Nga Shefqet Kërcelli/DIELLI
Në zbatim të programit të bashkëpunimit midis Forcës sonë Detare dhe Flotës së SHBA, miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, nga data 11 deri më 17 maj 2018, në Qëndrën e Zhytjeve Pashaliman u zhvillua trajnimi i personelit të kësaj qëndre për kërkimin dhe asgjesimin e municioneve në det, nga skuadra e trajnimeve nënujore, EOD, e Flotës së SHBA.
Në zbatim të këtij programi, fillimisht mbas rikonicionit të kryer nga specialistët amerikanë para 3 muajsh, nga Qëndra e Zhytjeve Pashaliman, u morrën të gjitha masat e nevojshme organizativo-teknike, që trajnimi të vijojë normalisht për të arritur objektivat e caktuara. Në trajnim morrën pjesë zhytësa të Qendrës sonë dhe zhytësa amerikanë, të Marinës së SHBA.
Për një javë rresht instruktorët amerikanë trajtuan teorikisht dhe praktikisht cështje të tilla si, mjekësia nënujore, mënyrat e kërkimit nënujor për municionet luftarake të paplasura, njohja me këto municione, njohja e minave detare e silurave, nxjerrja e tyre nga fundi i detit në sipërfaqe dhe afrimi në breg, vendet ku mund të ngrihen e transportohen dhe zbatimi i masave të sigurimit teknik në këto raste. Për këtë u provuan disa lloj lidhjesh, ngritjesh dhe tërheqjesh për në breg e mole të sigurta. Gjithashtu nga instruktorët amerikanë u zhvillua trajnimi për përdorimin e dhomës hiperbarike nga personeli ynë zhytës sipas standarteve përkatëse.
Gjatë këtyre ditëve midis zhytësave shqiptarë dhe amerikanë u zhvilluan aktivitete sportive, si ndeshje futbolli, ndërkohë që personeli amerikan u njoh me resurset turistike e traditat historiko-kulturore të zonës së Vlorës.
Në përfundim të këtij trajnimi, më datën 17 maj u zhvillua ceremonia e certifikimit të zhytësave shqiptare për operacionet nënujore EOD, ku u theksua rëndësia e këtij trajnimi dhe bashkëpunimi në të ardhmen.
Theksojmë se që nga viti 1995, ka pasur një bashkëpunim të rregullt midis zhytësave tanë dhe atyre amerikanë, ku vec trajnimeve dhe zhytjeve në thellësitë joniano-adriatike, pala amerikane ka afruar ndihma e pajisje për zhytësat tanë.