platformat dixhitale por vetëdijësimi kërkon kohë. Ndonëse zgjedhjet përfunduan, sfida nuk është kapërcyer. Analiza pas- zgjedhore e institutit Double-Think Lab tregon se metodat për dezinformim nga Kina kanë tipare më të lokalizuara dhe janë në mënyrë të vazhdueshme më të sofistikuara. Ndërsa videot e prodhuara vite më parë nga kinezët postuar në faqet e FB dalloheshin lehtë për nga cilësia e dobët e tekstit dhe paraqitjes grafike, produksionet e tanishme duken autentike dhe përzgjedhja e temave është e lidhur me diskutimet e ditës në atë mjedis, prandaj bëhet lehtësisht e besueshme.
Në Shtetet e Bashkuara polarizimi i brendshëm ndër vite ka ndjekur linja të kontrasteve të thelluara në shoqëri, ekonomi dhe politikë duke krijuar kushte të favorshme për shpërndarje të dizinformacionit. Çdo lloj përpjekje për ta penguar atë kritikohet si censurë e lirisë së shprehjes nga shteti. Në emër të mbrojtjes të së drejtës kushtetuese luftohet çfarëdo lloj mekanizëm verifikimi si imponim apo diktat mbi fjalën e lirë. Klima politike aktuale e komplikon përballjen me shtrembërimet e informacionit pa u akuzuar se “po censuron pikëpamje politike legjitime”. Nuk është rastësi që të njëjtat qëndrime të cilat propagandohen nga media shtetërore ruse dhe të tjera gjejnë shpërndarje të ethshme online nga grupe e grupime të brendshme. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se nuk duhet shumë për injektimin e opinionit publik nga faktorë të jashtëm sepse tashmë dizinformacioni gjallon në formë aktive brenda shoqërisë sonë.