Nga Luan Çipi/
Po e them që në fillim: nuk është fjala për të rehabilituar çdo “kolaboracionist”, po për të shpjeguar jetën e gjithkujt, që duke rrojtur gjatë dhe mandej edhe me veprimtari atdhetare dhe shoqërore të dobishme edhe pse gaboi diku, nuk mund t’ia shuash krejt veprimtarinë e tij dhe t’ia asgjësosh anët e mira, duke e dënuar me heshtje e deri me mohim, pa e gjykuar dhe analizuar.
Nga ana tjetër, jo për çdo gjë duhet trajtuar vetëm politikisht, nga mendimi dhe pozicioni partiak, ose thjeshtë nga ç’rrymë politike apo filozofike priret, por se si janë marrëdhëniet e tij me Atdheun, për mëvetësinë dhe lulëzimin e tij.
Kështu do gjykoja edhe për Ago Shero Agajn, vlonjatin që kaloi peripeci të shumta në jetën e tij të gjatë, po që punoi dhe u përpoq shumë për kombin shqiptar, pa i përjashtuar gabimet dhe fajet ku shkau…
AGO AGAJ lindi më 7 Mars 1897 në fshatin Ramicë të Krahinës së Mesaplikut (Vlorë), në një familje të pasur e me tradita të lashta atdhetarie dhe vdiq në qytetin Florida, Sh.B.A, në 24 dhjetor të vitit 1994. Babai i tij, Shero Emin Agaj, spikati veçanërisht në vitet e pavarësisë, si mbështetje e fuqishme e Ismail Qemal Beut, pastaj për organizimin e frontit antiterrorist e antigrek pas vitit 1913 dhe ishte në kulmin e shkëlqimit, në “Luftën e Vlorës”, si shefi policisë me Osman Haxhiun në krye, po dhe, më tej, në përkrahje të “Revolucionit Demokratiko- Borgjez të Fan Nolit, me armë në dorë në vitin 1924, pa u ndalur në veprimtarin e pareshtur atdhetare edhe me pas, deri në vdekje.
Ago Agaj, një nga djemtë më aktiv të Shero Emin Agajt, shkollën fillore e kreu në Vlorë (turqisht), shkollën e mesme e përfundoi në Vjenë dhe po atje, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet universitare për inxhinieri agronomike,. kurse stazhin dhe specializimet i mbylli në Gjermani, në Silesien e Sipërme.
Më 1920, i kthyer në Atdhe, merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Shullërit dhe komandant kishte Bajram Qamil Agajn e Ramicës. Atje, në fushat e betejës, kur ishte krah për krahu me heronjtë e luftës, me Kanan Mazen, Zigur Lelon dhe Kapedan Sali Vranishtin me shokë, grumbulloi të dhëna dhe fakte historike direkt, që më vonë i hodhi në një libër më vete.
Gjatë viteve 1920 – 23 bashkëpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Kölnit (Gjermani), për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bën pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë.
Punon edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe kur kthehet në Vlorë, emërohet agronom i zyrës së bujqësisë fillimisht dhe ngrihet dora dorës, deri në shkallët më të larta ministrore. Në vitin 1924 është një nga përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të “Revolucionit Fanolist”.
Prej vitit 1925-26 bashkëpunon me shkencëtarin svicerian, Dr. Miller, në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Comp. Dhe ka fatin të jetë prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar.
Në fund të vitit 1926 emërohet agronom në Shkodër, më vonë në Xhafzotaj (Shijak), dhe Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnjë dhe pas mbylljes se shkollës, shërben si agronom direkt në Berat, Gjirokastër dhe Delvinë, duke plotësuar kështu një cikël të plotë teoriko praktik, të denjë për një studiues e shkencëtar.
Më 1936, Ago Agaj merr pjesë në disa revolta e së fundi, në “kryengritjen” e Ethem Totos, si anti Zogist dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Dita 7 Prill 1939, kur Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë, Ago Agajn e gjen në burg.
Me qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Verlacit ai emërohet kryeagronom në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe më pas Ministër i Bujqësisë. Ago Agaj, si anti Zogist dhe me “Dojç kulturë” e filo gjerman, e pa okupimin Shqipërisë si lehtësues së gjendjes se vet dhe u bashkua pa rezerva me pushtuesit dhe me Ballin Kombëtar, duke menduar se kështu do të ishte më mirë edhe për vendin amë, që ndryshe mund të rrezikonte copëtimin midis fqinjëve.
Dihet se pas okupimit fashist të Shqipërisë një pjesë nga territoret e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë iu bashkuan Shqipërisë, por prefekturat e Mitrovicës, Vuçiternit, Podejevës dhe e Pazarit të Ri, megjithëse me popullsi shqiptare, kishin mbetur ende nën sundimin serb. Ishin edhe përpjekjet e Ago Agaj me shokë, si e Dr. Vehbi Frashërit, që edhe sepse ishin me kulturë e shkollë gjermane, ndërhynë pranë autoriteteve naziste dhe i bindën ata që ato krahina t’i ktheheshin Shqipërísë. Atëherë,. për meritat e sprovuara, me vota të lira, Ago Agaj, zgjidhet prej vendasve Prefekt i Mitrovicës dhe drejton organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, se i duhet të mbrohet edhe nga sulmet e çetnikëve të Drazha Mihaloviçit, me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkt, derisa edhe plagoset.
Duhet pohuar një e vërtetë historike se, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Mitrovica me rrethe, përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë më parë. Kjo liri, siç thotë vet Ago Agaj, e ndezi popullin aq shumë, sa edhe gratë morën pjesë në kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1941, kur ai ishte Prefekt atje. Ishte hera e parë që ato merrnin pjesë në një grumbullim të madh shqiptarësh. Për herë të parë, pas 500 vjetëve, ato dolën lirisht sheshit të veshura me kostume kombëtare e të zbukuruara me flori e gurë të çmueshëm e me qëndisje artistike, aq sa dhe të huajt mbetën të habitur.
Mirëpo, pas kësaj feste, siç tregon Agaj, ndodhi një ngatërresë e papritur me gjermanët. Komanda kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit. Në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje, por kishte rreth katër mijë jevgj që i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Ago Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë, që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe lypseshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashrit u gjet libri i prof.E.Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu, jevgjit shpëtuan dhe ata me këtë rast, bashkë me shqiptarët në shenjë falënderimi, dhanë një koncert siç dinë vetëm ata.
Edhe hebrenjve, në saje të angazhimit të Ago Agajt e Xhafer Devës, ua shpëtuan jetën, mandej i vendosën në mbrojtje në një ndërtesë të mirë. Pas largimit të Ago Agajt, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje. Agaj ishte bërë shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë.
Ago Agaj qëndroi një kohë të shkurtër në krye të prefekturës, sepse Gjermania ndërhyri tek italianët, ngase “kjo liri e kjo administratë u mor si shembull edhe për Shqipërinë dhe rinia kërkonte edhe atje të njëjtin administrim”.
Në Shqipërinë e Okupuar, Qeveria e Mustafa Krujës, Ago Agajn, e emëron Drejtor të Përgjithshëm të Nozullimeve, që varej nga Kryeministria.
Në Qeverinë e Rexhep Mitrovicë, kur Shqipëria ishte shpallur e pavarur e neutrale, (mbasi fashizmi më 7 Shtator 1943 kishte rënë), Ago Agaj emërohet Ministër i Ekonomisë.
Në qershor të vitit 1944, Ago Agaj mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Kongresi i Dytë të saj, që u mbajt më 15 janar 1944.
Ai ishte aq i lidhur me Kosovën sa në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë, Ago Agaj shkruante:
“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”. Kështu shkruante personalisht Ago Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”. Nga kjo dashuri pasionante për Kosovën, Ago Agajn, shpesh e kanë quajtur “Kosovari nga Vlora”.
Kur ishte prefekt në Mitrovicë ai tërhoqi atje për ndihmë vlonjate të shquar për t’i pasur ndihmësit e vet të besuar, duke i vendosur në vende kyçe: si prokuror Kudret Kokoshin, kryetar gjyqi, dr. Shefqet Shkupin (që më pas punoi për 20 vjet mjek në Vlorë) dhe në mjekësi, vlonjaten tjetër dr. Ibrahim Dervishin.
Si të gjithë nacionalistët aktiv, Ago Agaj, në nëntorin e vitit 1944 largohet nga Shqipëria. Emigroi në Itali e Austri për pak kohë dhe për shkak të njohjeve dhe të ndikimit personal, u vendos në Egjipt, ku qëndroi i suksesshëm 20 vjet, i zgjedhur si Këshilltar për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit (origjinë shqiptare prej Familjes së Qiprilijve) dhe drejton sektorin «Vinicole e Viticole». Kur Egjipti anoi politikisht nga Rusia Sovjetike, atëherë Ago Agaj, si antikomunist konsekuent i deklaruar, emigroi në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në Egjipt Ago Agaj, përgatiti dorëshkrimin e vëllimit «Lufta e Vlorës» të cilin e vuri në shtyp në vitin 1969, kur ishte në Amerikë. Pati sukses të madh, mbasi ishte hera e parë që flitej mbi luftën heroike të vlonjateve, nga një pjesëmarrës aktiv e direkt, siç ishte Ago Agaj. Ai, ka dhe botime të tjera letrare e historike për Kosovën dhe Shqipërinë, librin historik “Miloshi, heroi i Kosovës”, librin për jetën dhe veprimtarinë e Xhafer Devës, si dhe libra e dokumente ende të pabotuara.
Ago Agaj, përveç se ishte pajisur me një kulturë të gjerë në shkencat agronomike, ka pasur njohuri të shumta historike, jo vetëm nga studimet dhe përvoja, po nga që njihte mirë dhe zotëron thellë gjuhën gjermanishte, si dhe frëngjishten, italishten, arabishten, turqishten, greqishten, tregonte bukur si orator, dhe folklori e poezia ishin hobi i tij.
Ago Agaj ishte rritur me një kulturë evropiane, pa u shkëputur nga zakonet e bukura shqiptare, por i lidhur me Ballin Kombëtar dhe Nacionalistët shqiptar, ndaj ardhja e komunistëve e detyroi të marrë rrugën e mërgimit, duke lënë në atdhe në mjerim gruan dhe pesë vajza. Jetoi gati një gjysmë shekulli me ankthin se a do të mund t’i shihte ndonjëherë dhe se a do të kthehej më në atdhe. Rënia e komunizmit ia ngjalli shpresën, por mosha e kishte bërë punën e saj. Ai nuk mundi të realizonte dëshirën e tij shumë vjeçare. Ndërkohë e shoqja dhe dy vajzat e mëdha nuk jetonin më. Siç tregon, vajza e katërt, Marika, që pati mundësinë të shkonte në Amerikë e ta takonte:
Plaku 96 vjeçar sikur u përtëri. Ai pyeste për gjithçka. Midis të tjerave e pyeti se “kur do ta shihnin edhe Kosovën të lirë”. Si njeri me tradita ndershmërie kishte edhe një brengë tjetër që ia shprehu asaj:
– A i keni mbetur kujt borxh? Kur mori përgjigje negative, si model pastërtie, ndjeu një lehtësim në ndërgjegjen e tij. Ishte dëshira për t’i parë fëmijët, si shqiptarë, gjithmonë me kokën lart.
Ai deri në fund të jetës së ti ishte i rregullt dhe sistematik dhe merrte mjekime e barna.
– Me këto e mbaj gjallë shpirtin, thoshte, dhe për çdo ditë bënte gjimnastikë, çdo mëngjes dilte jashtë shtëpisë në lëvizje, qëndronte një orë dhe kthehej. Edhe në darkë nuk flinte para se të bënte një ecje të mirë. Në netët që i quante shumë të gjata, flinte për të tri-katër orë e nganjëherë hiç fare.
Dhe kështu, në vetmi, duke jetuar më së shumti pranë Teqes Bektashiane të Detroitit te Baba Rexhepi dhe së fundi në një Shtëpi Pensioni, pa mundur ta shikoj Atdheun të plotë, të lirë dhe të lulëzuar, u shua në moshën gati 98 vjeçare, një nga luftëtarët veprimtarët e shquar për “Shqipërinë e Madhe”, Ago Agaj, duke marrë me vete dhe pengun e gabimeve dhe fajeve të tij, (ai thoshte, p.sh. se aleatët, me fitoren e tyre e ndryshuan për mirë Gjermaninë). Përfundimisht, ngelemi me mendimin tonë, se Shqipërinë Ago Agaj, e donte më shumë nga çdo gjë dhe nga shumëkush, më të madhe (bashkë me Kosovën) e më të begatë.
Kaluan vite dhe Ago Shero Agaj u amnistua nga Dekreti i Presidentit Nr.2205, dt. 05.01.1956, si dhe ishte i 14-ti person në listë, që rifitoj të gjitha të drejtat qytetare, çka na jep edhe më shumë guxim, për t’i treguar skeptikëve dhe për ata që gjykojnë vetëm njëanësisht e vetëm politikisht, se dhe Ago Shero Agaj ishte DIKUSH, një veprimtar i palodhur për liri, pavarësi e zhvillim dhe se ai, meriton vlerësim pozitiv për gjithë jetën e tij të mundimshme dhe për sakrificat e tij sublime.
Vlorë, 10.07.2015
Reshat Kripa says
Ju pergezoj, i nderuar Luan per shkrimin kushtuar atdhetarit Ago Agaj. Ne pergjithesi eshte nje shkrim i persosur por ka edhe disa pasaktesira. Ago agaj nuk ka qene asnjehere Minister ne qeverine e Shefqet Verlacit, madje ka qene nje kundershtar i vendosur i pushtimit fashist. Ai ne ate kohe ka qene ne Kosove ku ka kryer detyren e Prefektit te Mitrovices, siç shkruani edhe juve. Per te vertetuar kete po ju dergoj perberjen e qeverise se Shefqet verlacit, nxjerre nga Interneti: Qeveria e Shefqet Vërlacit (21 prill 1939 – 3 dhjetor 1939)
Përbërja e qeverisë
Shefqet Vërlaci – kryeministër dhe zëvendësisht ministër sekretat shteti për Punët Botore
Xhaferr Ypi – ministër sekretar shteti i Drejtësisë
Maliq Bushati – ministër sekretar shteti për Punët e Brendëshme
Xhemil Dino – ministër i Punëve të Jashtme
Fejzi Alizoti / Qemal Vrioni – ministër sekretar shteti për Finanacat
Andon Beça – ministër sekretar shteti për Ekonominë Kombëtare
Ernest Koliqi – ministër sekretar shteti për Arsimin
Tefik Mborja – ministër sekretar i Partisë Fashiste Se fundi me duket se shprehja “Kolaboracionist” nuk i perket Ago Agajt por ajo eshte nje shprehje e nxjerre nga fjalori i regjimit komunist. Pershendetje.
Eugjen Merlika says
Ago Shero Agaj nuk ishte “DIKUSHI”, siç i pelqen autorit t’a percaktoje me nje fare ndrojtje real politike, por ishte njeri nder perfaqesuesit me fisnike e te kulturuar te nacionalizmit shqiptar e njeri nder figurat me perfaqesuese te atdhetarise labe.
Per te krijuar idene e sakte te vleres se Tij, veç jeteshkrimit te pelqyeshem te z. Luan Cipi, qe meriton pergezime, mjafton te kujtoj faktin se institucionet kosovare te Mitrovices kane vendosur t’i ngrene bustin ish Prefektit te tyre te viteve te luftes, ne nje nga sheshet e qytetit.
Kjo sigurisht deshmon shtatin moral e politik prej atdhetari te shquar te Ago Agajt, por deshmon edhe realizmin, ne vleresimin e se shkuares e te kujteses historike nga institucionet lokale te Kosoves se lire. Ky fakt e te tjere si ky, meritojne respektin e vleresimin me te larte te te gjithe shqiptareve. Ata duhet te vlejne si mesim ndershmerie intelektuale, jo vetem per dogmatiket e ndryshkur te s’ashtuquajtures historiografi komuniste shqiptare, por edhe per studiuesit e rinj te saj, qe duhet te gjejne kurajen t’i shohin ngjarjet e se shkuares me syrin objektiv e realist te nje historiani te pavarur e te vertete.
Luan Çipi says
Z. Reshat Kripa!
Nuk kam thënë se në Qeverinë e Shefqet Vërlacit, Agua, ka qenë Ministër i Ekonomisë (kam thënë Kryeagronom) dhe në Qeverinë pasardhëse, gjithashtu pro gjermane (më pas) u bë Ministër i Ekonomisë. Të jeni të sigurt (ju,edhe si dhëndër i këtij vlonjati të shquar), se për Ago Agajn, jam treguar jo vetëm i matur, i kontrolluar saktë nga disa burime, po dhe dashamirës, siç vazhdoj të jem.