Ne Foto:Qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës 1912/ Shkruan:Eugen SHEHU/
Në vitet 70-të të shekullit të njëzetë,dukej se panorama ballkanike do të ndryshonte fytyrën e vet. Dëshirat e kahmotshme të popujve të ballkanit për të flakur më tutje sundimin osman,sikundër ndizeshin prej zhvillimeve,politike dhe ushtarake ruso-turke e për më tej,kish nisur të sendërtohej ndërgjegja nacionale e këtyre popujve në jugun e Evropës.Ndonëse disi më vonë,edhe shqiptarët,duke parandjerë rrjedhën e furishme të ngjarjeve,nisën të bashkohen nën peshën e rëndë të komplekseve.Kësaj periudhe,dhe pikërisht në vititn 1870,lindi në qytetin e vogël piktoresk të Shqipërisë natyrore,në Ohër,Zyhdiu.Prej familjes së vet ai trashëgoi jo vetëm një pasuri të madhe në tokë,por sidomos një dashuri të pakufijshme për vatanin i cili vuante nën regjimin ushtarak të Portës së Lartë.Shkollën fillore në gjuhën turqishte,Zyhdiu i vogël e mbaroi në qytetin e lindjes për të marrë më pas udhët e Stambollit.Këtu,ai do të mbaronte disa klasë të shkollës qytetëse duke treguar vëmendje të madhe ndaj diturisë,për t’iu drejtuar më pas Robert Kolexhit,shkollë e cila kishte program amerikan dhe ndiqej sigurisht nga fëmijët e elitës së Stambollit.Ata që e patën njohur Zyhdiun në Robert Kolexh (1882-1887),kanë treguar se biri i Ohrit kurdoherë do të fliste me dashuri për administrator dhe pas mbarimit të tij me rezulltate të shkëlqyera kërkon të punojë në administratën osmane,vetëm nëse do të shërbente në vilajetet shqiptare.
Ndërkaq,ngjarjet në vilajetet shqiptare patën rrjedhur me shpejtësi maramendëse.Fuqitë e Mëdha dhe sidomos Rusia, e patën detyruar Portën e Lartë të ndërrmerte hapa konkrete në rrafsh të coptimit të trojeve që i pat nën zgjedhë ç’prej 5 shekujsh.Më 22 prill 1896,Porta e Lartë miratoi dekretin mbi „Reformat mbi Vilajetin e Rumelisë“ me ç’rast u prit me shqetsim prej patriotëve shqiptarë.Pakënaqësia ndaj këtyre reformave u shfaq hapur sidomos në Kosovë e troje shqiptare që emërtoheshin Maqedoni.Për më tej,kjo pakënaqësi provokoi disa kuvende shqiptarësh të cilët,ndonëse nuk mundën të shkëndijonin revoltat masive,gjithsesi po manifestonin hapur,urrejtjen ndaj politikave servile të Stambollit.Nuk mund të jetë asesi e rastit që në janar të vitit 1897,konsulli austriak në Shkup i shkruante Vienës se : „Çështja e Reformave ka dështuar plotësisht.Në këto vise më duket i pamundur qoftë edhe zbatimi i pjesshëm i tyre“.( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Dokumentat e Vjenës. Kutia 4-105).
Mbase nuk duhet të harrojmë se në shkurtin e vitit 1897,mbreti i Serbisë A.Obrenoviq dhe ai i Malit të Zi,Nikolla,bënë plane të hapura për coptimin e trojeve shqiptare,duke zhvendosur disi konfliktet e shqiptarëve me Portën e Lartë.Pikërisht në verën e vitit 1897,Zuhdi Ohri shkon në vendlindje dhe ndonëse pat marrë detyrë të punonte në admnistratën e lartë osmane,ai vrapoi drejt Ohrit pa përfillur ofiqet dhe çifligjet e premtuar.Prindërit,vllezërit dhe krejt farefisi e pritën me dashuri birin e tyre,ngase dinin se në gjakun e tij,klithte pëllumbi i shenjtë i lirisë.Që në javët e para të qëndrimit në Ohër,Zyhdiu duke parandjerë rreziqet që i vinin Shqipërisë,u përpoq të mbledhte rreth vetes dhjetra bashkëmoshatarë,natyrisht pinjollët e dyerve të mëdha të Ohrit,Veleshtës dhe Strugës,të cilët do të mund të ndikonin në zgjimin e shpejtë të vetëdijes kombëtare shqiptare.Me të mësuar se populli i Pejës dhe Gjakovës pat vendosur të mos dërgonte më ushtarë rezervistë të luftonin në ushtrinë e osmane,Zyhdiu ish i pari që organizoi disa takime të fshehta në shtëpinë e tij,duke kërkuar të lidhej besa që edhe prej Ohri e rrethina,asnjë ushtar rezervist të mos mobilizohej,ngase shqiptarët së pari duhej të ishin ushtarë të trojeve të tyre.Kështu që së bashku me Hamdi Ohrin dhe Murat Sojlliun,në vitin 1898 dhe 1899,Zyhdi Ohri,punon për ngritjen e komiteteve të fshehta të cilët patën si detyrë t’u kundërvihen urdhërave të Portës së Lartë por edhe të nxisnin tek shqiptarët,ndjenjën e bashkimit,ngase hakmarrja e gjakmarrja ishin ulur këmbëkryq në krejt vilajetet shqiptare.Falë një gjykimi të thellë dhe oratorisë,Zyhdi Bej Ohri,mundi të bashkojë mjaft familje në qytet e rrethina,duke shmangur përgjithmonë mosmarrveshjet.Në shtëpinë e madhe të tij në Ohër,këto takime,midis dy familjeve që kishin gjak për të marrë shëndroheshin shpesh në festa të vërteta popullore.Krijimi i Komiteteve të Fshehta,i paraprin idesë edhe për tubime të shumta
ku zgjidheshin aty në shesh të burrave,njerëzit që do të mund të udhëhiqnin popullin të nesërmen.
Pjesmarës në Kuvendin „Besa – Besë të Pejës
Zyhdi Ohri,megjithëse ka marrë pjesë në shumë prej këtyre tubimeve,askurrë nuk ka vënë veton e tij në zgjedhjen apo përcaktimin e udhëheqësve.Ai i përmbahej kurdoherë parimit se çdo fis çdo lagje apo fshat, e di vetë se pas kujt duhej të ecë.Në dhjetorin e vitit 1898,shqiptarët kundërshtuan vendimin e Portës së Lartë për dorëzimin e armëve duke siguruar ate,se këto armë do të përdoren vetëm për të ruajtur tokat dhe nderin shqiptar.Në protestën e Ohrit,nënshkrimi i parë me këtë rast,ishte ai i Zyhdi Beut.Lëvizja Kombëtare Shqiptare,tani sa vinte e shtrihej në të gjitha vilajetet.Gazetat e pakta në gjuhën shqipe,bënin thirrje për bashkim ; „O burra të përpiqemi për të mbledhur fuqitë në një vend,për të pushtuar një program të gjith dhe sa ma shpejt,nga komitetet shqiptare të zgjidhet nji delegacion për të marrë një udhë.Të ngihemi për të shkundur vetë zgjedhen e tiranit“.( Gazeta „ Shqiptari „ – Bukuresht më 31 dhjetor 1898 ).
Këtu duhet të theksoj se,në nëntorin e vitit 1897,Haxhi Zeka nga Peja dhe Riza Bej Kryeziu nga Gjakova,në marrëveshje me Sami Frashërin,patën,organizuar një lidhje e cila nuk mundi dot të kishte jetën e gjatë ngase u sulmua prej turqve dhe elementëve të tjera serbofile apo bullgarofile.Tashmë në vigjilje të vitit 1898,Porta e Lartë,me anë të emisarëve të lartë të saj në Shkup,duke kuptuar se po krijohej një tjetër Lidhje Shqiptare,edhe më e fuqishme se e para,thërriste patriotët shqiptarë duke i kërcënuar deri në arrestime e burgime.Zyhdi Bej Ohri, falë oratorisë trimërore të tij,u kumtoi emisarëve otomanë në Shkup se çfardo masash të mireshin,nuk do të mund të ndalonin popullin e Ohrit,Strugës ,Manastirit dhe krejt vilajeteve shqiptare,për të kërkuar realizimin e aspiratave të tyre.Për më tej,me anë të disa miqve të vet,ai siguroi edhe atdhetarin e madh Haxhi Zeka se populli i Ohrit do të ishte në krye të ideve dhe veprimeve autonomiste shqiptare.Ai vihet në krye të patriotëve shqiptarë të këtyre trevave dhe së bashku me Hamdi Ohrin dhe Murat Sojlliun ngrenë çetat e para për të mbrojtur dhe vënë në jetë idetë e kuvendit të Pejës (23-29 janar 1899) i cili u mbajt në Hamam Xhami të Pejës.Diku tjetër,unë jam ndalur hollësisht në mbarëvajtjen dhe idetë e këtij kuvendi historik,në të cilin muarën pjesë rreth 500 burra sidomos prej vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit.Në ate kuvend madhorë,buçitit edhe zëri i Zyhdi Ohrit i cili ndonëse 29 vjeçar,fitoi admirimin e trimave dhe besimin e madh në krejt bashkëkombasit e vet.Për më tej,Zyhdi Ohri,në ditët e Kuvendit të Pejës,u bëri thirrje miqve e bashkëluftëtarëve të vet të mos binin në ujëra të turbullta,duke thënë se kuvendi ka pikëpamje fetare dhe se ai drejtohej kundër serbëve dhe austriakëve,përkundrazi,ai pat kumtuar se ky ishte kuvendi burrash për fatet e atdheut tonë.Në kuptimet eveta lidhur me këtë,ngjarje,disa vite më vonë,Zyhdi Bej Ohri do të shkruante ; „Kur shkuam më pas në Dibër,u poqëm me Haxhi Zekën dhe me udhëheqës të tjerë të Lidhjes „Besa-Besë“.Thojshin se Lidhja e pejës kishte qenë kuvend fetar,mysliman.Kjo s’ishte e vërtetë pse kjo lëvizje kombëtare luftonte për forcimin e idesë kombëtare.Neve u bëmë antarë të „Besa-Besës“ pse shiqonim rrezikun e coptimit të trojeve shqiptare“. ( „Ata që shpallën pavarsinë kombëtare“ – Tiranë 1997 , faqe 122 ).
Në Dibër,Zyhdi Bej Ohrin e shohim në vitin 1899,kurdoherë,në krah të patriotit tjetër Dibran Nurçe Pustina.Ngase shumë atdhetarë dibranë nuk mundën të shkonin në Pejë,Zyhdi Ohri bëhet aty,promotor i zhvillimit të ideve dhe vendimeve të Lidhjes „Besa – Besë“.Brenda pak muajve nga mbajtja e kuvendit të Pejës,në pothuaj krejt Dibrën,u organizuan takime të fshehta për nxjerrjen e përfaqsuesve,që denjësisht do të merrnin pjesë në kuvendin e Dibrës.Për mbajtjen e këtij kuvendi,roli dhe pesha e Zyhdi Ohrit dhe Hamdi Ohrid,do të ishin të patjetër sueshëm.Ata dijtën t’u qëndrojnë besnik parimeve të Lidhjes së Pejës dhe për më tej me influencën e tyre bënë që vendimet e marra në Dibër t’u paraprinin realisht ngjarjeve.Ndofta është me vend të përmendim në këtë shkrim vetëm 5 vendimet e para të kuvendit të Dibrës,për të menduar saktësisht për vlerat e këtij tubimi.Duke dashur të hedhim piketat e para nga mund të niste rruga e shtetit të parë shqiptar, atdhetarët dibran,pos të tjerave vendosën që ;
„1- çfardo urrejtje dhe armiqësie që egziston midis nesh,çfardo karakteri qofshin ato,duhet të ndërprehen krejtësisht gjatë kësaj kohe,kështu që çdokush mund të qarkullojë lirisht.
Nëqoftë se ndokush- mos i dhashtë zoti – me qëllim të hakmarrjes,sulmon ose vret ndoken,sakaq do t’i dorëzohet pushtetit,Nëqoftëse ikën,shtëpia e tij do të digjet pavarsisht nga trashëgimtarët ose numëri i antarëve të familjes.Deri sa zgjat kjo besëlidhje,nuk guxon kurrkush të ndërtojë asgjë në vendin e djegjes.
2- Në qoftëse bën vrasje ose plagosje ndonjë nga cubat ose jatakët e tyre,ndaj tyre do të zbatohen masat e dispozitave nga neni 1.
3- Në qoftëse ndokush i shtyrë nga menia apo armiqësia sulmon dikend,tjetër me armë dhe nuk qëllon cakun,mirëpo,ai vetplagoset ose vritet me këtë rast nga i sulmuari,kjo do të konsiderohet si vetmbrojtje dhe dorasi,në rast të këtillë,nuk do të ndëshkohet në asnjë mënyrë.
4- Personi që do të vrasë ose plagose dikend në momentin e ndonjë ngrindjeje të rastit,si edhe jataku i tij,do të ndëshkohen sipas dispozitave të nenit 1.
5- Personi,i cili i përdor armët në momentin e grindjes ose me qëllim të hakmarrjes,e me këtë rast nuk shkakton vrasje apo plagosje,do të dënohet me 3 muaj burg,duke llogaritur këtë burgim që nga dita e hakmarrjes.Në rast se dorasi ikën do t’i digjet shtëpia“.
( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë , Dokumenti Nr. 28 ).
Siç shihet edhe nga këto vendime,trojet shqiptare të atyre viteve,ishin të mbushura plot me hakmarrje.Politika pesë shekullore e Portës së Lartë për të sunduar vilajetet shqiptare duke i përçarë vetë shqiptarët,kishte bërë të veten.Pos varfërisë e padijes,në trojet shqiptare pat pllakosur gjakmarrja.Zyhdi Bej Ohri,menjëherë pas kontributit që dha në Dibër,u kthye në Ohër,Strugë e Manastir duke u përpjekur të bashkojë sa më shumë banorët e këtyre viseve,drejt një qëllimi madhorë,drejt autonomisë shqiptare.Në personalitetin e birit të Ohrit,shqiptarët e këtyre viseve,shihnin jo vetëm burrin e urtë të kuvendit,por edhe trimin që çan i pari nëpër stuhitë e kohërave.Në fund të vitit 1899,kur disa nënpunës osman në Manastir,donin të ushtronin ende funksionet e tyre shtetërore,ishte pikërisht Zyhdi Bej Ohri i cili i ndaloi plotësisht.Ai kërkoi takim me komandantin e lartë ushtarak të Manstirit dhe në mënyrë të prerë i kërkoj atij të dëbonte nënpunësit turq të gjykatës,si pas vendimit të marrë në Pejë.Në të kundërtën i tha këtij ushtaraku turk se populli i Manastirit,Strugës e Ohrit do të sulmonte gjykatën.Përballë këtij zemërimi të Zyhdi Bej Ohrit ,komandanti turk i garnizonit të Mnastirit detyroi nënpunësit e gjykatës të largoheshin, duke iu shmangur konflikteve ushtarake me popullsinë e këtyre trevave shqiptare.
Veprimtaria atdhetare e Zyhdi Bej Ohrit,do të njihte shkallë të tjera ngjitjeje,në vitet 1900-1907.Tashmë kjo veprimtari,do të jetë tejet e dukshme në organizimin e komiteteve të fshehta të shqiptarëve të cilët ishin të parët zjarre që ndizeshin në vargmalet e lirisë shqiptare.Prirjet autonomiste po zinin vend kurdoherë e më shumë në zemrat e shqiptarëve dhe taman për këtë vlerat e nacionalistëve të trevave shqiptare në Ohër,Manastir e Strugë,fitojnë dimensione të mëdha.Është krejt me vend të citojmë një letër që Ibrahim Temo,i dërgon në vitin 1905,Zxhdi Bej Ohrit,ku pos të tjerave ai kumton ; „I ndershmi Zyhdi ! Jam njoftuar për aq punë të mëdha që ju po kryeni për vatanin tonë.Megjithse ndodheni në rrezik të vazhdueshëm,askurrë nuk është dëgjuar ndonjë fjalë ankimi nga goja juaj.Vegjëlia e Ohrit ka mundur një ditë me ia shperblyer krejt mundin.Dhe jo vetëm vegjeli e Ohrisë por e tërë vilajeteve shqiptare“(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi Shoqëritë dhe klubet patriotike,Dosja 14 , fleta 3 ).
Një vlerë e spikatur e Zyhdi Bej Ohrit,është padyshim edhe ndihmesa e çmuar e tij në mbarëvajtjen e Kongresit të Mnastirit.Për nga vetë rëndësia e madhe që kish,ky kongres,u ideua dhe drejtua nga atdhetarët më të shquar shqiptarë,ata që parashihnin se liria e atdheut të tyre do të fitohej me pushkë dhe pendë.Edhe këtë rast,shtëpia e Zyhdi Bej Ohrit,kthehet si kurdoherë në çerdhe të patriotizmit.Aty bujtën dy trimat e shtetit amë,delegatët nga Gjirokastra në këtë Kongres,Neim Bej Gjirokastra dhe Cerçiz Topulli.Veçanërisht me Cerçiz Topullin,Zyhdi Bej Ohrin e lidhte miqësia e farkëtuar në sa e sa rreziqe,atëherë kur çetat e komitëve të Ohrit e Strugës,ndërrmernin veprime të përbashkëta me çetat e Kolonjës e Gjirokastrës,kundër Portës së Lartë.Gjatë gjithë ditëve që zhvillohej Kongresi i Manastirit,tëherë kur shqiptarët vendosnin përfundimisht që fati i tyre të bashkohej me fatin e Evropës,shtëpia e madhe e Zyhdi Bej Ohrit gjëmonte nga zërat e trimave.Dihet tanimë se ndërsa në Kongres të Manstirit,zhvilloheshin debatet për alfabetet nga duhej të ecte gjuha shqipe,në shtëpinë e Zyhdi Bej Ohrit,Murat Sojliut,Mihail Gramenos e tj,thurreshin planet për fillimet e kryengritjes shqiptare të armatosur.Zyhdi Bej Ohri,ka qenë prej atyre atdhetarëve të cilët kanë menduar kurdoherë se fjala e burrit shkon larg kur ate e mbron pushka,çeta e bashkëluftëtarëve të vet,u vu për një javë rresht,në mbrojtje të shtëpisë së tij në Ohër,si edhe në Manastir.Më pas në vitet 1908-1910,Zyhdi bej Ohrin,do ta shohim në shoqërinë e Sali Gjukës dhe Fehim Zavallanit.Tashmë ata do të shtypin të parat abetare me alfabetin latin dhe germat e bukura të shqipes do të ndiznin shpresat e mëdha të shqiptarëve.Ngase zotëronte një pasuri të bollshme,Zyhdi Bej Ohri,nuk do të kursente të paguante hartuesit dhe shpërndarësit e këtyre abetareve në gjuhën shqipe,me ç’rast do të fitonte akoma më shumë simpatinë dhe dahsurinë e bashkëkombasve të vet.Për më tej,Zyhdi Bej Ohri do të bashkëpunonte edhe me Gjergj Qiriazin dhe Parashqevi Qiriazin duke intensifikuar përpjekjet për çeljen e shkollave shqipe në Ohër,Strugë, Manastir dhe Korçë.Sipas një raporti që konsulli austriak në Manastir i dërgonte Vjenës në vitin 1909,del se „Gjuka,Zavalani,Ohri dhe Kolonja,kërkojnë çeljen e shkollave shqipe aty,për mbroth¨sinë e kombit të tyre“ ( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë, sipas dokumentave të Vjenës. Dokumenti 70 , dt. 4-II- 1909 ).
Në vitin 1910,Zyhdi Bej Ohri ndërmerr një udhëtim për në Sofje.Dihet tanimë se Sofja ishte kthyer në një çerdhe e atdhetarëve shqiptarë ku veprimet për autonominë e Shqipërisë sa vinin e zgjeroheshin duke përfshirë edhe komunitete të tjerë shqiptarësh që ndodheshin në Bullgari. Shtypshkronja „Luarasi“ e cila pat nxjerrë në dritë dhjetra botime me vlerë të rilindasve tanë, ndërkaq pat përgaditur edhe qindra abetare në gjuhën shqipe me alfabetin latin,Zyhdi Bej Ohri do të ishte mik i ngushtë,ndërkaq edhe me Josif Bagerin,jeta e të cilëve ishte vënë e tëra në shërbim të idealeve kombëtare.Mbase duhet të mos harrojmë faktin se në Sofje,atdhetarin e shquar Josif Bagerin e kish mbërthyer varfëria.Herë me bukë e herë pa te,herë me punë e herë pa punë,ky atdhetar endej gjithsesi midis dëshirave për t’i shërbyer me çdo mjet atdheut të vet.Zyhdi Bej Ohri,duke parë entuziazmin dhe guximin me të cilin bashkëatdhetari i vet i varfër u virej punëve,merr përsipër dhe financon disa numëra të gazetës „Shqypja e Shqypnies“. Historiografia shqiptare me kohë ka pranuar se idetë që gjallonin në këtë gazetë ishin plotësisht atdhetare.Ato die ngarendnin drejt autonomisë dhe pavarsisë shqiptare,bënin thirrje për zgjim e bashkim,duke lënë menjanë meritë shekullore midis shqiptarëve.Zyhdi Bej Ohri,përpos finacimit të gazetës „Shqypja e Shqypnies“ mori përsipër edhe shpërndarjen e saj në Ohër,Strugë,Manastir,Kranjë,Starovë e Korçë duke kërkuar që ajo të lexohej dhe shpërndahej për të çelur sytë e bashkëkombasve të vet.Në një prej letrave që i shkruan Josif Bagerit,pasi pat marrë në duar disa numra të gazetës në fjalë,ai i drejtohet bashkëpatriotit të vet : „I dashuri vëlla ! I mora fletoret që më dërgove dhe i përndava nder miq e shokë.Të hollat po t’i dërgoj me të shpejt.Po ju them,se kjo fletore ka bamun pershtypje të fortë në vllazninë tonë“. ( „Ata që shpallën pavarsinë kombëtare „- Tiranë 1997, faqe 123 ).
Nenshkrues i aktit te pavarsisë dhe antar i kabinetit qeveritar të Ismail Qemal bej Vlorës
Në fillim të vitit 1912,ngjarjet në Ballkan po trazoheshin me një furi marramendëse.U duk në fillim se popujt e shtypur të Ballkanit do t’i zgjatnin dorën njëri – tjetrit,për t’u përballuar me ushtritë e mëdha të Portës së Lartë.Por ndërsa komitetet e fshehta shqiptare,bullgare maqedonase e tj,patën nisur bisedimet,të tjera plane thurreshin në Beograd,Mal të Zi apo Sofje.Aleanca Ballkanike e Krishtere e krijuar linte përshtypjen se planet e monarkive ballkanike drejtoheshin tashmë,sa kundër fuqive ushtarake të Portës së Lartë,aq edhe më tepër ndaj trojeve shqiptare.Kryengritjet shqiptare të armatosura,ato beteja qindra e mijëra ushtarë turq të rënë në këto beteja,u harruan nga fqinjët sllavoortodoks të ballkanit.Në këto momente,përpara atdhetarëve shqiptarë,u shpall vendimtare,thirrja e një kuvendi madhor i cili do të legjitimonte pavarsinë e trojeve shqiptare.Ata burra të mençur e trima, e patën kuptuar se duke udhëtuar drejt Vlorës,udhëtonin drejt shpresës shekullore të shqiptarëve,për të valvitur në trojet e tyre,falmurin e Skenderbeut.Zyhdi Bej Ohri,në verën dhe vjeshtën e vitit 1912,në bashkëpunim edhe me Hamdi Ohrin,Nuri Sojliun,Sali Gjukën etj,u përpoq të organizojë çetat e trimave në Ohër ,Strugë,Manastir e deri në Kërçovë,Gostivar e Tetovë,të gatshme për t’u përballuar me reaksionin serbo-bullgaro-maqedon.Për hir të së vërtetës duhet thënë se,ai bëri një punë e luftë të madhe,për të bindur bashkëkombasit e vet në shtator –tetorin e vitit 1912,se armiku kryesor i shqiptarëve nuk ishte më Perandoria Osmane që po jepte shpirt,por fqinjët tanë sllavoortodoks,që po u lëshoheshin kufijve shqiptare si një lukuni ujqish
Kështu në nëntorin e vitit 1912,së bashku me Hamdi Ohrin,Nuri Sojlliun,Irfan Bej Ohrin e disa atdhetarë të tjerë,Zyhdi bej Ohri niset drejt Vlorës,si delegat i popullit të Ohrit,për të marrë pjesë në shpalljen e pavarsisë kombëtare.Në qiellin e trazuar të Shqipërisë,po shkrepitnin të parat shpresa të lirisë dhe Zyhdi bej Ohri,po bëhej kësisoj tribun i viseve të veta buzë liqenit të Ohrit.Burime të shumta arkivore,provojnë se Zyhdi Bej Ohri,mori pjesë në krejt tubimet si për shpalljen e pavarsisë, ashtu edhe në krijimin e kabinetit të shtetit të parë shqiptar.Pjekuria dhe gjykimi i gjërë në biseda,bënë që Zyhdi Bej Ohri,të zgjidhej nga Qeveria e Vlorës,në detyrën e këshilltarit pranë Myfit Vehbi Dibrës me të cilin ish njohur ç’prej vitesh.Ai do ta pranonte me entuziazëm këtë detyrë,ngase vetë myftiu Vehbi Dibra u zgjodh me vota unanime në detyrën e kryetarit të Pleqësisë e cila sigurisht shërbeu si oponencë dhe ndihmesë e afërt e Qeverisë së Vlorës.Është njohur tanimë fakti që Ismail Qemali,duke njohur pjekurinë edhe burrërinë e Ismail Qemalit,Bedri Pejanit,Ajdin Dragës dhe Zyhdi Bej Ohrit,i dërgoi këta të hynin në bisedime me Xhavid Pashën,komandantin e forcave turke në Shqipëri,i cili mbante të rrethuar me divezionet e veta krejt Shqipërinë e mesme.Për dy javë me radhë,në këto bisedime,ku Zyhdi Bej Ohri ishte mjaft aktiv,u suallën argumente të mjaftë politike e diplomatike,me ç’rast vetë Xhavit Pasha u tërhoq ndaj pretendimeve.Delegacioni i kryesuar nga Vehbi Dibra dhe Zyhdi Ohri,u kthye në vlorë me triumf, ndërsa pas disa ditësh,në Fier,Lushnjë,Berat e rrethina valoi krenar flamuri kuqezi. Së bashku me Vehbi Dibrën,Zyhdi Bej Ohri,bëri çështë e mundur që të organizojë popullin e Strugës,Ohrit,Manastirit dhe krejt Dibrës,për të protestuar ndaj vendimeve të padrejta që u muarën në konferencën e Ambasadorëve në Londër.Lënia e pjesëve më të begata të tokave shqiptare,jashtë kufijve të Shqipërisë,u përcuall jo vetëm me dhimbje por edhe me indinjatë prej qindra e mijëra shqiptarëve.Nismëtar i këtyre protestave,Zyhdi Bej Ohri,nuk do të linte vis pa shkelur duke ngritur fort zërin e vet burrëror.Në një prej këtyre protestave,nismëtar i të cilës,pat qenë edhe Zyhdi Bej Ohri,si përfaqsues i Ohrit,Fuqive të Mëdha Evropiane,përgjegjëse për këtë masakër etnike,iu dërgua edhe një peticion ku pos të tjerave thuhej ; „Është e padiskutueshme se Kazoja e Dibrës,si nga pikëpamja e racës dhe e historisë,ashtu edhe traditave të saj,formon një pjesë të pandarë të Shqipërisë dhe prandaj nuk mundemi kurrë të japim pëlqimin tonë,që të mbetemi nën administrimin e Sërbisë… Nga ky vendim i yni,ne nuk mbrapsemi,administratën serbe nuk do ta pranojmë“.
(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 245/III , dosja 5/2 , fleta 744 , dt. 12 tetor 1913 ).
Po në tetorin e vitit 1913,Zyhdi Bej Ohri,me porosi të drejtë përdrejtë të Ismail Qemalit shkon në Elbasan,me detyrën e këdhilltarit pranë prefektit Aqif Pashë Biçakut,lidhur me organizimin e luftës ndaj synimeve serbe.Menjëherë sapo shkon aty,merr si detyrë të organizojë ruajtjen e kufijve shqiptare.Burri dhe trimi i Ohrit,ngarend deri në Mavrovë,Kërçovë e Gostivar,duke ndihmuar me armë banorët e këtyre trevave,me ç’rast heroikisht patën luftuar kundër pushtuesve serb.Më pas,në dimrin e viteve 1913-1914, eshohim në Ohër,Strugë dhe Elbasan,duke i qëndruar besnik Ismail Qemalit,Aqif Pashës dhe sidomos idealit të atdheut.
Ngase jeta e tij kish kaluar sa në një betejë në tejtrën,ngase pasuria e tij po tretej për të mirën e kombit,populli i Ohrit e dërgon si përfaqsues të vetin,Zyhdi Beun,edhe në kongresin e Lushnjës në vitin 1920.Ai mbështeti fuqimisht qeverinë e dalë nga ky kuvend,pa harruar për asnjë moment të drejtat e shqiptarëve për të jetuar në trojet e veta natyrore.Në vitin 1931,kur ende kish shumë gjëra për të thënë,vdekja gjen rrugën për tek jeta e këtij burri.Miqve dhe të afërmëve të vet,në çastet e mbramë, u ka thënë ; „Vdekja të gjen ku të jesh.Por ajo nuk mund me të frigue kurr tanë jetën e ke jetuar me fatin e vendit tand“Kështu u mbyll një jetë e këtij trimi e burri të Ohrit,për të vazhduar në kujtesë me tjetrën,ate të popullit.