NGA IDRIZ LAMAJ/
Në fund të shtatorit ndrroi jetë në Long Island të New Yorkut, zonja Rose Peshkëpia – Karagjozi. Ajo lindi në mars të vitit 1940-të, në fshatin Visoka, rrethi i Fierit. Lindi në kohën e pushtimit të Shqipërisë; në kohën kur shumë patriotë të shquar intelektualë, si Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Nexhat Peshkëpia, Abas Ermenji, etj. po organizonin në Shqipërinë e Jugut një levizje të armatosur nacionaliste kundër pushtuesit të atdheut. Babai i Rose-t, Eqrem Peshkëpia ishte atdhetar i njohur dhe një prej themeluesëve të “Ballit Kombëtar”. Eqremi ishte komandant i forcave të “Ballit” në Fier dhe në Mallakastër. Jeta dhe veprimtaria e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në atdhe dhe në mërgim është një histori e gjatë vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh që lidhen ngushtë me zhvillimet historike të kohës. Nga fundi i vitit 1944, Eqremi me familje i la lamtumirën atdheut – largohet nga Shqipëria në një anije me Mitat Frashërin dhe shumë atdhetarë të tjerë të njohur të nacionalizmit shqiptar. Emigrojnë në Itali dhe vendosën në kampet e refugjatëve.
Pas afër pes vjet vuajtjesh nëpër kampet e refugjatëve në Itali, Eqrem Peshkëpia bashkë me familje emigroi më 1949 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Babain dhe nënën e Rose-it, Nekije-n i njoha për herë të parë me 1969, kur shkova në shtëpinë e tyre në Detroit së bashkut me Prof. Nexhat Peshkëpinë. Në atë kohë Prof. Peshkëpia nuk ndihej mirë nga shendeti dhe ishte në fazen e fundit të jetës së tij. Si person kam qenë njeri me fat; jamë njoftë me Prof. Nexhat Peshkëpinë ditët e para të ardhjes time në New York. Me të më ka lidhur një miqësi e ngushtë. Në kohën e rënies së tij shendetësore kam dhënë ndihmesën time në përgaditjen dhe botimin e gazetës, “Shqiptari i Lirë”, të cilën ai e drejtoi për afër një çerek shekulli, 1956-1970-të. Për jetën dhe veprimtarinë e Prof. Peshkëpisë kanë shkruar miqët dhe kolegët e tij të njohur, Rexhep Krasniqi, Hasan Dosti, Vasil Gërmeni, e të tjerë.
Nëna e e zonjës Rose – Nekije ( Koprenska ) Peshkëpia ishte një zonjë fisnike shqiptare e papërulur nga vështirësitë e jetës. Kujtesa ime për zonjën Nekije mbetet e pashlyer gjatë ditëve të përcjelljes për në banesën e fundit të Prof. Nexhat Peshkëpisë; Eqremi dhe Nekija ishin pranë tij kur ai i mbylli sytë përgjithmonë.
Pas vdekjes së Nexhatit dhe angazhimit tim të plotë në përgatitjen e gazetës “Shqiptari i Lirë”, me Eqremin dhe Nekijen mbajta kontakte të shpeshta – letër kembime dhe telefonata. Në bibliotekën time ruej një shkrim të Eqremit afër 30-të faqesh lidhur me organizimin dhe drejtimin e forcave luftarake të “Ballit Kombëtar” në Shqipëri.Në paragrafin e fundit të atij shkrimi i cili ende nuk e ka pa dritën e botimit, Eqrem Peshkëpia iu drejtohet lexuesëve:
“…Lexonjësve u lutem me shpirt të besojnë se përshkrimi im nuk duhet n’asnjë mënyrë të merret e të gjykohet në lidhje me ndonjë person ose parti politike të mërgimit. Që në muajin Nëntor 1954, vullnetarisht unë me gjithë familjen u bëmë nënështetas amerikanë, dhe që atëherë jemi bërë pjesë të VATRËS dhe të asnjë tjetër organizate. N’emrin edhe të shoqes së jetës, Nekijesë, u bëjë të ditur gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, se shtëpia t’onë mbetet e hapët, ashtu sikurse ka qenë e hapët në Shqipëri dhe në kampet e refugjatëve të Italisë…”.
Rose Peshkëpia Karagjozi, u rritë dhe edukue në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo lidhi fatin e jetës me Agim Karagjozin, u martua në vitin 1959. Gjithë jetën mbeti e brumosur me idealet e larta të prindëve të saj. Në bisedime me të, shpesh ankohej dhe e thonte troç: – Agimi nuk po i kushton kohë familjes. Por, menjëherë e kthente biseden rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Aty-përaty, na kritikonte të gjithëve: “Ju nuk po bëni përpjekje të duhura kundër komunizmit në Shqipëri; nuk po i delni zot sa duhet çështjes së Kosovës”.
Kur i dëgjoje me vemendje kritkaët e saj, shihje se Rose kishte njohuri të thella rreth zhvillimeve të kohës. Ajo lexonte shkrimet më serioze lidhur me atdheun e saj etnik.
Nderin, karakterin e hekurt, besën, mikëpritjen dhe përpjekjet për të ndihmuar në çdo rast veprimtarinë kombëtare në mërgim, Rose iu la trashegim tre fëmijëve të saj – Zuhdiut, Shpetimit dhe Angel-s
Shokëve të mij të ngushtë dhe fëmijëve të Rose-it iu kam thënë herë pas here:
– Agim Kragjozi i kushtoi tërë jetën çështjes kombëtare dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në saje të mbështetjes, shtytjes dhe angazhimit të bashkëshortes së tij, Rose-it. Ajo mbajti mbi shpatullat e veta familjen, rriti dhe edukoi fëmijtë, dhe inkurajoi e mbështeti Agimin në secilin sherbim të tij kombëtar. Ajo e adhuroi “Vatrën” dhe e shoqëroi Agimin në veprimtaritë më të dukshme të “Vatrës”. Ajo ishte shtyllë e hekurtë e Agim Karagjozit në veprimtaritë e tij kombëtare.
Rose (Peshkëpia) Karagjozi qe një zonjë mërgimtare e motit, e dashur, mikpritëse, serioze, e buzëqeshur, dhe plotë kujtime të rrjedhëshme e të qarta të jetës të cilat nuk kthehen më. Kur Rose hynte atyre tregimeve, sidoemos për ata që i kishte njohur dhe ato që kishte përjetuar e dëgjuar, të dukej se ishte këthye në kohën e fëminisë, rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë, në jetën e mërgimit të pafund. Me ikjen e Rose Karagjozit zhduket një thesar kujtimesh të jetuara, të cilat nuk janë mbledhur, si nuk janë mbledhur kujtimet e shumë e shumë të tjerëvet, për dëm të madh të njohurive të vërteta mbi jetën dhe veprimtarinë e shumë atdhetarëve tonë në mërgim, të cilët moren me vete një pjesë të historisë tonë kombëtare.