Nga Asllan Bushati/
Fillimisht dëshiroj të kërkoj mirkuptim se gjithmonë në shkrimet e mija, përdor emërtimin iliro-shqiptar “Dardania” në vend të “Kosova”. Këtë e bëj për shumë arsye të njohura, por edhe për faktin se në këtë moment nuk do të ishte e drejtë ndalesa për shpiegime për këtë problem, kur objekt i shkrimit janë zgjedhjet.
Sic dihet tashmë, zgjedhjet e përgjithëshme atje, janë dekretuar të mbahen më 14 shkurt 2021. Ato, pas mëvetsisë nga Serbia dhe vecanërisht pas shpalljes së pavarsisë, janë bërë disi të shumta. Disa janë të mendimit se kjo është një gjë e mirë se demokracia është në veprim e zhvillim. Disa të tjerë nuk e përkrahin shpeshtësinë e zgjedhjeve duke gjykuar se qeverive të zgjedhura duhet të ju jepet koha e duhur për të mundësuar realizimin e detyrimeve të marra para votuesve të tyre dhe shtetit Dardanisë. Edhe unë rreshtohem me këto të fundit.
Por le të shohim si paraqitet situate parazgjedhore atje dhe cilat janë pritshmëritë e rezultateve dhe disa nga opsionet qeverisëse paszgjedhore.
Partia Vetvendosja dhe udhëheqësi i saj Albin Kurti, kanë shumë gjasa të jenë më të votuarit, aq më tepër që kësaj force ju bashkangjit edhe Vjosa Osmani. Por ceshtja shtrohet a do të jenë ata në gjendje që të fitojnë pak më shumë se gjysmën e elektoratit (vendeve në Parlament) dhe të formojnë qeveri pa shtesa e “paterica”? Kjo është pak e dyshimtë, por për një moment po e marrim si të mirqënë. Ky opsion mund të ndodh se elektorati mendon se VV-ja është e pakorruptuar, nuk është vënë në provë për një mandat të plotë dhe se asaj i është bërë një hile e madhe nga ndërkombëtarët dhe një pabesi nga LDK-ja ose më shkurt nga Isa Mustafa.
Ky opsion mund të funksionojë, por assesi për zgjedhjen e Presidentit që i është premtuar Vjosa Osmanit dhe që për këtë kërkohen 80 vota. Pra Vjosa Osmani nuk mund të zgjidhet Presidente nga VV-ja, madje ndoshta as edhe Kryetare e Parlamentit.
Në rastin kur VV-ja dhe Vjosa Osmani, do të siguronin më pak se gjysmën e votave të Parlamentit, atëherë do të kërkonin ndihmën e të tjerëve dhe situata do të ishte akoma më e komplikuar dhe më komplekse.
Në këtë rast, oferta më e afërt do të ishte AAK-ja, por kjo është e shoqëruar me kërkesën që Ramush Haradinaj do të ishte President. Pra del se Vjosa Osmani është e përjashtuar edhe si Presidente edhe si Kryeparlamentare.
Isa Mustafa në deklaratat e ditëve të fundit, nuk e ka përjashuar mundësinë e një bashkpunimi të ri me VV-në. Por Albin Kurti nga ana e tij, është plot mllef me LDK-në e vecanërisht më I.Mustafën për “tradhëtin” që ju bë në mandatin e shkuar. Kështu për Albin Kurtin bashkpunimi me LDK-në do të ishte opsioni më fundor. Në një bashkpunim të tillë Vjosa Osmani do të ishte tërësist e përjashtuar.
VV-ja në rastin kur nuk ka votat për të udhëhequr e vetme, (si forcë e majtë që është), mund të bënte një koalicion të qëndrueshëm me PDK-në. Këtë mund ta bënte se nuk është vetëm majtizmi që i bashkon, por edhe disa arsye të tjerë si: Hashim Thaci si “armiku më i egër i Albin Kurtit ” tashmë është prapa hekurave; Enver Hoxhaj është më i pranueshëm e më bashkpunues; PDK-ja ka pësuar si të thuash një “nokdaun” etj. Por kjo qasje do ti kushtonte VV-së postin e Presidentit dhe të Kryeparlamentarit. Pra edhe në këtë rast Vjosa Osmani do të ishte e “djegur”.
Mund të ndodh që VV-ja të jetë forcë e parë, por të mos arrijë të formojë qeverinë. Kurse LDK-ja dhe PDK-ja duke qenë forcë e dyte dhe e tretë të hyjnë në koalicion e të formojnë qeveri të përbashkët sic kanë bërë edhe herë të tjera . Në këtë rast “ e ftuar nderi” do të ishte AAK-ja dhe President Ramush Haradinaj, kurse Albin Kurti edhe Vjosa Osmani do të dilnin të humbur.
Si përfundim, në gjykimin tim, forcë e parë do të jetë VV-ja dhe Kryeninistër Albin Kurti dhe për të mos patur zgjedhje të tjera më afër postit të Presidentit është Ramush Hradinaj, kurse Vjosa Osmani pothuaj është e “djegura”.