NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Zonja Ambasadore,/
Keni pothuaj katër muaj në Shqipëri dhe besoj se ndiheni tashmë si në shtëpinë tuaj, sepse për shqiptarët Miku është i shenjtë, aq më tepër kur vjen nga SHBA, aleati jetik i shqiptarëve.
Gjatë këtyre ditëve ju jeni fokusuar tek reforma zgjedhore dhe në drejtësi, që janë të interesit ekzistencial për demokracinë e një vendi si Shqipëria që tashmë është futur në grushtin e një njeriu të vetëm, të mbrapshtë, një Kim Jong-un për vendin e tij, i cili përfiton nga një situatë aspak interesante që ka ngërthyer vetë Perëndimin, plus gjendja lockdown nga pandemia.
Ndërsa i ka detyruar gjithë shqiptarët të izolohen në kuarantinë, në natën kur gdhihej 17 Maji, Edi Rama urdhëroi një laké të tij, me emrin Erion Veliaj të shembi Teatrin Kombëtar.
Kjo ndërtesë që përfaqëson identitetin kulturor të shqiptarëve kishte 27 muaj që vigjëlohej nga aktorët dhe shoqëria civile dhe mbrojtja e Teatrit ishte kthyer në kauzë lirie, si mbrojte e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Teatri Kombëtar është pronë kombëtare. I takon popullit shqiptar. E theksoj këtë fakt nisur nga një prononcim i juaj me gazetaren Inva Tare tek Euronews Albania ku nënvizoni se “pavarësisht qeverive të zgjedhura, marrëdhënia jonë është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend, jo me ndonjë parti në veçanti”.
Kjo është thelbësore. Në fund të fundit partitë dhe qeveritë prodhohen nga vota e popullit,
por në rastin e Shqipërisë mjerisht vota është vjedhur dhe keqpërdorur, për faj të një sistemi zgjedhor të kalbur dhe shteti të kapur.
Por po kthehem tek Teatri Kombëtar.
Teatri Kombëtar është pronë e shqiptarëve, ndërsa diktatori Edi Rama përdori policinë e shtetit për ta rrafshuar një Monument Kulture që kishte 81 vjet histori.
Diktatori shqiptar e shembi për disa orë! Makabre! Sikur grupi terrorist ISIS shpërtheu Tempullin antik të Palmirës, duke indinjuar mbarë njerëzimin.
Shembja e Teatrit Kombëtar ishte provokimi më flagrant që i bën një sharllatan kryeministër popullit të vuajtur. Indinjata dhe rebelimi është reaksioni më legjitim.
Unë rebelohen, prandaj ekzistoj, do të thoshte Albert Camus, një nga shkrimtarët më simbol që ka luftuar kundër llojeve të totalitarizmit.
Nëse shqiptarët nuk do të indinjoheshin dhe revoltoheshin do të ishin skllevër të Edi Ramës, të një diktatori të çmendur!
Por shqiptarët janë qytetarë të një vendi aleat të NATO-s!
SHBA i ndihmuan shqiptarët t’i bashkangjiteshin aleancës që mbron vlerat e Perëndimit.
Ndërsa një kryeministër që shkallmon Monumentet e Kulturës dhe dërgon policinë të shtypë artistët dhe civilët nuk meriton të jetë kryeministër i një vendi anëtar të Aleancës Verio-Atlantike.
Indinjata është legjitime. Shembja e Teatrit Kombëtar shkaktoi indinjatë kombëtare.
Gjatë këtyre ditëve kam kërkuar të gjej një prononcimin tuaj për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nuk kam gjetur.
Kam kërkuar në Facebook, Twitter, Instagram.
Teatri Kombëtar u mbrojt për 27 muaj ditën dhe natën jo nga partitë politike por nga shqiptarët.
Edi Rama Ai me papërgjegjshmërinë dhe lehtësinë vandale që karakterizon diktatorët, shembi jo vetëm Teatrin Kombëtar,
por edhe principet dhe parimet e demokracisë me të cilat identifikohen SHBA dhe Perëndimi.
Nga rrjetet sociale më erdhi thashethemnaja se ju jeni takuar me Edi Ramën më 16 maj 2020.
Janë njerëzit e Edi Ramës që përhapin këto fakenews për të manipuluar opinionin se gjoja për shembjen e Teatrit Kombëtar ka dhënë vizën Ambasadorja e SHBA!
Qëndrimet tuaja janë të hapura dhe transperente: ju jeni e fokusuar tek reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.
Por shqiptarët prisnin që ju të fokusoheshit edhe tek shembja e Teatrit si akt makabër kundër kulturës shqiptare.
Sepse shembja e Teatrit Kombëtar ka si qëllim të vetëm vonesën e reformave, ku SHBA dhe BE janë të fokusuar.
Ambasadori i Gjermanisë më 17 maj do të deklaronte se: “Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje.”
Deklarata e Ambasadorit Gjerman ka dy anë të monedhës. Njëra anë është konfrontimi me të vërtetën se ai e ka vështirë ta kuptojë një akt të tillë. Ndërsa ftesa për dialog, ana tjetër e monedhës, është diplomatike dhe konformiste.
Sepse logjikisht një kryeministër i cili shemb një Monument Kulture që mbrohet ditë e natë nga qytetarët ka shembur çdo mundësi për dialog me ata.
Diktatori Edi Rama iu ka shpallur luftë edhe shqiptarëve edhe Perëndimit, edhe dialogut, edhe reformave.
Reformat në drejtësi dhe sistemin zgjedhor janë emergjencë kombëtare, por emergjencë e emergjencave është të ndalet dora kriminale e diktatorit të gatshëm për monstruozitete që nuk i kap mendja njerëzore.
Nëse Edi Rama do të mbështeste qëndrimin tuaj, zonja Ambasadore, pra nëse ai do të ishte pro reformave, do të përpiqej të mos provokonte ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, pra do ta linte të qetë Teatrin Kombëtar dhe nuk do të çonte fadromat si i dërgonte dikur diktatura komuniste në mes të natës makinat për të deportuar në internim familjet e armiqve të partisë.
Edi Rama e rrafshoi Teatrin Kombëtar me qëllimin djallëzor për të varrosur çdo lloj reforme që lidhet me sistemin demokratik!
Sistem demokratik etimologjikisht do të thotë qeveri e popullit, që garanton jetë me dinjitet të qytetarëve çka është në antitezë të plotë me diktaturën që ka instaluar në Shqipëri Edi Rama.
Shqipëria sot më tepër se kurrë ka nevojë për shtet të së drejtës, por sot më tepër se kurrë shqiptarët dhe aleatët Perëndimorë nuk kanë kanë nevojë për kryeministër stalinisto-mafioz, që e përdor parlamentin kukull, policinë dhe shtetin kundër popullit shqiptar.
Ju e thoni shprehimisht se “marrëdhënia e SHBA është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend”.
Prej kësaj del se duhet të jeni me shqiptarët dhe me Teatrin Kombëtar të shqiptarëve!